Interview2 Jun 2015

Adelina Farrici: Vizioni im për Matin

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë Mat tregon shkurtimisht mendimet e saj për zgjidhjen e problemeve të Bashkisë Mat.

Author: Hysen Likdisha BIRN Burrel
Print

Adelina Farrici

Adelina Farrici

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë  së Matit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i prekshëm është infrastruktura rrugore ndërlidhëse të zonave rurale dhe periferike me qendrën dhe çështjet e ujit të pijshëm dhe infrastrukturës vaditëse. Rrjedhimisht këto çështje madhore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në punësim, prosperitet e zhvillim të qëndrueshëm të zonës.

Hapat që do të ndiqen janë strategjikisht të qartë:  – Plan zhvillimi strategjik i zonës – planifikim infrastrukturor – hartimi i projekteve-aprovimi nga qeveria me përparësi-zbatimi i tyre – nxitja e tregtisë, punësimit dhe angazhimi i komunitetit për të përfituar një jetesë më të mirë dhe të begatë me anë të kësaj infrastrukture të përmirësuar.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Matit? (Kërkohet një listë sa më konkrete e objekteve që synohen të riparohen).

Qasja ime administrative si kryetare e Bashkisë së Matit do të jetë, ajo e konsultimit me ekspertët përkatës, vendosja e përparësive dhe zbatimi e simulimi i këtyre ndërhyrjeve në fusha të ndryshme, në shpërndarje të drejtë e sipas emergjencës në Mat.

Kryefjala është gjithëpërfshirja dhe më i dobëti ndihmohet i pari. Në  Mat ne do të japim dorën njëri tjetrin e do të ngrihemi bashkë për të ecur përpara në drejtimin e  duhur.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Mat dhe cilat janë ato?

Lista nuk është një menu, por konsulenca e profesionistëve të burimeve njerëzore do të jetë e rëndësishme në këtë proces. Për të mbajtur standardet që dëshirojmë, duhen profesionistë dhe njerëz të përkushtuar, me vullnetin për të gjetur zgjidhje për përfaqësuesit e komunitetit.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Këto mekanizma janë tashmë pjesë e aplikueshmërisë nga ana e Bashkisë Burrel këto vite dhe eksperienca e fituar  në brainstorming dhe në  komunikimin ballë për ballë, kombinuar edhe me median sociale tashmë dhe dixhitalizimin e komunikimit lejojnë tashmë platforma për konsultim jo vetëm lokal por edhe të banorëve me origjinë matjane në diaspore.

Çfarë masash do të ndërmerrni për të siguruar transportin e nxënësve në shkollë nga fshatrat e thellë brenda vitit të parë të mandatit tuaj?

Pyetja është ndër më të bukurat, domethënëset dhe me sfidueset. Jo për nga vështirësia logjistike apo organizimi kompleks, sesa për nevojën dhe domosdoshmërinë që brezat e rinj duhet të kenë të gjithë akses në arsimim dinjitoz.  Do të kemi këshillim me ekipin tim dhe do të përpilojmë zgjidhjen më të mirë që rrethanat të kthehen në favor të fëmijëve dhe edukimit të tyre në Mat.

Çfarë masash do të ndërmerrni për të garantuar pastrimin e Bashkisë Mat, veçanërisht brigjeve të lumit Mat të cilat janë aktualisht të mbushura me plehra?

Masat edhe në këtë rast do të bashkërendohen me institucionet mjedisore dhe organizatat e profilizuara në ekspertizë në këtë fushe.

Çfarë hapash do të ndërmerrni për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme, mbrojtjen e liqeneve nga peshkimi i paligjshëm me dinamit dhe për zhvillimin e turizmit?

Për çdo seksion, ekspertët dhe profesionistët që do të ftoj të konsultohemi do të hartojnë planin më realist dhe ne do të konkurrojmë në shkallë kombëtare që Qeveria të japë përparësi projekteve të domosdoshme, dinjitoze dhe që i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm. Fletëpalosja ime elektorale I ka të specifikuara këto qasje.

Çfarë do të bëni si kryebashkiake për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Matit?

Atë që kam bërë edhe më parë, lobimin, mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e përkujdesjen për trashëgiminë në breza.