Interviste16 Qer 2015

Arben Malo: Turizëm malor për Kolonjën

Kandidati i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim premton zhvillim të agroturizmit dhe turizmit të natyrës për të përmirësuar kushtet e jetesës së banorëve të bashkisë së re Kolonjë.

Autor: Dhorjela Cule BIRN Ersekë
Printo

Arben Malo

Arben Malo

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Kolonjës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Kolonja po haset me një sërë problemesh, kryesisht me mundësinë e punësimit, mungesën e zhvillimit ekonomik, furnizimit me ujë të pijshëm, problemet në infrastrukturë, mundësi kualifikimesh dhe argëtimi për rininë, mungesën e zhvillimit të turizmit dhe mungesën e mbështetjes për bujqësinë dhe blegtorinë.

Pas 21 qershorit do ndërmerren një sërë hapash. Platforma ime për drejtimin e Bashkisë së Kolonjës bazohet mbi pesë shtylla.

Së pari, sigurimi dhe përmirësimi i standardeve jetike dhe atyre bazë të banorëve të gjithë zonës, si për shembull sigurimi i ujit të pijshëm, sigurimi i një infrastrukture rrugore që lidh çdo zonë të Kolonjës me njëra-tjetrën.

Së dyti, zhvillimi ekonomik i zonës. Brenda dy viteve të para do të gjenerojmë 500 vende pune përmes zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtimit të infrastrukturës, turizmit malor dhe kulturor.

Së treti, prioriteti ynë është rinia. Do të ngrihen qendra të formimit profesional, bursa për rritjen e numrit të specialistëve, si edhe do ndërtojmë një qendër komplekse sportive.

Shtylla tjetër është Zhvillimi i një Turizmi të Qëndrueshëm. Kolonja është një zonë me një potencial shumë të madh turistik por që deri tani më tani nuk ka patur një strategji turistike dhe nuk ka arritur të përfitojë ekonomia e zonës nga ky sektor kaq i rëndësishëm dhe fitimprurës. Ne do e ndryshojmë këtë realitet.

Bashkia e re do ta ofrojë turizmin e zonës si një paketë për turistët vendas dhe të huaj e cila do të bazohet mbi agro-turizmin, turizmin historik, dhe atë malor.

Së fundmi, garantoj një drejtim me profesionalizëm dhe krijimin e një administrate model në shërbim të banorëve.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Kolonjës?

Në bashkëpunim me pushtetin qendror do të sigurojmë një infrastrukturë rrugore që lidh çdo zonë të Kolonjës me njëra-tjetrën dhe me rrugën nacionale, për ta bërë Kolonjën një vend të vizitueshëm nga vendasit dhe të huajt. Për këtë do të shtrohet rruga Korçë – Ersekë.

Do kemi një organizim të rregullt urban. Do të ndërtohet infrastrukturë me përparësi që lidh periferinë me qendrën, zonat rurale me zonën urbane dhe që shkurton distancat e çdo familjeje në lidhje me Punën-Shkollën-Spitalin, etj. Infrastruktura e re dhe shërbimet do të ofrohen me përparësi edhe në zonat periferike, për të zbutur dallimet qendër-periferi.

Do të ngrihet një Qendër Sportive komplekse me personel të bashkisë për të nxitur të rinjtë në aktivitete sportive të organizuara, si dhe do të restaurohet dhe do të hapet kinemaja e Ersekës e cila do jetë e administruar nga bashkia.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Kolonjë dhe cilat janë ato?

Fokusi i punës sonë të deritanishme ka qenë dhe do të jetë deri më 21 qershor identifikimi i problematikave të zonës, bashkëbisedimi me qytetarët, hartimi i një programi konkret, hartimi i planeve për t’i vënë këto pika në zbatim pas mandatimit tim në krye të bashkisë së Kolonjës.

