Interview3 Jun 2015

Durim Balla: Vizioni im për Bulqizën

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Bulqizë thotë se do të angazhohet në ndërtimin e rrugëve si dhe do të mbrojë pyjet.

Author: Hysen Likdisha BIRN Bulqizë
Print

Durim Balla

Durim Balla

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Bulqizës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh që neve sot konstatojmë me tërë qytetarët e bashkisë së re Bulqizë është punësimi, varfëria e madhe si dhe kriza ekonomike që ka pllakosur jo vetëm banorët e qytetit Bulqizë, por të tërë rrethit të Bulqizës. Për gjatë takimeve që kemi pasur me banorë të lagjeve të qytetit, me banorë të fshatrave të Komunës Gjoricë, banorë të Komunës Ostren, banorë të Komunës Shupenzë dëgjon nga ana e tyre mbi papunësinë, mbi varfërinë të vjen keq dhe ndjehesh shumë keq kur dëgjon se shumë banorë nuk kanë mundësi të blejnë bukën, të blejnë ushqimet, të blejnë ilaçet, nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike, nuk kanë mundësi të paguajnë tarifat për studentët, ku për të përballuar këtë gjendje të mjerueshme kanë shitur gjënë e gjallë bagëtitë, lopën dhe delen, vezët dhe së fundi edhe pulat. Mësuesit dhe buxhetorët në përgjithësi kanë marrë kredi e kështu me radhë, ndërsa pjesa tjetër e banorëve që nuk mund të paguajnë energjinë elektrike mbeten edhe sot në errësirë, ku shumë prej tyre kanë përfunduar në burg. Listat e borxheve janë shtuar në maksimum. Pra kur qytetari përballet me urinë dhe krizën ekonomike shoqëria nuk mundet të bëjë hapa progresive përpara por është e dështuar duhet patjetër të ndërhyhet dhe të përmirësohet situata. Ndaj duhen marrë hapa konkrete në fushën e punësimit, në gjetjen e burimeve financiare, në përthithjen e donatorëve të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim që të kemi investime dhe të zbutet varfëria ekstreme që ka pushtuar Bulqizën. Ulja e taksave vendore, shtimi i bizneseve, lehtësimi I barrës fiskale, gjetja e donatorëve të huaj, madje dhe binjakëzimi me bashki homologe me vendet e tjera fqinje, gjetja e donatorëve për të financuar në fushën e turizmit sidomos atij malor, do të jetë prioriteti ynë në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e situatës ekonomike të sotme në bashkinë e Bulqizës.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Bulqizës?

Bashkia e re me qendër në Bulqizë kërkon përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës në disa fusha, si në rrugë, godina arsimore, qendra shëndetësore, si financime në fushën e sportit. Konkretisht riparimet dhe ndërtimet e rrugëve të brendshme të lagjeve te qytetit, si në qytet të ri asfaltimi i rrugës që lidh qytetin e ri me Dragunin dhe zyrat e Komunës Fushë Bulqizë, rrugët dytësore në qytet të vjetër, asfaltimin e rrugës tek N/stacioni elektrik, asfaltimi i rrugës së Fushë Bulqizë- Kodra Danit, asfaltimi i unazës Tre Cezmat- Zerqan, asfaltimi i rrugës Ura Serbinit-Zogje, ndërtime dhe shtrime me çakull të rrugës Zogje-Bllacë, hapja e rrugës Gjuras- në drejtim të Peshkopisë, shtrim me çakull të rrugës Mazhicë, shtrim me çakull rruga e varrezave Gjoricë etj. Investime në shkolla dhe kopshte të cilat kërkojnë mirëmbajtje në tërë rrethin. Investime në qendrat shëndetësore Mazhicë, Zogje, Bllace etj, të cilat mungojnë plotësisht.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Bulqizë dhe cilat janë ato?

Kriteret për emërimin dhe largimin e administratorëve janë të përcaktuar me ligjin organik të pushtetit vendor si dhe me ligjet tjera. Marrëdhëniet e punës rregullohen po me ligje të veçanta si Ligji për statusin e nëpunësit civil, Kodi i Punës etj.

