Interview2 Jun 2015

Altin Çomo: Prioritet punësimi dhe infrastruktura

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Libohovë shprehet se lufta kundër papunësisë dhe zhvillimi i infrastrukturës do të jenë prioritetet r punës së tij nëse zgjidhet kryebashkiak.

Author: Raimond Kola Libohovë
Print

Altin Çomo | Foto nga : Facebook

Altin Çomo | Foto nga : Facebook

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Libohovë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Siç e dini, bashkia e re e Libohovës tashmë përfshin edhe fshatrat e dy komunave, asaj Qendër-Libohovë dhe Zagori, fshatra me terrene kodrinorë e malorë, të vështirë në stinën e vjeshtës edhe të dimrit, madje fshatra të thellë, të cilët edhe izolohen nga reshjet e dëborës. Përveç kësaj, në gjithë zonën ka të paktën dy vjet që po rritet ndjeshëm papunësia, fenomen që Libohova e ka patur të reduktuar, duke sjellë bllokim dhe recension ekonomik, shkaqe që vështirësojnë jetesën në këtë zonë.

Pra, papunësia dhe infrastruktura janë dy problemet imediate me të cilat do të nis punën në mandatin e ri dhe që do të bëj të pamundurën për të mbështetur dhe promovuar iniciativa në ndërtim, bujqësi, blegtori e turizëm, si dhe në përmirësimin e menjëhershëm me projekte konkrete të infrastrukturës rrugore.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Libohovë?

Që në muajin dhjetor të vitit 2014, bashkia Libohovë me kërkesë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit përcaktoi pesë projekte prioritare për infratrukturën dhe konkretisht:

  • Rruga Kthesa e Libohovës-Suhë-Labovë-Zagori, një segment tepër jetik për rreth 3000 banorë dhe po aq jetik për të ardhmen e një zone të tërë që vizitohet nga shumë turistë vendas e të huaj, me shumë resurse turistike dhe monumente natyrore e kulturore.
  • Rikonstruksioni i ujësjellësit Libohovë, një nga problemet më të mëdha, që me gjithë investimet ndër vite ende është tepër i amortizuar dhe kërkon patjetër ndërhyrje.
  • Segmenti rrugor Libohovë-Bulo, një mundësi për Libohovën, Labovën, Suhën dhe Zagorinë për t’u lidhur më shpejt me Gjirokastrën dhe Dropullin, si dhe një mundësi shumë e favorshme për të afruar banorët e fshatit Bulo me qendrën e bashkisë.
  • Rikonstruksioni i qendrës së qytetit Libohovë dhe unazës së tij, një investim madhor dhe i nevojshëm për konceptimin e bashkisë së re.
  • Rikonstruksion i segmentit Drino-Nepravishtë e Poshtme.
  • Rikonstruksion i kopshtit të fëmijëve Libohovë.
  • Rikonstruksion i rrugës së lagjes Teqe-Fushë, Baillo, etj.

Gjithashtu nga ky tetë-vjeçar që lamë pas, ne kemi të miratuara me leje ndërtimi dhe po kërkojmë donatorë për një sërë projektesh të tjera si: ndërtimi i një godine të re për bashkinë Libohovë me parametra bashkohorë, rikonstruksioni i linjave të furnizimit me ujë të pijshëm për lagjen Hoxhallarë, sistemimi i kanalizimeve të ujrave të zeza, zgjerimi me trotuare, ndriçimi dhe gjelberimi për segmentin në qendër të qytetit Libohovë, Përroi i Zhepës-lagjia Teqe Mëhallë, dhe shumë të tjera.

Për të gjitha këto unë do të kërkoj patjetër ndihmën e donatorëve të huaj dhe vendas, ndihmën e qeverisë shqiptare, edhe pse nëpër takime kryeministri i vendit po i fyen kandidatët e të djathtës, por nuk duhet të harrojë në asnjë çast që kryebashkiakët e rinj do të jenë të zgjedhur nga populli, qofshin demokratë a socialistë, dhe hallet e popullit janë pa ngjyra edhe pse votojnë kë duan ata. Gjithashtu synimi i bashkisë së re është të krijojë ura bashkëpunimi rajonale edhe me fqinjët tanë në Greqi, për të bërë të mundur një integrim të ri.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Libohovë dhe cilat janë ato?

