Interview14 Jun 2015

Ardjan Turku: Vizioni im për Elbasanin

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e re Elbasan premton ulje taksash, shlyerje borxhesh te bashkisë dhe zhbllokimin e sektorit të ndërtimit.

Author: Bardha Nergjoni BIRN Elbasan
Print

Adrian Turku

Adrian Turku

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Elbasanit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Jam kundër konceptit problemi më i madh apo më i vogël. Pushteti lokal ka një diapazon të madh funksionesh dhe problematikash ku asnjëra nuk mund të neglizhohet. Me ato duhet përballje frontale për zgjidhje. Prioritetetet vendosen vetëm në varësi të kapaciteteve financiare mbështetëse. Nisur nga shkalla e lartë e varfërisë dhe e papunësisë, zhvillimi ekonomik është prioritet. Edhe pse duket si sipërmarrje tej mundësive të bashkisë, besoj se hapat e mëposhtëm janë në favor të këtij komponenti të munguar nga niveli qendror:

Politikat fiskale vendore me ulje të taksave dhe tarifave, brenda kornizave ligjore, në favor të biznesit dhe shtresave në nevojë.

Balancimi i buxhetit të bashkisë, larja e borxheve, ulja e shpenzimeve dhe rritja e investimeve.

Bashkëpunim me partnerë dhe studime për orientimin e biznesit.

Hartimi i planit të përgjithshëm vendor, planit të detajuar dhe rregulloreve përkatëse për zhbllokimin e sektorit të ndërtimit.

Shfrytëzimi i çdo hapësire ligjore dhe mundësie për politika sociale.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Elbasanit?

Riparimi i rrugëve aktuale të asfaltuara, aktualisht të degraduara. Në qytet dhe qendra komunash.

Ndërtimi i 5 KUZ-ve, aktualisht shumë emergjente.

Ndërhyrje për furnizimin me ujë të pijshëm në pesë fshatra problematike dhe disa zona të qytetit.

Ndërhyrje pjesore në disa godina shkollore dhe projektimi i tre shkollave të reja.

Ndërhyrjet e tjera, të detajuara sipas radhës, përfshirë edhe investimet e reja do të përcaktohen nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Elbasan dhe cilat janë ato?

Kriteret për integritetin moral, qytetar dhe profesional janë kryesore.

Aftësitë menaxheriale dhe komunikimi me publikun gjithashtu.

Në çdo rast do të respektohet baza ligjore.

Performanca në rritje, në vazhdimësi e monitoruar është kusht për administrim të suksesshëm.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Seancat për mbledhje mendimesh për strategjitë sektoriale dhe për planifikimin e territorit.

Takime me grupe interesi.

Buxhetimi me pjesëmarrje.

Transparencë e drafteve para vendimmarrjes etj.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura industriale? Cilat vatra ndotjeje do të kenë më shumë prioritet? Çfarë hapash do të ndërmarrë bashkia për pastrimin dhe monitorimin e brigjeve të lumit Shkumbin nga mbetjet e rrezikshme industriale?

Problematikat janë shumë të rënda, sidomos e territorin e Bradasheshit. Në dijeninë time, të tilla vatra kërkojnë ekspertizë dhe financa që tejkalojnë mundësitë e pushtetit lokal. Bashkëpunimi me qeverinë dhe partnerë të tjerë, mbetet thelbësor.

Pastrimi i brigjeve të lumit Shkumbin dhe dy përrenjve është domosdoshmëri.

Mbyllja dhe konservimi i fushës së mbetjeve urbane, si një vatër e rrezikshme.

Çfarë premtoni se do të bëni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me mirëfunksionim e landfillit të ri dhe rehabilitimin e zonës së landfillit të vjetër të qytetit? Si do të organizohet dhe menaxhohen mbetjet urbane në të gjithë zonën e bashkisë së re?

Sapo ka filluar ndërtimi i impiantit të djegies së mbeturinave dhe afërsisht do të duhen dy vjet të mbarojë. Me shpresën se kjo sipërmarrje është filluar mbi baza të drejta ligjore dhe oponencë mjedisore, do të kërkoj transparencën e plotë dhe mbështes e monitoroj ecurinë në afate, që të vihet në eficencë sa më parë.

Mirëmbajtja e landfillit ekzistues dhe evadimi e rikuperimi i zonës pas vënies në punë të impiantit, do të ketë vëmendjen e një plani veprimi të veçantë.

Do të fillojë shërbimi i pastrimit në qendrat e komunave kryesore dhe gradualisht zgjerimi i tij drejt fshatrave me dendësi më të lartë banimi, përgjatë mandatit.

Në qytetin e Elbasanit, do të shtrihet dhe përmirësohet në zëra plotësues ky shërbim.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni në ndihmë të familjeve në nevojë gjatë këtij mandati? Në cilën mënyrë do të mbështesë bashkia qendrat sociale në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar dhe të moshuarve dhe a do të ngre bashkia e re qendra për këto grupe nën administrimin e saj?

Për familjet në nevojë të hequra nga skema e përfitimit të ndihmës ekonomike, do të insistohet rikthimi i tyre në skemë.

Do të shfrytëzohet maksimumi ligjor i lejuar për këtë qëllim nga buxheti i pavarur i bashkisë.

Do të mbështeten në maksimumin e mundshëm financiarisht dhe me projekte e bashkëpunime.

Ngritja e qendrave?! Përse jo, nëse do të ketë mundësi financiare. Aktualisht, buxheti nuk lejon.

Gjatë këtij mandati, ne cilin drejtim do i jepni prioritet zgjerimit të qytetit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për zgjerimin e zonave të gjelbëruara?

I kam dorëzuar kryetarit aktual që në vitin 2007 kur mori detyrën, planin rregullues të qytetit, i cili bën ndarjen në 38 zona funksionale dhe 149 nënzona. Aty janë përcaktuar mbi bazën e analizave të thelluara e profesionale edhe shtrirjet perspektive sipas destinacionit funksional. Besoj se plani i ri i përgjithshëm vendor do të rikonfirmojë afërsisht të njëjtat gjëra.

Për zonat e gjelbra: Rehabilitimi me gjelbërim i zonave të mbetura të qytetit përfshirë rrugët; parashikohen tre fasha të gjelbra përgjatë lumit Shkumbin dhe dy përrenjve, të Zaranikes dhe Manazderes; realizimi përfundimtar i parkut të madh të Krastës me shtim të gjelbërimit.

Cila do të jetë politika e bashkisë gjatë mandatit të ardhshëm në ndihmë të komunitetit rom të zonës? Si do të lehtësohen problematikat e tyre lidhur me arsimimin, strehimin, ndihmën ekonomike, etj.?

Bashkëpunim i plotë me shoqatat përkatëse dhe fuqizim i tyre me anë të mbështetjes.

Konsolidimi i mëtejshëm i eksperiencave të deritanishme.

Projekte me partneritete brenda dhe jashtë vendit në aspekte të ndryshme, sidomos për arsimimin e fëmijëve.

Ndërhyrje urbanizuese në lagjet përkatëse.