Interview31 May 2015

Artur Bushi: Një vizion të qartë për punësimin

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Krujë, Artur Bushi, shprehet se Kruja ka disa probleme madhore që kërkojnë ndërhyrje emergjente, ku kryesori është papunësia.

Author: Lindita Çela BIRN Krujë
Print

Artur Bushi

Artur Bushi

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Krujë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Bashkia Krujë me formatimin e ri, me një shtrirje të gjerë territoriale dhe me një popullsi prej 85.000 banorësh, ka disa probleme madhore që kërkojnë ndërhyrje emergjente. Një prej problemeve, ndoshta më kryesori, është punësimi për të cilin ne kemi një vizion të qartë dhe të realizueshëm. Në kuadër të bashkisë se madhe, tashmë mundësia e thithjes se investimeve të huaja dhe vendase në zona të caktuara, sipas specifikave të tyre karakteristike, si në bujqësi, blegtori dhe industri të lehtë, është më e madhe.

Në zonën e Nikles, industria e përpunimit të drurit ka rezultuar e suksesshme dhe do të ketë mbështetje nga Bashkia përsa i përket barrës fiskale vendore, promocionit të vazhdueshëm të saj me qëllim formimin e një tregu mbarëkombëtar që do i jepte një impuls zhvillimit të kësaj industrie dhe punësimit të specialistëve dhe punonjësve me kualifikime të ndryshme. Kjo gjë do të vlente dhe për qytetin e Krujës, nga ku dhe ka lindur kjo industri në rrethin tonë. Njëkohësisht do të bëhet i mundur edhe kualifikimi i të rinjve për marrjen e zanatit të marangozit, tapicierit, etj.

Në zonën e Bubqit duhet të stimulohet patjetër bujqësia duke parë karakteristikat e zonës, të fushave dhe kodrinave pjellore, dhe me prani të ujit dhe lumenjve. Thithja e investimeve dhe projekteve për bujqësinë nga fondet e Komunitetit Europian do i jepte një zhvillim bujqësisë dhe pemëtarisë në këtë zonë dhe njëkohësisht do të shtonte mundësinë e punësimit për vendasit. Ndërtimi i kooperativave moderne, duke u përqendruar në prodhimet specifike për të cilat kjo zonë njihet, siç janë drithërat. Gjithashtu, ulliri, si simbol i Krujës, dhe përpunimi i vajit të tij i cili është me një cilësi të rrallë do të ishte një pistë e mirë investimi, ç’ka do të jepte mundësi për punësim sezonal.

Në zonën e Fushë-Krujës do të stimulohet dhe mbeshtetet biznesi i vogël dhe i mesëm tregëtar, duke patur parasysh pozicionimin e qytetit të Fushë- Krujës. Duhet bërë një studim përsa i përket pjesës së rrugës kombëtare Fushë-Kruje – Lezhë, për shndërrimin e saj në një zonë të fuqishme tregëtare, të ngjashme me autostradën Tiranë-Durrës. Gjithashtu Fushë-Kruja është e përshtatshme edhe për zhvillimin e biznesit fason, i cili tashmë është një traditë në Krujë dhe në Fushë-Krujë dhe ka specialistë të shumtë që mund të punësohen. Për biznesin fason do të shihet edhe mundësia e hapjes së një shkolle profesionale brenda biznesit.

Përsa i përket industrisë së rëndë, në territorin tonë ushtrojne aktivitetin dy fabrikat më të mëdha në Shqipëri të prodhimit të çimentos dhe lejimi i një investimi tjetër madhor në zonën tonë do të ishte i tepërt dhe do ta kthente Bashkinë e Krujës nga një bashki me objektiv të qartë zhvillimin e turizmit në një zone industriale. Ajo që mund të bëjmë ne me këto kompani është bashkëpunimi për rehabilitimin e zonave të dëmtuara të Krastës së Krujës, si edhe bashkëpunimi për punësimin e të rinjve të kualifikuar me banim në bashkinë e re.