Patjetër që do të kem. Administratorët e rinj do të jenë bashkëpuntorët e mi më të ngushtë dhe emërimi i tyre nuk do të jetë thjesht një procedurë, por do të bëhet përmes dëgjesave publike me banorët e njësive që ata do të administrojnë, përmes anketimeve, të gjithë do të zgjedhim atë që banorët duan, i cili duhet të jetë figurë me integritet, i sprovuar në drejtim dhe administrim, i gjendur në çdo kohë pranë banorëve të zonës që do të mbulojë.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Sipas atyre që deri tani janë thënë, por edhe me përcaktimin e kompetencave të reja që do ketë bashkia e re, procesi i vendimmarrjes do të jetë ndër më transparentët dhe ndër më të parapëlqyeshmit për banorët e zonës, të cilët përmes të zgjedhurve të tyre siç janë këshilltarët, apo të emëruarve prej meje me miratimin e tyre, por edhe përmes takimeve, konsultave në rang të gjerë, drejtpërdrejt apo virtualisht do të jenë pjesë e vendimmarrjes së bashkisë. Një nga anët e mia më të forta është se e njoh gjithë zonën, kam shkelur prej vitesh pothuaj në të gjitha fshatrat dhe i di pak a shumë nevojat që kanë dhe zgjidhjet që duan, kështu që unë do të jem pranë tyre dhe zëri i tyre do të dëgjohet kurdoherë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për problemin e vaditjes së sipërfaqeve bujqësore në Luginën e Drinos?

Pavarësisht se syri të sheh shumë sipërfaqe toke në Luginën e Drinos, e vërteta është që Bashkia Libohovë ka një sipërfaqe të përcaktuar të kësaj toke, ndërsa një pjesë e madhe i takon bashkisë Dropull. Por ne kemi një favor të madh, ujëmbledhësin e Doftisë, i cili mbulon me vaditje pa problem të gjithë sipërfaqen. Në kompetencat e reja të bashkisë, mendohet që do të jetë edhe Bordi i Kullimit dhe në këtë aspect, me fondet e përcaktuara, ne do të synojmë në pastrimin dhe vënien në eficencë të kanaleve vaditëse dhe kulluese, rikonstruksionin e stacionit të pompimit dhe mirëmenaxhimin e burimeve ujore.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për rijetëzimin e Kalasë së Libohovës? A keni një plan konkret?

Kalaja e Libohovës është një monument kulture me famë, shpallur kategori e parë që në vitet ’60, dhuratë e Ali Pashë Tepelenës për të motrën Shanishanë që ishte martuar në Bejlerët e Libohovës. Një monument që i ka rezistuar më së miri kohës, agjentëve atmosferikë, por që fatkeqësisht sot shumë pak e përshtatshme për t’u vizituar, pasi nuk ofron kushte të favorshme. Ne kemi patur dhe kemi gati një projekt rehabilitimi, i dorëzuar me kohë pranë Drejtorisë së Monumenteve Gjirokastër dhe pranë Ministrisë së Kulturës, por që fatkeqësisht fle në sirtaret e këtyre institucioneve.

Më vjen shumë keq që shpesh has zhgënjimin e turistëve të shumtë kur e shohin, por nuk kam reshtur kurrë dhe nuk do resht së kërkuari që ky element jetik për turizmin në Libohovë të rehabilitohet dhe të jetë i vizitueshëm dhe me ambiente shumëfunksionale. Në këtë mandat unë do të inicioj një forum qytetar me ide të reja, të cilët do të përcjellin zërin dhe mendimet e tyre në dyert e Ministrisë së Kulturës që fatmirësisht drejtohet nga një libohovite, por që deri tani “nuk” e kanë lënë të mbrojë e të zhvillojë një nga kujtimet e saj të fëmijërisë.

