Interview8 Jun 2015

Luan Mustafaj: Vizioni im për Patosin

Kandidati i Partisë Demokratike për postin e kryetarit të bashkisë së re Patos premton ulje taksash dhe parqe.

Author: Ina Baçinozi BIRN Patos
Print

Luan Mustafaj

Luan Mustafaj

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Patosit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh i bashkisë së patosit është se duhet të mendojë për qytetarët, jo për interesa të ngushta. Duhet t’u japë frymëmarrje bizneseve duke ulur taksat në nivelin më të ulët që lejon ligji. Të krijojë vende të reja pune për të rinjtë e t’i stimulojë ata të punojnë në vendin e tyre e jo të emigrojnë jashtë shtetit. Të krijojë parqe për argëtimin e fëmijëve dhe jo vetëm. T’u krijojë mundësinë fshatrave rrotull të komunikojnë me qytetin e më gjerë nëpërmjet një infrastrukture sa më optimale. Mundësi strehimi për të gjithë të pastrehët. Rritjen e numrit të atyre që përfitojnë nga ndihmë ekonomike. Të gjitha këto që përmenda janë pikat e mia më të forta e që do të bëhen realitet sapo të vij në detyrën e re.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Patosit? (Shënim! Kërkohet një listë sa më konkrete e objekteve/rrugëve që synohen të riparohen).

Infrastruktura dhe mirëmbajtja do të jetë prioritet për qytetarët. Shkollat nuk do të ndërtohen ose restaurohen vetëm nga jashtë, por do të ruhen standardet europiane. Qendrat shëndetësore do të hapen aty ku nuk ka, e aty ku ka do të restaurohen për t’i ofruar qytetarëve shërbimin në mënyrë sa më dinjitoze e kushte sa me të mira ashtu si u takon. Mirëmbajtja është çelësi, ku asnjë qindarka e taksapaguesve nuk do të shkojë dëm. Cilësia do të jetë maksimale dhe e pa tolerueshme për t’u negociuar.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë së Patosit dhe cilat janë ato?

Meritokracia është kryefjala. Asnjë që nuk e meriton nuk do t’u jepet kjo detyre. Përparësi do të kenë qytetarët e patosit dhe fshatrave rreth tij. Do të kryhen verifikime e asnjë person me precedent penal nuk do të jetë pjesë e stafit tim drejtues në bashki. Rinia do të zërë vendin më të rëndësishëm në këtë administratë. E ardhmja u takon atyre.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Dyert e bashkisë dhe zyrës time do të jenë 24 orë të hapura dhe në shërbim të qytetarit, për çdo hall problem që ata do të kenë. Numri im i telefonit do të jetë publik për të gjithë, pa ndarje politike apo ndonjë selektim tjetër. Të gjithë qytetarët do të trajtohen njësoj dhe rëndësi do t’i jepet zgjidhjes së problemeve që ata kanë. Nëpërmjet këshilltarëve që do të zgjidhen do të bëj të mundur që zëri i tyre të dëgjohet. Nëse do të jetë e nevojshme dhe në të mirë të komunitetit takimet me këto banorë për një plan sa më optimal, nuk do të mungojnë.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura naftëmbajtëse? Cilat vatra ndotjeje do të kenë më shumë prioritet?

Çdo gjë do të diskutohet me ekspertet e fushës dhe me banoret. Kushtet e tyre të jetesës do të jenë përparësia jonë.  Zonat më shumë të rrezikuara tashmë janë të njohura, edhe nëpërmjet incidenteve të fundit që kanë ndodhur, për të cilat bashkia dhe qeveria as që nuk janë shqetësuar dhe nuk kanë marrë asnjë masë për të ndryshuar këtë realitet të hidhur.

Si do të shfrytëzohen (në cilin drejtim) të ardhurat e bashkisë të përfituara nga renta minerare dhe taksa e tokës bujqësore?

Më shumë vende pune dhe një mirëmenaxhim i të gjitha resurseve natyrore e njerëzore që ka kjo bashki. Çdo gjë do t’i kthehet qytetarit në forma të ndryshme, si kënde lojërash për fëmijët, gjelbërim i qytetit, restaurim i godinave shëndetësore e shkollave, kushte dhe një mirëqenie në rritje për të gjitha bashkëqytetaret e mi.

Cilat politika do të vë në zbatim bashkia gjatë këtij mandati në mbështetje të bujqësisë, si dhe nxitjes së tregtimit dhe promovimit të produkteve bujqësorë, veçanërisht ullirit dhe vajit të ullirit?

Politikat e interesit të çdo qytetari. Kjo do të jetë politika që do të zbatoj gjatë 4 viteve që do të jem në drejtim të bashkisë Patos. Subvencionim për të gjitha farërat dhe pesticidet e nevojshme për fermerët të cilat rrisin zhvillimin e ekonomisë, krijojnë më shumë vende pune. Ngritjen e një tregu për të gjithë fermerët për tu krijuar mundësinë e shitjes së produkteve që kanë. Uji nuk do t’i mungojë këtyre zonave për të rritur prodhimtarinë e tyre. Bujqësia është një nga sektorët më prioritar që bën të mundur përmirësimin e jetesës dhe ka impakt të drejtpërdrejt në jetën e çdo familjeje.

A keni plane konkrete për ngritjen e banesave sociale për familjet e pastreha të zonës suaj? Nëse po, sa të tilla parashikoni dhe si do të kryhet shpërndarja e tyre?

Si theksova dhe më sipër nuk mungojnë as planet e as fryma pozitive për ndërtimin e këtyre banesave sociale. Kushtet e shpërndarjes së tyre do diskutohen në mënyrë publike dhe pa diskutim do t’i shkojnë atyre që me të vërtetë kanë nevojë dhe ne forma përfitimi nga individ të ndryshëm. Çdo gjë të bëhet në mënyrë sa më transparente. U premtoj qytetarëve se me pune e dinjitet do të rikthej shpresën e humbur tek të gjithë.