News13 May 2015

Keti Bazhdari, PS (ASHE), CV

Ky është kurikulumi jetësor i publikuar nga kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë Shkodër.

Author: BIRN Tiranë
Print

Keti Bazhdari

Keti Bazhdari

Keti Bazhdari lindi me 28 Prill 1980 në Shkodër në një familje qytetare prej brezash, me tradita dhe emër të mirë. Ajo ndoqi shkollën tetëvjeçare dhe gjimnazin pranë qytetit të saj të lindjes duke marrë rezultate të shkëlqyera në shkollë dhe olimpiada: në mënyrë të veçantë në shkencat ekzakte, ku dallohej për talentin e lindur për fizikën. Keti do të mbyllte adoleshencën në një moment të vështirë për vendin e saj. Ishte viti i egër 1998.

Në vitin 1998, me të mbaruar gjimnazin vendos me dhimbje, si shumica e të rinjve në ato vite të errëta, të largohet nga Shqipëria për të ndjekur studimet në Itali, në Romë. Atje do të kishte gjithë suportin nga familjarët e vet që jetonin aty si dhe mundësinë për shkak të talentit dhe rezultateve të larta të ndiqte një degë të veçantë me të ardhme të garantuar.

Sot ajo do të ishte një inxhinjere nukleare sikur të mos e pengonte në mënyrë fatale dashuria për Shqipërinë e shkatërruar të atyre viteve. Ajo rifillon shkollën e lartë, tashmë në Shqipëri dega Financë, pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Një degë që do e ndihmonte atë për të konsoliduar ëndrrën e vet. Të bënte Shkodrën. Dhe për këtë do i hynte biznesit, në moshën 21 vjecare, e vetme pa kurrfarë mbështetjeje, por me vullnetin e hekurt që e karakterizonte.

Sot biznesi i saj është ndër më të fuqishmit në fushë duke punësuar qindra e qindra punonjës. Por objektivi i saj nuk qe kurrë biznesi, as paraja. Pasioni i saj për t’a bërë Shkodrën, vendin e saj nuk e lëshoi kurrë. Biznesi ishte vetëm mjeti në shërbim të këtij qëllimi.

Në vitin 2009 Keti hyri në politikë, duke thyer shumë tabu njëherësh; një grua e re arrin të hyjë në politikë e thirrur nga aspirata e saj e hershme, që e bën këtë si dhe rrymën që do i shërbejë për zgjedhje dhe jo për deficion familjar, shoqëror, rrethanor, si dhe që zgjedh pikërisht të majtën në Shkodrën bastion i së djathtës, ndërkohë që vetë rridhte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist. Brenda pak kohësh, përmes një lobingu të fortë por edhe e mbështetur nga kryetari i Partisë Socialiste z. Edi Rama, në Dhjetor të vitit 2010 ajo arrin të zgjidhet kryetare e kësaj partie për Shkodrën, duke dhënë një kontribut të fortë në organizimin, rritjen e cilësisë së pjesëmarrjes dhe performancën e kësaj force.

Një tjetër fushë ku Keti angazhohej pa rënë në sy deri kur u vlerësua me “Çmimin kombëtar për Filantropinë” dhënë nga organizata “Partners Albania” në bashkëpunim me fondacionin “Rockfeller Brothers” në vitin 2013, ishte filantropia. Ajo spikati në veprimtarinë e saj në mbështetje të artit, veprimtarive social-kulturore dhe grupeve të margjinalizuara. Në vitin 2014 themeloi fondacionin “Aleanca Civile – Drejt Integritetit”, (CATI Foundation) e cila ka në themel të punës, luftën kundër varfërisë ekstreme, civilizimin e zonave rurale, mbrojtjen dhe rritjen e integritetit të çdo individi të veçantë në shoqëri. Personaliteti i Ketit, aftësia e saj e shprehur në ide dhe veprimtarinë e përditshme e ka kthyer atë në një grua me influencë dhe profil publik të lartë në veri të vendit.