Në zonën e Thumanës dhe Cudhisë do të stimulojmë zhvillimin e sektorit të blegtorisë, pasi bujqësia në zonë mund të rezultojë problematike për shkak të pranisë së fabrikave të çimentos dhe në malësi për shkak të terrenit të papërshtatshëm për zhvillimin e saj. Blegtoria e shoqëruar me ndërtimin e baxhove në këtë zonë mund të rezultojë mjaft e dobishme për zhvillimin e këtyre zonave. Gjithashtu, në kufinjtë e zonës së Thumanës mund të bëhet një studim për përshtatjen e biznesit të prodhimit të gëlqeres, si një traditë e zonës së Krujes në fakt, por që mund të jetë shumë më pak e dëmshme si për shëndetin e njerëzve ashtu edhe për mjedisin dhe zhvillimin e turizmit të Krujës, duke u spostuar në një zonë periferike dhe të izoluar por që do të punësonte një masë të madhe punëtorësh të kualifikuar ndër vite tashmë në këtë industri.

Një mënyrë tjetër për të rritur numrin e të punësuarve, që është një problem në zonë është edhe turizmi. Krujës nuk i mungojnë turistët, por i mungon promovimi. Ne do të përdorim të gjitha mënyrat për ta arritur këtë gjë duke filluar nga reklamimi me anë të guidave turistike dhe afishimeve në zonat e pushimit dhe deri në kërkimin e promovimit të Krujës jashtë kufinjve. Gjithashtu organizimi i kurseve me të rinjtë për guida turistike, që të mos përfshijnë vetëm historinë brenda qytetit, por historinë e çdo skaji dhe bashkëpunimi me agjensitë turistike. Përveç siteve turistike të shumta, resurset e Krujës janë të mëdha edhe për turizmin malor, ku Mali i Krujes, Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës, etj, ku kemi një infrastrukturë të rregulluar tashmë por që kërkon mirëmbajtje dhe pajisje me sinjalistikën e duhur për turistët.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe potencialin e Krujës për një turizëm të fuqishem religjioz, pasi Kruja si një qendër e bektashizmit në Shqipëri dhe jo vetëm paraqet një pafundësi mundësish në këtë fushë. Ne do të bashkëpunojmë me agjensitë turistike jo vetëm për promovimin e Krujës si qytet historik, jo vetëm për turistët ditor, por dhe për qëndrimin e tyre disa ditor, sepse duke ndenjur një apo disa ditë aty, rritet kërkesa për funksionimin e shtretërve dhe restoranteve. Për të stimualuar këtë ne do të krijojmë mundësinë e kredive të buta për këta sipërmarrës, ku Bashkia do të ndërmjetësojë për rregullimin e aktiviteteve egzistuese.

Problem tjetër madhor i bashkisë Krujë është riorganizimi i ujësjellësve me qëllim furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm të banorëve. Ky është një problem i hershëm që është agravuar nga administrimi i copëzuar dhe korruptiv që kanë ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në Krujë. Kruja ka marrë projekte ndër vite për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, por kanë rezultuar pa efekt për shkak të korrupsionit dhe menaxhimit të dobët. Në bashkëpunim me Qeverinë dhe ministritë e linjës, ne do të bëjmë të mundur konkretizimin e reformës në ujësjellësa përsa i përket administrimit, ndërkohë që do të kërkohen me ngulm projekte për investime në këtë sektor, pasi Kruja është një nga zonat më të pasura me burime të ujit të pijshëm në Shqipëri. Me një investim të madh dhe të mirëmenduar mund të zgjidhet njëherë e mirë problemi i ujit të pijshëm për Krujë, dhe jo vetëm. Mund të përmendim burime të bollshme si Maja e Bogdanit, Qafë- Shtama etj, çka do të bënin të mundur edhe furnizimin e malit të Krujës me ujë të pijshëm, si një destinacion i fuqishëm turistik.