Sigurisht që puna nuk mund të bëhet i vetëm, ndaj edhe ndarja e re territoriale është e strukturuar me administratorë të njësive administrative, të cilët do caktohen vetëm përmes kritereve të profesionalizmit, eksperiencës, dinjitetit dhe integritetit, përmes një procesi transparent të bazuar mbi konsultimin me banorët e këtyre njësive administrative.

Këta njerez do të administrojnë këto njësi, ndaj do të jenë vetë njerëzit e këtyre njësive që do të kenë zerin kryesor të caktimit të administratorëve bazuar mbi integritetin dhe aftësitë menaxhuese që ata kanë.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Mënyra ime e të drejtuarit do të jetë duke shërbyer me zemër dhe duke drejtuar me mendje. Do kemi konsultime të vazhdueshme me banorët e zonave urbane dhe rurale. Do merret mendimi i tyre mbi problematikat dhe prioritetet në mënyrë që bashkë me ta të caktohen dhe prioritetet dhe ndarja e buxhetit.

Do të tregojmë transparencë të plotë: çdo qindarkë e shpenzuar pa konsultimin me njerëzit, edhe nëse për qëllimin e mirë, nuk ka asnjë vlerë. Bashkia do të shërbejë si institucioni ku zgjidhen dhe jo krijohen problemet.

Çdo vendim që prek drejtëpërdrejt qytetarët nuk do të merret pa u konsultuar me ta në seanca konsultimi të rregullta. Shtresat në nevojë dhe grupe të tjera të neglizhuara do të jenë të përfaqësuara me personel të dedikuar për ta.

Bashkia nuk do të fillojë dhe as do të mbarojë në godinën ku janë zyrat, por do të jetë ekzistuese në çdo pjesë të territorit të saj, me takime dhe konsulta të programuara, si dhe me programe ndihme.

Bashkia do të jetë garantuesja dhe mbrojtësja e çdo banori. Do të ngrejmë zyrat e informimit dhe konsultimit me publikun. Qytetari nuk do të jetë në funksion të bashkisë, por bashkia në shërbim të qytetarit.

Çfarë politikash do të ndiqen për të harmonizuar nevojat dhe zhvillimin e dy zona të ndryshme si ajo e Kolonjës dhe Leskovikut?

Erseka dhe Leskoviku kanë disa probleme të përbashkëta, siç është punësimi, uji i pijshëm, ekonomia, infrastruktura dhe angazhimi social i rinisë.

Siç e thashë dhe me lart, vetëm në dy vitet e para do të gjenerojmë 500 vende pune. Gjitashtu, do të kujdesemi për sigurimin e standardeve jetike siç është uji i pijshëm. Ne jemi një zonë e pasur me ujë por kemi vështirësi për ujin e pijshëm. Kjo situatë do të ndryshojë. Ndaj ju siguroj që brenda viteve të para të drejtimit, Kolonja nuk do ketë më problem me ujin e pijshëm.

Gjithashtu, si për Ersekën ashtu edhe për Leskovikun, Bashkia do të jetë e përqendruar në zhvillimin ekonomik. Do të ngrihen zyrat e projekteve dhe të politikave të zhvillimit për Ersekën, Leskovikun dhe të gjitha zonat e tjera përreth.

Do të nxitet zhvillimi më i shpejtë i sektorëve të ekonomisë që janë tashmë të njohura për Ersekën dhe Leskovikun dhe në mbarë zonën e Kolonjës dhe do të kërkohet të eksplorohet me tregëtinë, bujqësinë dhe turizmin.

Një prioritet tjetër është rinia e Leskovikut dhe e Ersekës. Bashkia e pas 21 Qershorit do të shërbejë si streha dhe promotorja e filozofisë europiane tek të rinjtë. Do të ngrihet qendra e formimit profesional të të rinjve me kurse dhe trainime në fushat më të nevojshme për zonën, si: anglisht, kompjuter, turizëm, etj.