Gjithashtu do përdor gjithë kompetencat e mia për sistemimin e territoreve brenda dhe jashtë saj, duke qenë krah qytetarëve që kanë prona ose ndërtime aty, duke iu dhënë mundësi që ata përmirësojnë infrastrukturën rreth kalasë sipas ligjit në fuqi pasi aty është zonë e mbrojtur.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për krijimin e njësive të reja përpunimi të prodhimeve blegtorale?

Libohova dhe gjithë zona mbarë, deri në Zagori, ka një numër të konsiderueshëm krerësh të imta dhe gjedhë, një burim i mirë jetese dhe fitimi për shumë fermerë, por që shpesh këta të fundit kanë hasur vështirësi në tregtimin e qumështit, mishit, etj. Pasi tregu nuk është liberalizuar siç duhet, ka vështirësi në pagesa dhe konkurrojnë mjaft produkte fallco dhe të pakontrolluara.

Në territorin e bashkisë Libohovë, ka mjaft baxho për përpunimin e qumështit, por edhe fabrika bashkohore të cilat mbledhin dhe përpunojnë qumështin duke prodhuar djath dhe produkte të tjera tepër cilësore dhe me emër. Bashkia Libohovë do të ndërmarë nisma për mbrojtjen dhe promovimin e prodhimeve vendase bio, emri i të cilave tregtohet në fakt tepër shtrenjtë në tregjet e vendit.

Gjithashtu, bashkia do të ushtrojë kontrollet e saj sipas ligjit dhe kompetencave që do të ketë në këto njësi përpunimi për mbrojtjen e fermerëve, të cilët nuk duhet të lihen jashtë vëmendjes dhe subvencionimeve tepër të nevojshme për ta. Bashkia do të ofrojë hapsira dhe ulje taksash për këdo që dëshiron të investojë në këtë drejtim, do të ndjekë me përparsi standardet e tregtimit të mishit në pikat e shitjes, përmirësimin e kushteve në këto pika dhe nuk do të tolerojë asnjë cënim të interesit të blegtorëve vendas.

Çfarë pikash keni në programin tuaj për nxitjen e punësimit përmes mbledhjes së bimëve medicinale?

Ky është një prej burimeve më jetike për banorët e kësaj zone, një traditë e hershme dhe e trashëguar për shumë familje libohovite dhe të të gjithë zonës. Zona jonë, veç shumëllojshmërisë së bimëve medicinale, spikat për sherebelën dhe çajin e malit, dy nga bimët më karakteristike të florës sonë, me shumë vlera kurative dhe kozmetike. Deri më sot, ky lloj punësimi sezonal ka qenë i pakontrolluar, spontan, i pasigurtë dhe shpesh me probleme. Vetëm këtë vit ka mjaft sherebel të bllokuar nëpër magazina, pasi kompanitë grumbulluese ose kanë ulur çmimin ose nuk e tërheqin më dhe bllokojnë pagesat. Gjithashtu, ka patur mjaft probleme me kontratat e kullotave, të lëshuara kryesisht nga komunat përreth, të cilat kanë shkaktuar mjaft përplasje.

Bashkia e re në mbështetje të kuadrit ligjor, së pari do të kërkojë urgjentisht që të gjitha kullotat që administrohen nga shteti të kalojnë në varësi të pushtetit vendor, të ketë transparencë ligjore të administrimit të tyre, do të krijojë hartën e sipërfaqeve me bimë medicinale në territorin e saj dhe do të bëjë studimin e biodiversitetit, për të verifikuar gjendjen në terren dhe për të garantuar mbrojtjen e bimëve që rrezikohen, kryesisht çaj e sherebel.

Gjithashtu, do të mundësojmë që kontratat që do të lidhen për këtë lloj shfrytëzimi të kenë hapësira punësimi sezonal për shumë persona që merren me këtë aktivitet, të jetë i kontrollueshëm dhe i sigurtë. Bashkia Libohovë do t’i mundësojë kujtdo që dëshiron të investojë në fabrika distilimi, hapësira të lira dhe taksa të ulta, si dhe do të përpiqet të mbrojë çdokënd që lidh kontrata dhe marëveshje ligjore me tregtuesit e këtyre bimëve medicinale.