Problem tjetër që ekziston në Krujë dhe njësitë e tjera egzistuese, është sistemimi dhe përpunimi i mbetjeve urbane, kryesisht për shkak të menaxhimit të copëzuar dhe korruptiv, por edhe të mungesës së landfilleve për depozitimin e mbetjeve. Gjate viteve i është bërë një dëm i pariparueshem lumenjve dhe luginave malore të rrethit duke e ndotur ambjentin dhe shëndetin e popullatës në mënyrë katastrofike. Ndërtimi i një landfilli për bashkinë e re të Krujës do të jetë një nga prioritetet tona madhore dhe do të ishte një zgjidhje permanente e këtij problemi. Ne do të lobojmë për marrjen e një investimi madhor. Landfilli, pasi të bëhet një studim i mirëfilltë mjedisor, mund të ndërtohet në zonat më pak të pupulluara të bashkisë së madhe si, në periferi të ish komunës Bubq ose komunës Thumanë.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë Krujë?

Infrastruktura do të ketë vëmendjen tonë kryesore dhe një zotim i yni do të jetë ndërtimi i dy akseve kryesore të bashkise se re, përveç akseve dytësore dhe rurale, të cilat do të evidentohen me ndihmën e eksperteve dhe do të sistemohen. Të gjitha këto punime do të kryhen me cilësinë dhe garancinë e duhur, në mënyrë që të mos jetë e nevojshme ndërhyrja pas një distance të shkurtër kohe, siç ka ndodhur rëndom deri më sot. Do jenë investime që do të durojnë në kohë dhe kjo do të bëhet e mundur jo vetëm me cilësinë e punimeve por edhe me garantimin e mirëmbajtjes së vazhdueshme.

Rruga e re, Krujë-Tiranë dhe aksi Fushë-Krujë – Thumanë, ish rruga e veriut, do të jenë prioritet për ne përsa i përket infrastrukturës, çka do përbënin një hop në zhvillimin ekonomik të zonës.

Një ide tjetër por afatgjatë, është zgjerimi i sheshit të stacionit të autobusëve dhe krijimi i parkimeve pa pagesë, me disa kate. Ky do të jetë një projekt bashkëkohor i cili do i kthejë qytetit pamjen që meriton. Do të shikohet mundësia e parkimit të autobuseve në kryqëzimin e rrugës së Qafë-Shtamës, në mënyrë që asnjë autobus turistik të mos ngjitet në qendër.

Në synimet tona është ndërtimi i një shkolle të re për çdo ish njësi, për të mundësuar lehtësimin e mësimdhënies dhe shmangien e shkollës me turne. Ne do të përmirësojmë ndjeshëm sistemin paraarsimor të çerdheve dhe kopshteve në të gjithë bashkinë Krujë. Kjo do të shoqërohet edhe me ndërtimin e kopshtëve të tjerë sidomos në zonat rurale dhe rikonstruksionin e kopshteve dhe çerdheve egzistuese në Krujë dhe Fushë-Krujë. Do bëjmë të mundur realizimin e investimeve të dërguara nga Ministria e Shëndetësisë për ndërtimin e të paktën 10 ambulancave të reja të domosdoshme në bashkinë e re, si dhe rikonstruksionin total të qendrave shëndetësore ekzistuese.

Domosdoshmëri për qytetin e Krujës është dhe vënia në funksionim e Pallatit të Kulturës bashkë me kinemanë dhe bibliotekën. Është një investim që ka kohë që është bërë, me paratë e taksapaguesve dhe është lënë në mëshirë të fatit. Brenda vitit të parë të mandatit ne do i vëmë në funksionim këto qendra kulturore. Gjithashtu, edhe për Fushë-Krujën do të bëhet rehabilitimi i qendrës kulturore dhe bibliotekës.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Krujë dhe cilat janë ato?

Kriter për emërimin e administratorëve të rinj do të jenë pa dyshim integriteti moral, eksperienca në manaxhim, komunikimi qytetar në nivel të lartë, njohja e thellë e zonës perkatëse dhe arsimi i mjaftueshëm për kryerjen e kësaj detyre.