Bashkia do të hartojë programe nxitjeje me bursa për rininë e Leskovikut dhe Ersekës, me qëllim rritjen e numrit të specialistëve. Gjithashtu, bashkia do të nxisë idetë e të rinjve për zhvillimin e zonës duke mbështetur financiarisht projektin më të mirë me impakt në jetën e banorëve të zonës. Një bashki që do të sigurojë kushte të denja për rininë e sotme dhe të vendosë standarde për rininë e së ardhmes.

Gjithashtu, për Ersekën dhe Leskovikun do të synojmë Zhvillimin e një Turizmi të Qendrueshëm. Bashkia e re do të ndërtojë strategjinë e një turizmi të qendrueshëm i cili do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë e zones.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetejeve urbane në të gjithë bashkinë?

Unë besoj që mjedisi është një sektor jetik për banorët e Kolonjës ndaj unë jo vetëm që e kam pjesë të programit tim, por do e zbatoj me përpikmëri çdo premtim timin.

Përveç zotimit tim politik dhe qytetar, drejtuesi i bashkisë e ka për detyrë ligjore dhe funksionale të mbrojë mjedisin e zonës që administron. Kryetarët e njësive të qeverisjes vendore janë përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve që krijohen brenda territorit të tyre administrativ (referuar dhe Ligjit 10463 dt.22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” pikës 12 të nenit 21).

Për këtë arsye, largimi i mbetjeve dhe pastrimi i qytetit do të bëhet sipas mënyrës europiane: pastrim – riciklim – depozitim.

Cila do të jetë mbështetja e bashkisë së re gjatë katër-vjeçarit të ardhshëm për zhvillimin e qendrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë zonë?

Do të ngrejmë qendra trajnimi dhe informimi për fermerët, asistencë për aplikime në programet ndihmëse të bujqësisë.

Do të ofrojmë projekte dhe politika stimuluese. Do të mbështesim me rigorozitet fermat blegtorale dhe do të përqendrohemi në zhvillimin e agroturizmit.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit malor dhe kulturor në këtë bashki gjatë këtij mandati?

Bashkia e re do ta ofrojë turizmin e zonës si një paketë për turistët vendas dhe të huaj e cila do të bazohet mbi agro-turizmin, turizmin historik, dhe atë malor.

Kolonja është Djepi i Rilindjes shqiptare. Si e tillë ne do të synojmë që me anë të ngritjes së monumenteve dhe restaurimit apo ndërtimit të muzeve dhe statujave të rilindasve të shquar të thithim vizitorë nga të gjithë shkollat e Shqipërisë në mënyrë që të zhvillojnë vizita edukative dhe kombëtare.

Në shërbim të turizmit do të ngrihen pika të informimit për vizitorët dhe turistët, në zona të ndryshme me potencial të lartë turistik.

Cilët hapa do të ndërmerrni lidhur me mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve të zonës?

Fatkeqesisht, disa zona pyjore të Kolonjës janë degraduar rëndë për shkak të prerjeve të paligjshme dhe abuzimeve të tejskajshme në periudhen 2005-2013.

Në bashkëpunim me specialistë të Ministrisë së Mjedisit kemi bërë një analizë të gjendjes së pyjeve në këtë zonë dhe sezonin e ardhshëm të mbjelljeve do të nisë rehabilitimi dhe mbjellja e fidaneve në zonat e degraduara. Ne do i sjellim natyrës kolonjare bukurinë që ka patur dikur.

Rrethi i Kolonjës ka edhe një rrjet të zonave mbrojtura të cilat fatmirësisht janë në gjëndje të mirë, si p.sh: Banjat e avullit të Postenanit, Kanioni i Virkës, Shpella e Podës, Bokrimat e Piskalit, Ujëvara e Rehovës, Burimet termale të Vromonerit, Liqeni akullnajor Gramoz, të cilat ne do t’i ofrojmë si pjesë e paketës turistike.