Interview5 Jun 2015

Darien Xhindoli: Prioriteti im, arsimi, shëndetësia dhe ambientet sportive

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Lushnjes thotë se rindërtimi i qendrave shëndetësore dhe shkollave si dhe krijimi i mjediseve për shplodhje dhe për aktivitete sportive do të jenë synimet e tij kryesore.

Author: Ina Baçinozi BIRN Lushnje
Print

Darien Xhindoli | Foto nga : Facebook

Darien Xhindoli | Foto nga : Facebook

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Lushnjës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh aktual në Lushnjë është punësimi! Pavarësisht se jetojmë në një qytet me resurse të pashtershme natyrore, banorët e Lushnjes dhe zonave përreth vuajnë mungesën e punësimit. Në çdo takim që kam zhvilluar gjatë këtyre muajve të fundit, njerëzit nuk kanë më shpresë dhe kjo vjen e gjitha për shkak të papunësisë. Nën drejtimin tim si kryebashkiak i Lushnjes, punësimi do të jetë rruga më e sigurt për të luftuar varfërinë. Unë do i propozoj këshillit bashkiak që të krijojmë lehtësi për bizneset që do të punësojnë të rinjtë, për të ulur taksat në minimumin e mundshëm brenda kuadrit ligjor. Gjithashtu do të krijojmë një fond sigurimi për të mbështetur të rinjtë që kanë projekte të vërteta zhvillimi për hapjen e bizneseve nga vetë ata. Rinia është e ardhmja dhe ne duhet ta stimulojmë për punë dhe jo t’i presim çdo mundësi, ashtu siç është bërë deri më sot.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Lushnjes?

Gjatë kësaj periudhe kemi realizuar një evidentim të problematikave kryesore të Lushnjes dhe komunave të cilat më tej do të jenë pjesë e bashkisë së madhe. Kemi vendosur disa prioritete duke filluar me restaurimin e godinave të institucioneve arsimore dhe qendrave shëndetësore, të cilat nuk plotësojnë as kushtet më minimale të higjenës dhe ju mungon totalisht sistemi i ngrohjes. Gjithashtu do të realizojmë riasfaltimin e akseve kryesore por edhe të rrugëve të brendshme të lagjeve. Duhet medoemos të krijojmë një rrjet të ri ndriçimi dhe të krijojmë terrene shplodhjeje dhe hapësira sportive për të rinjtë dhe fëmijët. Një pikë tjetër e cila është e domosdoshme për Lushnjen është edhe zhvendosja e fushës së plehrave në një zonë jashtë qytetit për të ulur kështu edhe nivelin e ndotjes.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Lushnje dhe cilat janë ato?

Parimi që do të më udhëheqë është meritokracia. Emërimi i këtyre personave do të funksionojë në bazë të kualifikimeve dhe përvojave profesionale. Më konkretisht, administratorët do të zgjidhen si propozime të grupeve të interesit për zonat përkatëse nëpërmjet edhe konkurseve të ndershme. Më të aftët dhe më të mirët do të jenë pjesë e stafit tim. Vetëm kështu mund të bëjmë Lushnjen një qytet më të mirë për të jetuar dhe për fëmijët tanë.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët, sidomos atyre të zonave rurale, në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Këshilli bashkiak është një organ kolegjial i cili nëpërmjet votimit ka të drejtë të miratojë këto plan projekte me rëndësi. Duke e ditur këtë fakt, Partia Demokratike dega Lushnje në 10teshen e saj të parë ka renditur njerëz intelektualë dhe profesionistë të cilët përfaqësojnë zonat e Lushnjes, duke ditur kështu edhe problematikat e zonës më të largët dhe për të bërë një shpërndarje të mirë të buxhetit. Por ajo që do të bëj unë është krijimi i hapësirave që grupet e interesit të mund të realizojnë seanca dëgjimore me Këshillin Bashkiak.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale, veçanërisht garantimit të ujit për vaditje dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese?

Me formën e re të Bashkisë Lushnje, sektori i bujqësisë do të zerë një vend të rëndësishëm.  Unë kam premtuar krijimin e një drejtorie të veçantë që do të ofrojë konsulencë dhe sherbime për fermerët e zonave rurale për prodhimin e kulturave bujqësore por edhe sigurimin e produkteve të prodhuara nga ata. Por për të arritur në shitjen e produktit, ne duhet t’i sigurojmë kushte fermerëve. Për këtë arsye, referuar edhe bazës së re ligjore për administrimin e kanaleve të ujrave, ne do i kushtojmë rëndësi të veçantë pastrimit dhe sistemimit të kanaleve kulluese.

Çfarë politikash konkrete do të ndiqni në ndihmë të komunitetit rom dhe egjiptian të bashkisë së Lushnjes gjatë këtij mandati?

Nuk mund të kemi mirëqeverisje nëse nuk përfshijmë në qeverisje edhe shtresat e margjinalizuara. Në këto kushte unë do i kushtoj një vëmendje të veçantë integrimit të kësaj kategorie dhe krijimit të kushteve për punësim.