Interview31 May 2015

Hamdi Pasha: Kruja destinacion turistik

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Krujë, shprehet se nëpërmjet projekteve të përgatitura nga ekspertë do ta kthejë Krujën në një destinacion të fuqishëm turistik.

Author: Lindita Çela BIRN Krujë
Print

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Krujë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Që në momentin e parë që vendosa të kandidoj për kryebashkiak të Bashkisë Krujë kam kontraktuar një studio shumë profesionale projektimi me inxhinierë të disiplinave të ndryshme, të cilët janë angazhuar prej disa ditësh dhe po e fusin në “skaner” të gjithë zonën, duke nxjerrë problematikat e saj, si dhe kemi kontakte të përditshme me inxhinierët e ndërtimit, inxhinierët e ujërave, arkitektët dhe topografët, inxhinierët elektrikë, të cilët në tërësi janë skuadër e kësaj studioje.

Meqë zona deri më tani ka funksionuar në mënyrë kaotike, do të jenë këta inxhinierë që do të përcaktojnë ndërhyrjet apo konservimin e zonave të caktuara, sigurisht duke u nisur nga problematikat më emergjente. Për të qenë sa më konkret, do të doja të ndaja gjashtë njësitë me problematikat përkatëse, duke nisur nga Kruja.

Një nga premtimet e mia, të cilën e kam shprehur edhe në intervistën time paraardhëse, është që do ta kthejmë Krujën në destinacionin më të fuqishëm turistik në Shqipëri, çka kërkon edhe kushtet më minimale për turistët. E kam fjalën për parkingjet dhe disiplinimin e qarkullimit rrugor. Së bashku me studion që sipërpërmenda po studiojmë hapësirat e mundshme për të ndërtuar parkingje për autobusë dhe mjetet e tjera. Jemi në konsultime me studion dhe qytetarët për dy-tre vende të mundshme, ku do të sistemojmë parkingjet sepse pa qytetarët nuk do të vendosim për asnjë investim publik. Duke sistemuar çështjen e parkingjeve dhe duke vendosur tabelat orientuese në të gjithë qytetin, gjykoj se do t’i japim zgjidhje edhe qarkullimit brenda qytetit.

Furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm dhe rehabilitimi i ujërave të zeza janë dy probleme që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Gjithashtu kemi menduar të ndërhyjmë me investime në drejtim të rehabilitimit të 4 përrenjve që përshkojnë qytetin e Krujës, të cilët në rast reshjesh dalin nga shtrati i tyre dhe krijojnë situatë problematike në qytet. Do të ndërhyjmë në disa lagje për rrugët, gjithmonë duke i asfaltuar dhe duke ruajtur identitetin e tyre.

Unaza e Fushë-Krujës është një nga problematikat më të rëndësishme të qytetit, ku kemi menduar të ndërhyjmë duke e bërë funksionale për të spostuar mjetet e tonazhit të rëndë dhe për t’i dhënë frymëmarrje qytetit. Rehabilitimi i lumit Zezë, jo vetëm për përmbytjet, por edhe pastrimin e ujërave të zeza që përshkojnë mesin e qytetit. Momentalisht këto ujëra të zeza derdhen në këtë lumë.

Në Fushë-Krujë do të krijojmë hapësira publike dhe do të shikojmë mundësin e ndërtimit të një parku, për të cilin jemi në konsultime. Nikla përballet sot me problemin e energjisë elektrike, e cila është një problematikë që ngërthen të gjithë fshatrat, por më e theksuar është në Nikël. Bashkia do të ndërhyje me të gjithë autoritetin për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Në Nikël kemi menduar të ndërtojmë një urë, e cila do të lidhte Niklën me Aeroportin e Rinasit.

Gjithashtu, do të ndërtojmë rrugën e fshatit Kurcaj dhe rrugë të tjera që do të kenë nevojë për rikonstruksion. Do të ndërhyjmë në Bubq në sistemimin e kanaleve të kullimit, si dhe në ndërtimin e disa rrugëve, të cilat janë vërtet të nevojshme për komunitetin. Në komunën Cudhi, me dhjetëra rrugë janë në gjendje të degraduara dhe do mundohemi t’i rikthejmë në funksion të banorëve. Do mirëmbajmë pyjet dhe krijojmë hapësira për kullota, sepse kjo është një zonë malore dhe shumë e favorshme për blegtorinë.

