Interview1 Jun 2015

Arif Tafani: Legjenda e ujit të pijshëm do të marrë fund në Belsh  

Kandidati i së majtës për bashkinë e Belshit premton zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm brenda mandatit 4-vjeçar dhe një sërë projektesh në infrastrukturën rrugore dhe arsimore.

Author: Bardha Nergjoni BIRN Belsh
Print

Arif Tafani

Arif Tafani

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Belshit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Në fakt unë do rendisja dy probleme kryesore të cilat kërkojnë ndërhyrje të shpejtë:

1-Problemi kryesor është legjenda e ujit, furnizimi me ujë të pijshëm i  popullatës. Ujësjellësi i ndërtuar në 1988 është  në gjendje tejet të amortizuar dhe ka lidhje apo ndërhyrje të paligjshme. Hapi i parë sapo ujësjellësi të kalojë në pronësi të bashkisë Belsh, pra që vitin e parë, do të jetë shkëputja në gjithë rrjetin, në atë kryesor po ashtu dhe në rrjetin shpërndarës, të këtyre  lidhjeve të paligjshme. Me këtë operacion i cili nuk kërkon shumë  shpenzime por vullnet dhe guxim për t’i çuar gjërat në fund pa seleksionime, ne do ta përmirësojmë ndjeshëm furnizimin me ujë të popullatës. Zgjidhja përfundimtare është rikonstruksioni i  plotë i ujësjellësit, projekti i të cilit është gati, me një vlerë totale 18 milionë euro, zbatimi i të cilit do të zgjidhe njëherë e mirë legjendën e ujit të pijshëm të zonës së Dumresë.

2- Problemi i ujit të vaditjes

Dikur  pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës  vaditej, nëpërmjet  një rrjeti  të plotë kanalesh vaditëse pothuajse në të gjithë liqenet e Dumresë, gjatë këtyre viteve të tranzicionit falë marrëzisë së përgjithshme që pushtoi shqiptarët  në vitet e para  pas  përmbysjes së sistemit komunist si dhe mungesës së vëmendjes  së qeverive, ky rrjet vaditës u shkatërrua plotësisht. Qeveria Shqiptare më në fund pas 25 vjetësh ka filluar t’i kthejë sytë nga bujqësia dhe e ka kuptuar se është i vetmi sektor  me potenciale të mëdha prodhuese. Në zonën e Dumresë ka filluar të ndihet ky kujdes pasi ka filluar të jetësohet projekti i parë, ai i rehabilitimit të veprës vaditëse të liqenit të Cestijës nga realizimi  i të cilit futen nën ujë dhjetëra hektarë tokë bujqësore.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Belshit?

  • Sistemim-asfaltimi i rrugës Marinëz-Dragot.
  • Projekti i qendrës së qytetit dhe i kurorës së liqenit të Belshit.
  • Rikonstruksioni i gjimnazit Belsh.
  • Ndërtimi i qendrave shëndetësore në të gjithë fshatrat ku ato mungojnë.
  • Ndërtimi  rrjetit të KUZ në fshatrat  Deshiran, Guras, Dragot fermë, Kosovë, Cerragë etj.
  • Futja shërbimit të pastrimit, gjelbërimit  dhe menaxhimit të mbetjeve  në të gjithë bashkinë.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Belsh dhe cilat janë ato?

Kriteret për emërimin e administratorëve të rinj do të jenë me arsim të lartë, specialistë, me personalitet, integritet, të përgjegjshëm e të përkushtuar.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Objektiv kryesor në fillimin e mandatit do të jetë ngritja e bordeve qytetare. Konsultimi me publikun për  buxhetimin, planifikimin e territorit, për  përcaktimin e radhës së investimeve do të jenë parimet e mia për të përfshirë komunitetin në vendimmarrje. Bashkia do të ndërmarrë një fushatë për informimin e publikut për të inkurajuar pjesëmarrjen, shpallja e shqyrtimit publik në së paku tre gazeta të përditshme e mjete të tjera të informimit  së paku 10 ditë para shqyrtimit publik. Komunitetet punojnë bashkë me qeverisjen lokale për të rënë dakord se si të shpenzojnë në mënyrë sa më efikase burimet  e qeverisjes lokale. Buxhetimi me pjesëmarrje kërkon angazhimin e qytetarëve në të gjitha fazat e ciklit buxhetor. Do të bëjmë të mundur identifikimin  e  investimeve  kapitale. Po kështu do të bëhet përgatitja e studimeve vlerësuese në mbështetje të këtyre investimeve. Duke ndjekur si hapa përgatitjen e një projekt buxheti për ta dorëzuar nëpërmjet kryetarit në këshill, mbikëqyrjen e procesit të aprovimit në këshill. Do të ketë edhe një monitorim tëprokurimeve dhe një monitorim dhe vlerësim të ekzekutimit të punëve publike.