Në administratën e bashkisë do të punojnë tërë punonjësit e sotëm të cilët janë specialist të fushës përkatëse si dhe të gjithë të tjerët që do të vijnë përsëri do të jenë specialistë të fushës si dhe me përvojë eksperiencë. Në administratë patjetër do të punojnë punonjës që kanë dhe ruajnë etikën, kanë marrëdhënie të mira me publikun, kanë figurë të pastër morale dhe shoqërore. Nuk do të ketë paragjykime nga ana ime në lidhje me bindjet politike.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Zgjedhjet vendore ose organet e pushtetit vendor që dalin nga këto zgjedhje janë pushteti më i prekshëm për qytetarin, sepse pushteti vendor administron pronat vendore tokat, pyjet e ulëta, ujin e pijshëm dhe ujin vaditës, rrugët, kullotat, ndihmën ekonomike, bursat e nxënësve dhe të studentëve, buxhetin, taksat, tarifat, sheshet publike, ambientet social kulturore, pastrim gjelbërimin, ndriçimin, etj. Pushteti vendor është pushteti i drejtpërdrejtë i qytetarit, pushteti vendor trajton problemet e tërë qytetarëve që jetojnë në atë komunitet. Ndaj zgjedhjet kanë shumë rëndësi të madhe. Në përvojën time që kam si administrator ndër vite nuk më ka munguar komunikimi me qytetarët, takimi në çdo lagje dhe fshat, takimi me çdo banor, pasi dëgjimi i problemeve të shumta që ato kanë, duke parë situatën faktike në vend, të obligon në zgjidhjen e problemeve të mëvonshme që kërkojnë financime. Buxheti vendor miratohet nga këshilli Bashkiak mbledhje e cila duhet të bëhet patjetër publike, dhe para se të bëhet vendimmarrja patjetër duhet të organizohet një dëgjesë publike për të marrë dhe parë në vend problematikën që kërkon zgjidhje. Po kështu ndërtimi I planit urbanistik, ndërtimi i ambienteve publike, infrastruktura kërkon patjetër konsultim me banorët të cilët do të përfitojnë të mirat publike nga ndërtimi apo ndryshimi i tyre. Ndaj konsultimi, bashkëbisedimi marrja e mendimit qytetarë janë vlerat kryesore të qeverisjes në vendet demokratike. Ky është ndryshimi në qeverisje . Ky është ndryshimi në qeverisje dhe në bërjen transparente të tërë shpenzimeve buxhetore të bashkisë, ku këto veprime bëhen së bashku me administratën dhe sektorët që neve do të punojmë së bashku.

Si do të përdoren të ardhurat nga renta minerare nga bashkia?

Në komunikim me qytetarët e bashkisë Bulqizë po marr çdo ditë shqetësimin e madh të gjendjes ekonomike, ku kemi një rrudhosje të ekonomisë së çdo qytetari, ndjehet varfëria, ndjehet në maksimum rënia ekonomike. Në komunikim me bizneset që operojnë si në bashki edhe në komuna po marr shqetësimin e madh se nuk ka fuqi blerëse, nuk kanë shumë xhiro, nuk ka shumë qarkullim të mallrave, ka shumë qytetarë që janë me lista borxhesh, kemi një varfëri shumë të lartë. Motoja jonë ne duhet të vijmë në pushtet dhe do të ulim taksat për bizneset e vogla, tarifat do të ulen ose do të hiqen fare sipas rastit, me qëllim që të japim lehtësirat përkatëse për shtimin e bizneseve, arritjen e punësimeve, dhe të rritet konsumi duke shtuar të ardhurat për çdo familje. Por me taksat që do të mblidhen dhe do të grumbullohen nga bizneset, nga taksat e tokës, nga taksa për ujërat, në vizionin tim në përvojën time kjo taksë do të kthehet pro qytetarit në investime, pra për qëllimin që është vjelë, si dhe do të bëhet harmonizimi i tyre sipas emergjencës që do të lindë, pasi shtimi i buxhetit në ujët vaditës është shumë i domosdoshëm për ekonominë e çdo qytetari që ka pronë etj. Renta minerare që në kohën që qeveriste PD ishte 20% ajo sot është bërë 5%. Në do të kërkojmë me forcë që t’i rikthehet bashkisë Bulqizë pasi është vendi ku prodhohet mineral kromi, është vendi ku kjo taksë të investohet në radhë të parë në rritjen e mirëqenies së familjeve me jetimë të vrarë në minierë, për përmirësimin e jetës së tyre, si dhe në infrastrukturë dhe në investime. Por përdorimi i të ardhurave dhe i rentës minerare do të bëhet me transparencën me të madhe duke bashkëbiseduar me qytetarët e bashkisë Bulqizë, ku marrja e mendimit të qytetarit do të jetë në plan të parë.

Çfarë masash do të ndërmerrni për rigjenerimin dhe mbrojtjen e pyjeve dhe për zhvillimin e turizmit malor?