Ndërsa në Thumanë, pas investimit që kemi bërë në depon e ujit që furnizon pallatet e Thumanës, do të ndërhyjmë në rehabilitimin e ujërave të zeza në të gjithë këtë zonë, dhe gjithashtu do të shtrojmë disa rrugë me asfalt. Jemi në konsultim e sipër për të thithur sa më shumë biznesin fason, me qëllim që të punësojmë banorët e zonës. Do të gjejmë një vendgrumbullimi për mbetjet urbane për të gjithë zonën dhe do të ulim taksat e biznesit të vogël dhe të madh, deri në pikën më të ulët të mundshme që na lejon ligji. Kjo do të ndikojë pozitivisht në nxitjen e biznesit dhe rritjen e punësimit.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë Krujë?

Kemi menduar të ndërhyjmë me investime në drejtim të rehabilitimit të 4 përrenjve që përshkojnë qytetin e Krujës, të cilët në rast reshjesh dalin nga shtrati i tyre dhe krijojnë situatë problematike në qytet.

Do të ndërhyjmë në disa lagje për rrugët, gjithmonë duke i asfaltuar dhe duke ruajtur identitetin e tyre. Do i japim zgjidhje një herë e mirë çështjes së ujit të pijshëm për zonën që përfshin Bashkia Krujë.

Do të përfundojmë “Unazën e Fushë-Krujës” për shmangien e makinave të tonazhit të rëndë dhe do të sistemojmë lumin “Zezë” që të mos dalë nga shtrati dhe shmangim përmbytjet. Do të asfaltojmë rrugët e lagjeve në Thumanë dhe nisim punën për ndriçimin e tyre.

Do të ndërtojmë urë për zonën e Niklës, do të ndërtojmë ambulancë polifunksionale dhe do të pastrojmë zonën nga mbeturinat.

Do të sistemojmë kanalet e kullimit, për të shmangur përmbytjet në zonën e Bubqit, si dhe do të ndërtojmë shkollë dhe terrene sportive për fshatrat e Bubqit.

Në Cudhi dhe fshatra do të asfaltojmë rrugët dhe përcaktojmë vendet për kullota, si dhe do të subvencionojmë prodhimin blegtoral për shtimin e bagëtive të imëta.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Krujë dhe cilat janë ato?

Zotohem se nuk do të qeveris në paligjshmëri. Nuk mund të vazhdojmë me shkarkimet e paligjshme nga administrata dhe të krijojmë gropa të reja për buxhetin e Bashkisë, të cilat burojnë nga taksat e qytetarëve. Kriteret janë, arsimi i lartë, kualifikimet, trainimet, titujt, gjuhët e huaja, aftësitë komunikative, rendimenti, përgjegjshmëria, cilësitë morale.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.)

Çdo javë do të zhvilloj takime me qytetarët, çdo muaj do të takoj komunitete të caktuara, çdo vit do të bëj “një ditë transparence”. Për hartimin e projekteve do të ketë një bashkëbisedim me komunitetin dhe më vonë do të ketë implementim planesh. Çdo qytetar do të ketë akses për të marrë vesh të ardhurat dhe shpenzimet e bashkisë. Do të vendosim një vend të caktuar që qytetarët të marrin vesh projektet dhe investimet e bashkisë. Do krijojmë akses në faqen e e internetit, një faqe modern dhe gjithepërfshirëse.

Pranë Bashkisë Krujë nën udhëheqjen katërvjeçare që do të më besoni do të kem si prioritet transparencën në funksionimin e administratës vendore dhe aksesin e qytetarit në çdo procedim administrativ ndaj tij, por jo vetëm. Ndër të tjera, një nga mekanizmat që do t’a mundësojë transparencën, parimin e ligjshmërisë dhe deburokratizimin e administratës vendore do të jetë orientimi i çdo qytetari apo subjekti juridik në të drejtat dhe detyrimet e tij dhe të bashkisë apo çdo njësie administrative që e përbëjnë atë.

Për këtë qëllim pranë Bashkisë Krujë do të krijohet një portal elektronik nga ku online çdo subjekt i proceduar do të mundet të parashtrojë ankesat e tij joformale mbi pretendimet për shkeljet ligjore që mundet të kenë ndodhur nëpër procedime administrative të zhvilluara. Kuptohet se krahas këtyre burimeve të informacionit qytetarët do të kenë mundësinë të nisin procedura ankimimi formale mbi vendimmarrjet e administratës së Bashkisë Krujë. Këto peticione do të mund të shërbejnë vazhdimisht për Bashkinë Krujë për të rivendosur ligjshmërisë aty ku diçka nuk ka shkuar si duhet, duke qenë mekanizma kontrolli në duart e çdo qytetari për mirëqeverisjen dhe mekanizma autokontrolli të Bashkisë Krujë në të njëjtën kohë.