Cili është afati kohor brenda të cilit premtoni se do të zgjidhni përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pishëm të qytetit të Belshit?

Problemi  i ujit të pijshëm do të zgjidhet  brenda mandatit  4-vjeçar, zbatimi i projektit te ujësjellësit  të Dumresë, do të bëj të pamundurën duke kërkuar me forcë pranë qeverisë mbështetjen e të cilës e kam, por edhe organizatave dhe donatoreve  të huaj për sigurimin e fondit për  ndërtimin e tij.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale, veçanërisht garantimit të ujit për vaditje dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese?

  • Hartimi i projekteve të sistemim-asfaltimit të të gjitha rrugëve të fshatrave, këmbëngulja për realizimin e tyre.
  • Hartimi i projekteve të K .U. Z të fshatrave e realizimi.
  • Hartimi i projekteve të rehabilitimit të veprave ujitëse, rrjetit të kanalizimeve, ato me rrjedhje të lirë fillimisht, e më pas dhe elektropompave.
  • Mirëmbajtja e kanaleve kulluese ishte detyrë e njësive aktuale, të cilat me mjetet e tyre ose në bashkëpunim me institucionet e tjera mund ta kishin realizuar por që asnjëherë nuk e bënë, do të jetë në qendër të vëmendjes sime që vitin e parë pasi unë jam në profesionin tim kur behet fjalë për kullimin dhe vaditjen dhe e di shumë mirë rëndësinë e tyre.

Nëse ju zgjidheni kryebashkiak, a do të ketë bashkia e re një plan veprimi gjatë këtij mandati në ndihmë të grumbullimit dhe tregtimit të duhanit të zonës? Nëse po, cila është ajo?

Pike se pari do thosha se në Dumre nuk është vetëm problem i duhanit, por dhe prodhimet e tjera duan të njëjtin kujdes dhe trajtim, vreshtat e rrushit, të ullirit, blegtoria etj.  Në sinkron të  plotë  me politikat kombëtare të qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, do të punoj për implementimin e politikave të rajonizimit dhe specializimit të bujqësisë, pasi vetëm kështu fermeri belshak mund të prodhojë për të dalë fuqishëm në treg.

Objektivat e mia janë për:

Fuqizimin dhe zgjerimin  e shoqatës së duhanit, asistencën me specialistët e bashkisë dhe të studiove të specializuara në lidhjen e kontratave me fermerët, pasi këtu fillon hileja e subjektit që grumbullon duhanin e zonës, duke punuar fort për të bindur fermerët për nënshkrimin e kontratës kolektive me shoqatën, pasi kështu të drejtat e prodhuesit mbrohen më mirë e më me forcë.

Ndërtimin e tregut  bujqësor në Belsh, ndërtimin e një frigoriferi  të madh për ruajtjen e prodhimeve deri në shitje, ngritjen e shoqatave të tjera si  dhe vreshtarëve, ullirit, blegtoreve, etj. Nxitjen e tyre që  brenda kuadrit ligjor të veprojnë  edhe si subjekte tregtare në sigurimin e inputeve bujqësore, farërave, fidanëve, pesticideve, plehrave, të mekanikes bujqësore, etj. Do të jem avokat mbrojtës  i  fermerëve pranë qeverise  dhe institucioneve të tjera për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane dhe ujërave të ndotur?

Që në vitin e parë të mandatit  do të vendosim koshat  e mbeturinave, do të fus për herë të parë shërbimin e tërheqjes  se mbetjeve urbane dhe mirë-menaxhimin e tyre në të gjithë territorin e bashkisë Belsh, shërbim i cili sot mungon.