Interviste16 Qer 2015

Artur Bardhi: Vizioni im për Kurbinin

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e re Kurbin paraqet premtimet e tij në rast se bëhet kryetar bashkie.

Autor: Lindita Çela BIRN Laç
Printo

Artur Bardhi

Artur Bardhi

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Kurbin dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Punësimi për vetë specifikën që ka qyteti i Laçit dhe e gjithë zona e Kurbinit është çështja më madhore që na shqetëson dhe na detyron të mendojmë në të ardhmen për zgjidhje.  Mendojmë të hapim kurse të formimit profesional si: makinist, fasonët,  nisur nga fakti që ka kërkesa të shumta për këto profesione.  Për të ulur numrin e papunësisë ne do të shohim mundësitë e përkrahjes për bizneset fasone, industrisë së lehtë dhe të përpunimit, aktivitet bujqësore dhe blegtorale dhe hoteleri – turizëm.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Kurbin?

Përmirësimi i infrastrukturës së rrugore,  përmirësimi i rrjetit  të Shpërndarjes së Ujësjellës – Kanalizime. Brenda vitit të parë të mandatit tim do të hartoj planin e përgjithshëm vendor për njësinë e re të bashkisë. Do të ndërhyjmë në rruga Sanxhak – Superstradë, me gjatësi prej 3.4 km, ku është  planifikuar që punimet të fillohen në muajt Qershor – Korrik 2015. Do të ndërhyjmë në  Unazën  e Kampit, që përfshin, ujësjellës, sistemim, asfaltim, ndriçim të rrugës.  Do të bëhet sistemim i lagjes nr. 3 e qytetit të Laçit, do të  rikonstruksion ujësjellësit tek Shkolla Sanxhak,  brenda Qershorit . Po gjatë vitit të parë ta mandatit janë planifikuar: Sistemim asfaltim i rrugës së Varrezave Sanxhak; sistemim i pjesshëm i Përroit Laç; sistemim asfaltim i rrugës Mal Bardhe deri tek Kisha; ndërtim i Urës në rrugën e Gallates në Skuraj; sistemim asfaltim i rrugës Ish Reparti i Tankeve; sistemim asfaltim i rrugës Stacioni i Trenit Laç –  Uzina e Superfosfatit; sistemim asfaltim nga Teqja- Shullaz deri në Fushë -Shullaz, punimet parashikohen të kryhen brenda vitit 2018. Po gjatë dy viteve të fundit të mandatit janë parashikuar punimet në ;sistemim asfaltim të rrugës së Cakonvë deri tek lagjja e Bonifikimit ;    sistemim asfaltim i rrugës Skuraj – Gallatë. Gjatë  vitit të parë të mandatit do të bëjmë  rehabilitim dhe sistemimin e Tregut Rajonal të Milotit. Do të  ndërtojmë godinën e re të bashkisë Kurbin për afrimin e shërbimit më afër komunitetit. Po kështu do të ndërhyjmë në rrjetet e ujësjellësit si : nga Hekurudha Sanxhak – Kotecet e Fermes; nga Fabrika e vajit – Fushe Gjorem. Do të ndërtojmë rrjet shpërndarës i ujësjellësit në Zheje.

Po ashtu, krijimi i terreneve sportive dhe ambienteve argëtuese për komunitetin do të jetë një nga prioritetet tona. Ndaj kemi planifikuar ngritjen e ambienteve për argëtimin e fëmijëve si terrene sportive dhe kënde lodrash. Do të rikonstruktojmë  Kopshtit nr. 1 Laç. Do të ndërtojmë  shkollën  e Mesme Mamurras si dhe do të bëjmë rikonstruksionin e shkollave në Laç, Sanxhak, Gallatë.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Kurbin dhe cilat janë ato?

Kriter i vetëm  i rekrutimi do të jetë  profesionalizimi dhe arsyeja e vetme e shkarkimit të tyre do të jetë paaftësia dhe mos dhënia e rezultateve në punë.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Këshillimi, takimi publik me të gjithë grupet e interesit. Para çdo vendimmarrje që prek drejtpërdrejtë apo tërthorazi grupet e interesit do të organizohen takime dhe konsulta publike dhe do bëhet një përmbledhje e të gjithë vërejtjeve apo propozimeve të cilat më tej do pasqyrohen ne vendimet përfundimtare. Eksperienca e viteve të kaluara do shfrytëzohet pozitivisht për funksionimin sa më efektiv të marrëdhënieve me publikun dhe grupet e interesit.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për të pastruar mjedisin dhe për të zhvilluar turizmin në zonën e Patokut?

Rrethi i Kurbinit ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit fetar, malor, bregdetar dhe historik. Laguna e Patokut do jetë prioritet për hartimin e një plani strategjik,  zhvillimi me prioritet do jetë rikthimin e shfrytëzimit të plazhit të Patokut.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit parë të mandatit tuaj për të zhvilluar bujqësinë, për të parandaluar përmbytjet dhe për të siguruar vaditjet në fshatrat e bashkisë Kurbin?

Si një nga difektet kryesore të zhvillimit të bujqësisë do jetë mundësimi brenda një viti pastrimi dhe vënia në efiçencë të plotë e kanaleve të kullimit, për të përballuar përmbytjet dhe kullimet e tokës. Po brenda vitit të parë do bëjmë të mundur vënien në efiçencë të kanaleve të para dhe të dyta të vaditjes, ndërsa gjatë vitit të dytë kanalet e treta dhe të katërta. Krijimin e një qendre të grumbullimit të prodhimeve bujqësore në afërsi të autostradës Tiranë – Shkodër, do të jetë një synimet tona të cilin mendojmë se do ta  realizojmë në sajë të bashkëpunimit dhe nxitjes së bizneseve.

Në qytetin e Laçit ka shqetësim të veçantë për praninë shumë të madhe të dyqaneve të lojërave të fatit. A keni ndonjë plan për kufizimin e pranisë së këtyre aktiviteteve me pasoja të rënda sociale? Nëse po, çfarë dhe brenda çfarë afatesh?

Realizimi i objektivave dhe synimeve tona të lartpërmendura do të minimizojë mundësinë e krijimit të varësisë të të rinjve në këto pika të lojërave të fatit. Vlen të përmendet që shumica prej këtyre janë mbyllur në aksionin e fundit të ndërmarrë nga policia e shtetit.