Bashkia e re me qendër në Bulqizë ose rrethi i Bulqizës sot është vendi me pyje të rralla në Shqipëri. Shohim se sot makina shtetërore ka marrë një hap mjaft të rrezikshëm për shfrytëzimin e tyre duke marrë parcelat e bukura dhe të mëdha si në malet e Martaneshit, të Fushë Bulqizës, të Zerqanit, të Gollobordës si dhe të Shupenzës. Ky shfrytëzim i cili tashmë është bërë monopol i shton obligimin çdo qytetari dhe votuesi të bashkisë Bulqizë qe ti thotë stop shfrytëzimit barbarë, sepse janë dashur shekuj për tu rritur, janë kurorat më të bukura dhe më të rralla që natyra i ka falur Bulqizës. Ndaj mbrojta e tyre është imperativ i kohës sot. Shfrytëzuesit nuk kanë lidhje me banorët dhe qytetarët e Bulqizës, me Zerqanin, me Martaneshin, me Gollobordën me Shupenzën. Makina shtet po dëmton në vend që ti mbrojë, ndaj thirrja ime është e qartë për banorët e çdo zone në mbrojtje të pasurisë së tyre. Kjo bukuri e rrallë natyrore si Martanesh në Balle, në Bulqizë Liqenet e Duricit dhe Mali Dhoksit, në Zerqan Liqeni Zi dhe tërë masivi kurora Mali i Dhoksit Liqeni Zi, në Gollobordë Mali Raducit, në Fushë Bulqizë Mali Bardhë bëjnë perlën me të bukur e të pashfrytëzuar jo vetëm të Bulqizës por tërë Shqipërisë. Kemi plane për ndërtimin e turizmit malor si një ndër fushat kryesore për përfshirjen e Bashkisë së Bulqizës në hartën e turizmit kombëtare dhe ndërkombëtar, për mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës, për ta bërë Bulqizën të njihet jo vetëm për prodhimin e mineralit të kromit por edhe në fushën e turizmit. Kjo bukuri e rrallë natyrore do të shfrytëzohet jo vetëm për turizmin verorë, por edhe për turizmin dimërorë, le t’i japim Klenjës gjallërinë që I ka munguar ndër vite. Do te ndërtojmë guidën e turizmit për bashkinë Bulqizë, do të ftojmë biznesmenë shqiptarë vendas si dhe do të lobojmë fuqishëm për të thithur donator të huaj veçanërisht zviceranë për të bërë të mundur ndërtimin në fushën e turizmit.

Çfarë hapash do ndërmerrni për pjesëmarrjen minoriteteve të ndryshme etnike në vendimmarrjet e Bashkisë Bulqizë?

Në rrethin e Bulqizës bën pjesë edhe zona e Gollobordës, ku ndeshemi me prezencës e pakicave që i përkasin etnisë maqedonase, ku në këtë kuadër në këtë zonë aktualisht veprojnë dy shoqata maqedonase; “Most” dhe “Ilinden”.

Natyrshëm duke qenë në pakicë, minoriteti maqedonas në zonën e Gollobordës, nuk mundet për shkak të mungesës së numrave që të përfshihet në listat e këshilltarëve të bashkisë së re në zgjedhjet e 21 qershorit, për të pasur zërin e saj në vendimmarrjet e këtij këshilli. Për këtë unë në krye të bashkisë Bulqizë, pas zgjedhjeve, do ndërmarr hapat e duhur për përfshirjen e kësaj etnie në vendimmarrjet e këshillit bashkiak. Kështu krerët e shoqatave “Most” dhe “Ilinden”, do jenë prezent në të gjitha mbledhjet e këshillit bashkiak, si dhe do përfshihen në grupet e konsulencës të bashkisë së re, për të dëgjuar zërin e tyre për problematikat me të cilat ata përballen, për tu dhënë kështu atyre rëndësinë dhe zgjidhjen e duhur që meritojnë.

Cilat janë rrugët lidhëse me fshatrat që ju gjykoni se kanë nevojë më imediate për t’u ndërtuar apo rikonstruktuar? Brenda çfarë afatesh synoni t’i ndërtoni këto rrugë?

Në programin tonë ndërtimi i rrugëve pas furnizimit me ujë të pijshëm ka një prioritet të madh. Ndërtimi rrugës Ura Serbinit Zogje, ndërtimi rrugës Fushë Bulqizë Kodër Danit, ndërtimi rrugës Qytet Ri Dragu Fushë Bulqizë, ndërtimi rrugës Tre Cezmat Zerqan, ndërtimi rrugës Cerenec i Epër, ndërtimi rrugës Ostren i Vogël, ndërtimi rrugës Lubalesh etj., do të jenë prioritet i punës time brenda një afati dyvjeçarë, ku për ndërtimin e tyre do të kërkojmë fonde si nga buxheti shtetit ashtu edhe nga donator të huaj.