Curriculum Vitae16 May 2015

Grida Shqina Duma, PD (APPD), CV

Ky është kurikulumi jetësor i publikuar nga kandidatja e Partisë Demokratike për bashkinë Durrës.

Author: BIRN Tiranë
Print

Grida Duma Foto LSA

Grida Duma
Foto LSA

Lindur në 11 qershor 1977 në Durrës, ku përfundoi dhe shkollën e mesme të përgjithshme. Në vitin 1995 – 1999 kryen studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë, duke u diplomuar në Sociologji. Gjatë kësaj periudhe merr pjesë për tre vite radhazi 1996 – 1998 në Forumin e Përvitshëm për Edukimin Civil për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, organizuar nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, ku fiton dy çmime të para si folësja dhe debatuesja më e mirë, së bashku me publikimet përkatëse në periodikun e universitetit.


Në periudhën 1997 – 1998 ka punuar si koordinatore projekti pranë Këshillit Rinor Shqiptar, dhe në vitet 1999 – 2009 është angazhuar në sektorin privat të ndërtimit si Drejtore Ekzekutive. Në vitet 2002 – 2004 kryen studimet dhe merr titullin Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë dhe nga Universiteti i Nebraskës në Linkoln, SHBA.

Në vitin 2006 merr titullin Doktor i Shkencave Ekonomike. Në vitet 2004 – 2008 është lektore me kohë të pjesshme në Departamentin e Menaxhimit të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa në vitin 2007 – 2008 lektore në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Në vitet 2008 – 2011 ka qenë lektore dhe më pas Shefe e Departamentit të Sociologjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Në këtë periudhë ka qenë edhe lektore në nivelin master shkencor në Shkencat e Komunikimit dhe Menaxhimit pranë Universitetit Evropian të Tiranës si dhe master shkencor në Administrim në Universitetin Marin Barleti. Gjithashtu ka qenë eksperte, udhëheqëse dhe konsulente e një sërë projektesh në fushën e arsimit të organizatave dhe fondacioneve që veprojnë në Shqipëri si OSBE dhe Fondacioni Soros.


Karriera e saj përfshin rreth 15 botime shkencore dhe artikuj të paraqitur në konferenca dhe periodikë ndërkombëtare, dhe po aq artikuj dhe publikime me karakter politik dhe social në shqip.
Nga tetori 2011 deri shtator 2013 kryen funksionin e Zëvendësministres së Integrimit. Më pas kryen funksionin e pedagoges në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin Evropian të Tiranës.


Në tetor 2014 zgjidhet Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike të Shqipërisë.