Shkak për shkarkimin e tyre mund të jenë korrupsioni, humbja e integritetit moral, defiçensa në kryerjen e detyrës.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Mbledhjet e këshillit bashkiak patjetër që do të bëhen të hapura për publikun, madje me ftesa të veçanta për grupet e interesit dhe individë ekspertë për fusha të caktuara në vendimmarrje të caktuara. Për këtë do të bëhet shpallje në publik dhe në media. Aktivizimi i bashkisë on-line nëpërmjet përmirësimit të faqes zyrtare përbën një medium të mirë dhe një mundësi informimi dhe bashkëveprimi me qytetarët. Për të siguruar pjesmarrjen në vendimmarrje do të organizohen riunione të veçanta me grupet e interesit, që nënkuptoj, me mjekët, me ekonomistët, juristët, mësuesit, arkitektët, inxhinierët. Nuk përjashtohet edhe mundësia e kryerjes së referendumit për çështje madhore.

Çfarë masash do të merrni gjatë mandatit tuaj për zhvillimin e bujqësisë dhe agropërpunimit në zonën e Fushë-Krujës?

Përgjigjja e kësaj pyetje është dhënë me lart. Gjithashtu do të shihet edhe mundësia e bahkëpunimit me investitorë të huaj për përpunimin e bimëve mjekësore që nuk janë pak në rrethin e Krujës, si dhe për përpunimin e produkteve blegtorale.

Çfarë masash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për ndalimin e ndotjes nga furrat e gëlqeres?

Si edhe thashë, në kufinjtë e zonës së Thumanës do të bëhet një studim për përshtatjen e biznesit të prodhimit të gëlqeres si një traditë e zonës së Krujës në fakt, por që mund të jetë shumë më pak e dëmshme, si për shëndetin e njerëzve ashtu edhe për mjedisin, dhe zhvillimin e turizmit të Krujës. Duke u spostuar në një zonë periferike dhe te izoluar, por që do të punësonte një masë të madhë njerëzish të kualifikuar ndër vite tashmë në këtë industri. Këto aktivitete do të funksionojnë në përputhje me ligjin

Çfarë hapash synoni të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për rikthimin dhe rigjallërimin e artizanatit në Krujë?

Përsa i përket rigjallërimit të artizanatit, gjëja e parë që do të bëjmë do të jetë ngritja e një qendre të madhe, shumë kursëshe, për disa mjeshtëri karakteristike për qytetin e Krujës si përpunimi i bakrit, drurit, qeramikës, qilim-punuesit, qëndistari, etj. Stimulimi maksimal i kësaj qendre dhe mësueseve të saj do të bëhet financiarisht por edhe me mjete logjistike.

Do të stimulohet ngritja e bizneseve familjare që kanë lidhje me këto mjeshtëri. Po kështu. do të punohet për ndërtimin e një qendre artizanati të madh për punimin manifaktural të qilimave çka do të punësonte shumë të reja dhe do të risillte në vëmendje traditën në këtë fushë. Gjithashtu ne do të nxisim hapjen e një punishteje balte e qeramike, edhe kjo një traditë e hershme në Krujë.

Po kështu, në vëmendjen tonë do të jetë edhe Pazari i Vjetër i Krujës. Do të punojmë për krijimin e hapësirave që struktura e Pazarit të përfitojë të ardhura nga mirëorganizimi dhe orientimi i drejtë i burimeve që deri tani nuk janë eksploruar. Organizimi i festave private apo edhe organizimi i minipanaireve lëvizëse me artizanët dhe zejtarët do të ishte një mënyrë e mirë për të rritur eficencën ekonomike në këtë zonë. Një nga synimet tona është dhe hartimi i stategjive se si mund të përfshihen personat me aftësi të kufizuar në punimet artizanale. Ndërsa në bashkëpunim me shkollat dhe grupet e interesit do të stimulojmë përfshirjen e brezit të ri drejt punës me dorë.