Kuptohet se për të arritur këtë standard të lartë dhe të pandodhur më parë në Bashkitë dhe Komunat që kanë ekzistuar deri më sot do të duhet një mirëstrukturim dhe mirëorganizim i hallkave administrative të Bashkisë Krujë apo rikompozimi i strukturave ekzistuese. Një nga strukturat e reja që do të prezantohen në organogramën e Bashkisë Krujë do të jetë Zyra e Mbrojtjes së Qytetarit në të cilën, në bazë të procedurave ligjore për rekrutimin e nëpunësve civil, do të punësohen juristë të zellshëm, të zotë dhe të sprovuar të cilët do të merren me të gjithë shërbimin juridik ndaj qytetarëve dhe subjekteve juridike të proceduar administrativisht nga Bashkia Krujë. Funksionarët e kësaj njësie administrative do të kenë statutin e “Avokatit të Qytetarit”, status i cili do të detajohet me vendim të Këshillit Bashkiak të propozuar prej meje, ku do të detajohen edhe procedurat mbi funksionimin dhe organizimin e këtij shërbimi publik.

Për të përballuar nga ana sasiore dhe cilësore këtë shërbim të ofruar ndaj qytetarëve kam menduar kontraktimin apo arritjen e memorandumeve të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit edhe me aktorë të tjerë të organizatave joqeveritare që operojnë në dhënien e ndihmës juridike falas. Njëkohësisht që bashkëpunimi do të shtrihet edhe me Zyrën e Ndihmës Juridike pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatëve Krujë. Shërbimi i aksesit të qytetarit në qeverisjen vendore, transparencës dhe deburokratizimit do të konceptohet i tillë për t’u ofruar në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë, në çdo fshat pavarësisht largësisë, pasi kjo zyrë dhe titullarrët funksionarë do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në lëvizje dhe nëpërmjet internetit. Nëpërmjet këtij shërbimi do të mund të jepet asistencë përfaqësimi me karakter juridik dhe këshillimor në secilën prej procedimeve administrative të Bashkisë Krujë ndaj qytetarëve, duke u mundësuar pjesëmarrja e qytetarëve në të gjitha format dhe mënyrat që Kodi i Procedurave Administrative parashikon. Thënë më thjeshtë, nuk do të ketë një procedim administrative nga zyrat fiskale të Bashkisë Krujë me qëllim aplikimin e sanskioneve ligjore që qytetari nuk do të ketë mundësi për t’u dëgjuar para se të gjykohet, sipas nenit 33 të Kushtetutës. Avokati i qytetarit do të mundet të asistojë të gjithë fazën e formësimit të peticionit, fazën hetimore dhe të konkluzioneve përfundimtare.

Gjithashtu Avokatët e Qytetarit, shërbimet e tjera të ndihmës juridike falas do ofrojnë shërbime për t’i dhënë akses çdo qytetari apo subjekti juridik në procedurat vendimmarrëse të Këshillit Bashkiak, qoftë në aktet individuale, kolektive dhe normative administrative, në mënyrë që për vendime që prekin subjekte të veçantë apo të gjithë sipas fushave vendimmarrëse të munden të parashtrohen argumentat kundër apo kontestimet respektive. Në vlerësimin tim ky akses i qytetarit në qeverisjen vendore do të jetë mundësia e munguar për pjesëmarrje në mirëqeverisje, transparencë dhe deburokratizim.

Shërbimet e ndihmës juridike do të mundet të asistojnë qytetarët mbi të cilët qeveris Bashkia Krujë për të përgatitur edhe kundërshtimet e vendimeve të Bashkisë Krujë para gjykatës, pra në ndihmën juridike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë e më tej në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë dhe sigurisht edhe gjatë fazës përmbarimore. Në këtë mënyrë qytetari nuk do të mundet të ndjehet i paorientuar juridikisht dhe i pafuqishëm për t’u mbrojtur përgjatë procedimeve administrative e më vonë përgjatë procedimeve gjyqësore kundër Bashkisë Krujë. Mbi të gjitha zotohem që Kushtetuta, e drejta ndërkombëtare dhe ligji do të jenë udhërrëfyesit e çdo vendimmarrje administrative të Bashkisë Krujë, ku e drejta e aksesit, e drejta informimit, transparenca dhe deburokratizimi do të jenë standartet gurët udhërrëfyes të çdo artikulimi ligjor nga Bashkia Krujë. Ajo që synoj t’ju shërbej dhe të kontribuoj është formësimi i një administrate moderne dhe vendosja e një partneriteti gjithëpërshirës dhe miqësor administrate dhe qytetarë.

