Interview1 Jun 2015

Asqeri Kuqja: Një qendër urbane dhe projekte të reja për Belshin

Kandidati i së djathtës për bashkinë e Belshit thotë se ka gati një masterplan për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, ndërsa premton uljen e taksës së tokës për fermerët e duhanit.

Author: Bardha Nergjoni BIRN Belsh
Print

Asqeri Kuqja

Asqeri Kuqja

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Belshit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh është infrastruktura e qendrës urbane të Belshit. Ekziston një projekt për këtë, është tenderuar dhe është ndarë në disa faza realizimi i tij. Faza e parë është realizuar, pritet financimi i fazës së dytë. Do të bëj të gjitha përpjekjet që Fondi i Zhvillimit të Rajoneve të vazhdojë financimin.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Belshit? (Shënim! Kërkohet një listë sa më konkrete e objekteve/rrugëve që synohen të riparohen).

Asfaltim i rrugës Marinë-Dragot, komuna Kajan.

Vazhdimin e projekteve të mbetura për rikonstruksionin e disa rrugëve si Shkëndijë dhe Seferan.

Rikonstruksioni i shkollës së mesme Belsh.

Ndërtimi i ambulancave në fshatrat që mungojnë.

Ndërhyrje të pjesshme për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatrat ku ka probleme.

Ngritja e një agjencie turistike për promovimin e turizmit dhe shfrytëzimin e resurseve të zonës.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Belsh dhe cilat janë ato?

Po. Kriteret për emërimin e administratorëve të rinj do të jenë: arsimi, eksperienca në punë, besimi që kanë krijuar te banorët. Do të jenë përfaqësuesit më të mirë të komunitetit ku banojnë.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Do të ndjek modelin e buxhetimit me pjesëmarrje të vetë komunitetit, duke marrë parasysh nevojat më emergjente dhe që përcaktohen nga vetë ata si më të rëndësishme. Do të zhvilloj gjithashtu edhe konsultime me grupet e interesit për të marrë mendimin e tyre para hartimit të buxhetit, por sidomos të planit të zhvillimit të Belshit.

Cili është afati kohor brenda të cilit premtoni se do të zgjidhni përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Belshit?

Belshi ka nevojë për një rikonstruksion total të rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm, pasi ai ekzistues është shumë i amortizuar dhe ka fshatra që ende nuk kanë rrjet ujësjellësi. Kemi të gatshëm një projekt masterplan për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm të të gjithë zonës së Dumresë qysh nga sistemi i pompave e deri te familjarët. Do të bëjmë presionin e duhur pranë qeverisë që Dumreja të përfshihet në prioritetet e qeverisë për problemin e ujit të pijshëm përderisa ka një studim të plotë për këtë problem. Përfundimisht, ky investim madhor kërkon një mandat, por investime të pjesshme në vazhdimësi do të kryhen për të plotësuar nevojat më emergjente të banorëve të bashkisë Belsh.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale, veçanërisht garantimit të ujit për vaditje dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese?

Relievi i Dumresë ka si veçori që sistemi i vaditjes nuk mund të kryhet me rrjedhje të lirë pa rregulluar mirë mënyrën e marrjes së ujit, i cili kërkon hedhje mekanike. Lidhur me sistemin e vaditjes hapat konkretë do të jenë:  Rikonstruksioni i kanaleve dhe nyjeve lidhëse që shërbejnë për vaditje, vënia në funksion e të gjitha pompave që sot nuk punojnë, ndërhyrja tek OSHEE për të bërë të mundur vendosjen e transformatorëve të veçantë pranë liqeneve për të bërë të mundur vënien në funksion të pompave. Do të kërkojmë nga OSHEE nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë të ketë subvencion për energjinë elektrike që shërben për vaditje. Do të bëjmë të mundur, ku janë mundësitë, ndërtimin dhe rregullimin e kanaleve shpërndarëse për zonat me rrjedhje të lirë të ujit. Do të pastrojmë të gjithë kanalet kulluese të para, të dyta dhe të treta, një eksperiencë e tillë që në bashkinë e vjetër Belsh ka rezultuar e suksesshme.

Nëse ju zgjidheni kryebashkiak, a do të ketë bashkia e re një plan veprimi gjatë këtij mandati në ndihmë të grumbullimit dhe tregtimit të duhanit të zonës? Nëse po, cila është ajo?

Hapi i parë që do të ndërmarr do të jetë ulja në kufirin minimal e taksës së tokës që mbillet me duhan. Do të jem përkrah banorëve për të ushtruar presionin e duhur në qeveri dhe parlament për të bërë të mundur futjen dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen nga taksat dhe rregullimin e çmimit të duhanit nga parlamenti dhe qeveria.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane dhe ujërave të ndotur?

Do të shtrijmë rrjetin e pastrimit në të gjithë komunat aktuale që i bashkëngjiten bashkisë së re. Do të përmirësojmë landfillin që kemi në bazë të kritereve të përcaktuara nga agjencia e mjedisit. Liqenet janë prioriteti ynë. Do të vendosim sistem ndëshkimi me gjobë, që do ta ndjekë policia bashkiake, për të gjitha ata që ndotin liqenet përfshirë dhe ata që kultivojnë peshk. Sa i përket ujërave të zeza, ne do të shkojmë drejt impiantit të përpunimit të ujërave të zeza duke kërkuar investitor të huaj me qëllim përdorimin e tyre edhe në bujqësi.