Interview8 Jun 2015

Diana Mile: Infrastruktura në drejtimin e duhur

Kandidatja e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Pogradecin, Diana Mile, shprehet se problemi kryesor i bashkisë së re është përmirësimi i infrastrukturës.

Author: admin BIRN Tiranë
Print

Diana Mile

Diana Mile

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Pogradecit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Pasi të jetë zgjidhur ripozicionimi i stafit ekzistues sipas strukturës që përcakton reforma e re territoriale mendoj ta filloj me infrastrukturën, problemin kryesor, sipas meje për Pogradecin. Infrastruktura është një fjalë e përdorur shpesh në këto ditë fushate elektorale, por ajo do jetë hapi i parë i imi, i cili do ju tregojë gjithë banorëve të Pogradecit që ne po ecim në drejtimin e duhur. Të rregullosh rrugë që kalojnë në mes të qytetit, të lidhësh zona të ndryshme malore do të thotë që njerëzit të mos vuajnë më për t’u takuar mes tyre. Gjithçka do të bëhet për të hequr diferencën qytet fshat, që gjithkush të ketë mundësi të kryejë punët e tij dhe t’i japim të gjithë frymë biznesit të vogël apo të madh. E të gjitha këto natyrshëm sjellin rritje të të ardhurave, mirëqenie dhe cilësi jetese. Pra, kur të kemi vënë në zbatim projektin e infrastrukturës do të na hapen rrugët për të vazhduar me projekte të tjera po kaq të rëndësishme për jetën e qytetarëve.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Pogradecit?

Ndërhyrja e parë dhe tepër e rëndësishme është ajo e Unazës së Qytetit, për të cilën është gati projekti dhe financimi i premtuar nga vetë kryeministri i vendit, z. Rama. Përmirësimi i infrastrukturës do të prekë dhe unifikimin e fasadave në të gjithë qytetin, gjë që do sjellë një imazh të ri për syrin e çdo njërit nga ne. Sidomos do të kujdesem që godinat e shkollave, kopshteve dhe institucioneve ku ofrohen shërbime ndaj banorëve, të kenë pamje sa më dinjitoze, por edhe rrugët që i lidhin këto ndërtesa të jenë sa më të rregullta estetikisht. Hapësirat publike do të luajnë rolin e tyre në arritjen e projektit për ndërhyrjet në infrastrukturë. Çdo hapësirë e zënë padrejtësisht u takon banorëve dhe do të jetë në shërbim të tyre. Ndërkaq unë nuk do të lejoj që të përvetësohen këto hapësira në të ardhmen.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Pogradec dhe cilat janë ato?

Emërimi dhe shkarkimi i administratorëve është i përcaktuar në ligjin e reformës territoriale.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

E kam përmendur edhe në intervista të tjera që Asambleja Qytetare do të jetë risi në administrimin e Bashkisë së madhe të Pogradecit. Tashmë termi asamble e qytetit do të përfshijë të gjithë banorët e Pogradecit, pra dhe ata të zonave rurale. Asamblestët do të sjellin zërin e gjithë komunitetit. Edhe pse s’do kenë të drejtën e votës, mendimi i tyre do të dëgjohet dhe do të ketë peshë në vendimmarrje.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me mbështetjen dhe nxitjen e mëtejshme të turizmit në këtë bashki gjatë këtij mandati? Si do të promovohen vlerat kulturore dhe kulinaria e zonës dhe si do të nxitet bashkëpunimi me vendin fqinj në këtë drejtim?