Çfarë masash do të merrni gjatë mandatit tuaj për zhvillimin e bujqësisë dhe agropërpunimit në zonën e Fushë-Krujës?

Mikrokredi për biznesin e vogël, si për zonat urbane dhe ato rurale. Do të garantojmë krijim tregjesh ushqimore, me prodhime bujqëqsore, në qëndrat urbane dhe rrugët nacionale. Ekspertët e Bashkisë për bujqësinë do të asistojnë cdo fermer si me këshillim, ashtu edhe me ndihmë konkrete për shitjen e produkteve bujqësore dhe kjo në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. Bashkia do të mbështesë me prioritet, duke mos krijuar asnjë pengesë burrokratike për cdo investim agro-bujqësor.

Bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë do të monitorojë parandalimin e çdo sëmundje në gjënë e gjallë. Do të ndihmojë konkretisht çdo fermer që do të ballafaqohet me problemet me shëndetin e kafshëve bujqësore dhe gjënë e gjalle. Bashkia do t’i japë prioritet ngritjes së punishteve të përpunimit të produkteve blegtorale dhe bujqësore, duke thither investime në këtë sector. Bashkia nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare të zhvillimit do të rrisë kapacitetet e menaxhimit bujqësor dhe blegtoral. Bashkia do të krijojë një treg të gjësë së gjallë. Bashkia Krujë do të lobojë fort për ndërtimin e një thertoreje moderne, që të ndihmojë që produktet e tyrë të blihen nga tregjet kryesore të Shqipërisë.

Me organizatat ndërkombëtare do të garantojmë kurse formimi profesional për rininë e qytetit dhe fshatit. Zanate si zdrukthar, hekur-punues, artizant, rrobaqepësi, (punime blegtorale), pemtari, sector ndërtimi, parukeri, hidraulik, mekanik, xhenerik-pompist, këpucar, e të tjera do të jenë prioritet i bashkisë, nëpër zonat ku ka më shumë nevojë në bashkëpunimk me sektorin privat. Do të vendosen në prioritet maksimal, dy tregje me prodhime ushqimore lokale, të mbështetura fort nga Bashkia, me të gjitha lehtësitë e nevojshme të parkimit, transportit, magazinimit dhe kushteve higjeno-sanitare.

Çfarë masash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për ndalimin e ndotjes së furrave të gëlqeres?

Politika mbi mjedisin është një ndër prioritetet e mia afatgjata, ashtu si disa politika të tjera, si arsimi, kultura, turizmi dhe sporti. Modeli që kam ndërmend dhe që po frymëzon programin tim nuk do të jetë pragmatist dhe afatshkurtër, por do jetë gjithëpërfshirës, parimor dhe afatgjatë. E kam fjalën, që këto fusha nuk do të qeverisen me masa apo vendime 4-vjecare, por për një të ardhme të qëndrueshme. Në lidhje me këto fusha, politikat dhe vendimet duhet të jenë të tilla, që edhe Kryetari edhe Këshilli Bashkiak që do vijë pas 4 vjecarit tim, të mos kontestohen. Për shkak se baza e legjitimitetit të tyre, do jetë vullneti i komunitetit.

Unë, Këshilli Bashkiak dhe strukturat administrative në varësi të Bashkisë Krujë nuk munden t’i lejojnë vetes që të vendosin në mënyrë të njëanshme për të ardhmen e komunitetit, fëmijëve dhe brezave që do vijnë. Instrumenti që do të mundësojë këtë stadart, ide timen dhe stafit tim, do jenë referendumet vendore. Kështu që modeli i zhvillimit të mjedisit, arsimit, kultures, turizmit dhe sportit do përcaktohet nga shumica referendare e komunitetit, i cili vullnetin e tij do t’ia imponojë, kujtdo Kryetari, Këshilli dhe strukture administrative në të ardhmen.

