Interview31 May 2015

Engjëll Cara: Sfida ime është krijimi i një administratë moderne

Kandidati i Partisë Demokratike për Kavajën Engjëll Cara shprehet se problemi më i madh i bashkisë është administrata e pashkolluar dhe jofunksionale.

Author: admin BIRN Kavajë
Print

Engjell Cara/Foto: Wikimeda

Engjell Cara/Foto: Wikimeda

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Kavajë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh në Bashkinë Kavajë është tejngopja dhe mosfunksionimi i administratës. Në administratë punojnë njerëz të pashkolluar, të cilët nuk kanë arsimin e duhur, për të mos thënë që janë të pashkolluar.
Për të zgjidhur këtë problem ne do të punësojmë njerëz me arsimin përkatës në postin përkatës.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë Kavajë?

Brenda vitit të parë të mandatit do të asfaltojmë çdo rrugicë, me trotuare, ndriçim dhe gjelbërim. Përsa i përket godinave arsimore, kemi planifikuar të pajisim çdo kopësht dhe shkollë me sistem ngrohje, mundësisht me panele diellore. Po në këtë kontekst do të investojmë në materiale didaktike për një proces mësimdhënie sa më komod.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Kavajë dhe cilat janë ato?

Kriteri bazë për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të Bashkisë Kavajë do të jetë arsimimi përkatës, eksperienca dhe performanca. Nuk do të ketë selektivitet mbi baza partiake.
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Konsultimi me qytetarët për çdo vendimmarrje të bashkisë është një pjesë e rëndësishme e programit tonë. Ne për çdo prioritet, çdo vendim, çdo shqetësim, do të organizojmë mini-referendume lokale, kështu do të jenë qytetarët ata që do të qeverisin. Ne do të jemi vetëm në shërbim të kërkesave të tyre.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit, furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në komunat bregdetare?

Duke qenë që Bashkia Kavajë ka disa komuna bregdetare, si komuna e Golemit dhe e Synejit, do të kemi një kujdes të veçantë për tërheqjen e sa më shumë turistëve.
Pikësë pari do të ndërhyjmë në mirëmenaxhimin e depove për t’u siguruar këtyre zonave ujë të pijshëm 24 orë në ditë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj në ndihmë të sektorit bujqësor të bashkisë Kavajë, si për zonat fushore ashtu edhe për zonën kodrinore?

Duke qenë se 55 për qind e territorit të Bashkisë Kavajë është zonë rurale, ky sektor zë një vend shumë të rëndësishëm në programin tonë.
Do të krijojmë një grup ekspertësh, të cilët do të asistojnë fermerët në prodhimet bujqësore. Në këtë kuadër, në mandatin e parë do të ndërtojmë një treg fruta-perimesh modern, ku të tregtohen prodhimet e fermerëve, dhe ky treg të jetë distributor në Kavajë dhe më gjërë. Krahas tregut, kemi në plan ndërtimin e frigoriferëve që produktet të mos prishen, por të kenë temperaturën e caktuar.
Ndërsa në zonat kodrinore do të investohet në pemtari dhe vreshtari duke subvencionuar fermerët me një fond të veçantë nga buxheti i bashkisë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për rehabilitim e kinemasë së Golemit?

Kinemaja e Golemit do të futet në projektin për zhvillimin e jetës kulturore. Përveç rikonstruktimit të fasadës së kinemasë, ne do të organizojmë aktivitete kulturore, do të ftojmë trupa teatrale profesioniste që të argëtojnë këtë komunitet.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për nxitjen e qëndrueshme të turizmit në Bashkinë Kavajë?

E një rëndësie të veçantë është edhe afrimi i operatorëve turistikë për t’i qasur turistëve një paketë turistike, për ta bërë zonën e Kavajës sa më atraktive për pushuesit. Kavaja,përveç turizmit detar ka të zhvilluar dhe eko-turizmin, turizmin kulturor, etj.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për ndalimin e ndërtimeve shumëkatëshe në vijën bregdetare?

Përsa i përket ndërtimeve shumëkatëshe në vijën bregdetare, do të ndalohen ato që cënojnë ligjin për planifikim dhe zhvillim të territorit.