Turizmi është një nga shtyllat kryesore të programit që unë do të realizoj. Ai do të ketë mbështetje maksimale dhe gjithë vëmendjen time. Tashmë Pogradeci e ka një turizëm, por të kufizuar kryesisht në stinën e verës dhe është aktiv vetëm në hotelet dhe lokalet buzë liqenit. Unë dhe stafi im do të punojmë për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit katër-stinor. Ne do të kujdesemi për shtrirjen e tij në gjithë territorin. Ç’ka do të thotë që turistët të kenë më shumë destinacione turistike. Bashkë me kënaqësinë që të japin Liqenet e Bishnicës apo Ura e Golikut kur i viziton, ne do të sjellin zhvillim e mirëqenie të zonave të Mokrës, zona këto të lëna në harresë. Promovimi i vlerave kulturore dhe kulinarisë do të bëhen nëpërmjet panaireve të ndryshëm që do të zhvillohen jo vetëm në qytet, por edhe me anë të funksionimit të shtëpive muze si ajo e Mitrush Kutelit apo Muzeut Etnografik në Mokër. Pjesë e programit tim është veçanërisht promovimi i produkteve ushqimore e blegtorale të zonave përreth vijës bregliqenore, ku bizneset e turizmit këto produkte t’i marrin bio, jo si deri më sot nga vende të tjera. Do të jemi mbështetje për çdo projekt të përbashkët ndërkufitar që do të zhvillojë turizmin dhe do të sjellë të ardhura për banorët, duke përmendur bashkëpunim rajonal me Ohrin dhe Strugën.

Çfarë masash do të ndërmerrni gjatë vitit të pare të mandatit tuaj lidhur me kontrollin e peshkimit të paligjshëm dhe rigjenerimin e Liqenit të Ohrit?

Kemi folur për një barazi fiskale që e prek edhe këtë problem, por në të njejtën kohë mund të them që ka shumë familje pogradecare që sigurojnë të ardhura jetike me gjuetinë e peshkut. Ka një shoqatë të peshkatarëve të Pogradecit dhe çdo hap që do të marr për paligjshmërinë e peshkimit do e bëj pasi të kem diskutuar me këta banorë që janë të lidhur me fenomenin e gjuetisë së paligjshme në liqen.

Cilët hapa konkretë do të ndërmarrë bashkia për të garantuar mosizolimin e zonave të thella gjatë muajve të dimrit?

Infrastruktura do të jetë përgjigjja për shumë pyetje dhe zgjidhja për shumë probleme të cilësisë së jetës së banorëve për zonat e thella. Superstrada Qukës – Qafë Plloçë që sapo ka filluar dhe rrugët lidhëse të saj me fshatrat e zonës së Mokrës që do të realizohen nga Bashkia e re do t’i japin përfundimisht zgjidhje këtij problemi.

Cila do të jetë mbështetja e bashkisë së re gjatë katër-vjeçarit të ardhshëm për zhvillimin e qendrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë zonë?

Në Bashkinë e madhe të Pogradecit, bujqësia do të jetë një nga sektorët më të rëndësishëm që do të ketë mbështetje për një zhvillim dhe promovim të produkteve. Do të promovojmë produktet vendase për konsumin e përditshëm si pjesë e risive të turizmit katërstinor. Në zonat e Çërravës dhe Proptishtit do të grumbullojmë dhe kultivojmë qershinë si një frut tepër i përhapur në to dhe që do të sjellë të ardhura për banorët, sepse ky proces do të jetë në vëmendjen e bashkisë.

A keni një strategji të qartë për nxitjen dhe promovimin e artizanatit, kulinarisë dhe monumenteve kulturore të zonës? Çfarë investimesh premton bashkia gjatë mandatit të parë në nxitje të aktiviteteve kulturore dhe sportive në këtë bashki?

I permenda edhe më lart disa prej tyre por në interesin tonë do të jenë edhe ato pak biznese artizanale. Do të punojmë që kjo traditë të ruhet dhe mjeshtëria artizanale të trashëgohet. Shtëpia e Mitrush Kutelit është një projekt që do të realizohet, e ndjekur kjo me Muzeun Etnografik dhe një qendër multifunksionale për rininë, që koha e lirë të mos jetë me monotone dhe të ketë larmi aktivitetesh për të fituar sa me tepër kulturë. Do të investohet edhe për nxitjen e sporteve të tjera, perveç futbollit, pasi rinia me energjinë që transmeton ka nevojë për shumë vëmendje nga ne edhe në drejtim të sportit. Ngjyrat e moshës rinore do të jenë një sfidë e vërtetë në sport, për t’i dhënë atij talente e kampionë brenda dhe jashtë Pogradecit tonë!