Sigurisht nëpërmjet referendumeve, ne do të vendosim të gjithë bashkë, të qeverisemi brënda kopetencave të pushtetit vendor. Do të shikohet raporti i të mirave, nëse për zonën ka më shumë përfitim që aktiviteti i këtyre firmave të ndalohet, ose puna dhe aktiviteti i firmave që ushtrojnë këtë biznes i shërben dhe i jep frymëmarrje zones, i jep zhvillim dhe dimension tjetër punesimit dhe të ardhurave të banorëve. E parë në këtë këndvështrim, ne do ta shohim aktivitetin e biznesit të inerteve, rast pas rasti. I takon firmes së projektimit që unë kam kontraktuar, që të japë mendimin professional. I takon intelektualëve dhe qytetarëve të zonës të cilët do të shprehen drejtëpërdrejtë, në lidhje me lejimin ose moslejimin e këtyre bizneseve. Nuk mund të bie në kurthin e politikës së “lakut në fyt” dhe të premtoj para jush atë cka shumëkush edhe mund ta presë, që ne do të jemi radikalë dhe ndoshta subjektivë. Flas këtu për të gjithë ato biznese që veprojnë brënda kuadrit ligjor dhe kanë të gjithë dokumëntacionin e përshtatshëm për të ushtruar një biznes të tillë.

Nuk kam dëshirë të bëj politikë, por nuk kam se si të mos e them, që u mbyllën guroret e Krujës dhe u lanë familje pa bukë dhe këto gurore u “transferuan” në Skarapar, për interesa të pastra klienteliste. Ligji duhet të veprojë i barabartë për të gjithë dhe të veprojë si i tillë dhe jo në mënyrë selektive. Bashkia merr përsipër kontrollin mbi territorin, observimin dhe kqyrjen rast pas rasti për problematika të tilla.

Ne jemi për një mjedis dinjitoz, jemi për një mjedis të pastër dhe nuk jemi për shkurorëzimin e pyjeve. Pyjete do të zënë një vend të vecantë në programin tonë edhe me kopetencat që na jep ligji për pushtetin lokal. Do ushtrojmë të gjithë autoritetin tonë për mbrojtjen e cdo peme, sepse cdo pemë është dhe përfaqëson një jetë. Ashtu sic duhen vite të tëra për t’u rritur, duhet edhe kujdes i jashtëzakonshëm. Këtë sektor do ta drejtojë ai ose ajo që i dashuron pyjet dhe jo siç ka ndodhur rëndomtë, ku pyjet janë përdorur për qëllime të çuditshme dhe në mënyrë kryekëput të paligjshme. Do të ngrihet një autoritet i vecantë që do të mbikqyrë aktivitetin mbi pyjet dhe mjedisin. Kur kemi parasysh faktin se Bashkia Krujë ka një pasuri të jashtëzakonshme dhe të paanë në lidhje më pyjet, siç është Qafë-Shtama, Malësia e Krujës, Kruja dhe gjithë kurora rreth e përqark, po ashtu edhe e gjithë zona rreth Bashkisë së re Krujë.

Çfarë hapash synoni të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për rikthimin dhe rigjallërimin e artizanatit në Krujë?

Një nga zotimet e mia më ekzistenciale është se ne nuk do të rrisim asnjë taksë! Do të nxisim dhe do të rimëkëmbim artizanatin, duke i motivuar njerëzit që merren me këtë punë, sepse ata ruajnë traditat dhe kulturën e lashtë krutane, autentike shqiptare. Do subvencionojmë artizanët me projekte konkrete, të financuara nga një fond i veçantë që do ngrihet në bashkinë e re.

Për shembull: Marrim përsipër që të gjithë dhuratat që bën Bashkia e Krujës për qytetet simotra, kombëtare ose ndërkombëtare të merren nga artizanet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Krujë. Dhe kjo nuk do të jetë monopol, por Bashkia do hapë konkurse transparente, ku do të konkurojnë punimet më të mira, të cilat do të blihen nga ana e Bashkisë dhe do jenë këto objekte që do përfaqësojnë dhuratat tona kudo.

Do të organizojmë një panair të përvitshëm me titull “Artizani më i mirë”, aktivitet që e merr përsipër Bashkia dhe fton të gjithë agjensitë dhe strukturat që merren me turizmin. Ky aktivitet do të zhvillohet në pazarin e vjetër të Krujës dhe do zgjasë deri në kala, ku çdo tregtar dhe mjeshtër do të paraqesë punimet ose objektet e veta, për t’i reklamuar dhe për t’i shitur ato. Bashkia merr përsipër reklamën mediatike dhe shpërndarjen e saj përtej kufijve. Propozojme që ky panair të përseritet edhe në festën lokale që në programin tone kemi parashikuar: 6 Maji, festa e Krujës.