Interviste2 Qer 2015

Gjergji Mero: Ulje taksash për biznesin

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Korçë, Gjergji Mero, nënvizon që programi i tij parashikon uljen 30 për qind të taksave të biznesit dhe pagimin e sigurimeve nga bashkia të çdo të punësuari të ri.

Autor: Dhorjela Cule Tiranë
Printo

Gjergji Mero

Gjergji Mero

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Korçës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Bashkia Korçë ka një shumëllojshmëri problemesh, që nga papunësia masive,  strehimi, rrugët e pashtruara dhe kanalizimet në disa lagje të qytetit të lëna në harresë; investimet e parealizuara për institucionet e artit dhe të kulturës dhe shume probleme të tjera që vijnë nga zgjerimi i territorit të bashkisë.

Për mua personalisht, problemi më i madh është papunësia. Programi im parashikon mbështetjen e biznesit me uljen 30 për qind të taksave të biznesit dhe pagimin e sigurimeve nga bashkia të çdo të punësuari të ri të çdo bisnesi për një vit. Gjithashtu, me shtimin e territorit të bashkisë do kemi mundësi të mbështesim edhe bujqësinë dhe blegtorinë me projekte dhe investime, duke krijuar mundësi për thithjen e investimeve të huaja që sigurojnë vende të reja pune.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Korçës?
Brenda vitit të parë do të sigurojmë ngrohjen në të gjitha godinat arsimore të Korçës, një premtim i pambajtur i kryerarit të bashkisë dhe një prioritet i yni duke marrë parasysh se Korça është një qytet që në dimër temperaturat arrijnë në -150 C.

Prioritet janë edhe rrugët e lagjeve përreth Korçës, si lagjet 10, 4, l6, 7, 17, 8, sepse Korça është e të gjithë korçarëve; nuk është Korçë fasadash ku restaurohet një anë e pallatit dhe ana tjetër lihet në degradim të plotë.
Brenda vitit të parë do të rikonstruktojmë teatrin “Andon Z. Çajupi” të Korçës, një vlerë mbarëkombëtare e cila nga bashkia aktuale është lënë në mjerim të plotë. Nga bashkia edhe për shëndetësinë do te ketë interesim maksimal për plotësimin e standardeve bashkëkohore infrastrukturore, për t’i shërbyer qytetarëve sa më cilësisht.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Korçë dhe cilat janë ato? 

Kriteri kryesor i punësimit në bashkinë e Korçës do të jetë profesionalizmi, merita, eksperienca në punë pa dallime politike, komunitare, etj por të gjithë duhet të plotësojnë kriteret e shpallura për çdo vend pune.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Takimi me qytetarët do të jetë i vazhdueshëm, jo vetëm për të dëgjuar problemet e tyre por edhe llagaridhënie për realizimin e programit për çdo zonë të qytetit dhe çdo njësi administrative në fshatrat e bashkisë së re. Përfshirja e publikut dhe jo vetëm pjesëmarrja do të jetë në fokus të punës së bashkisë. Konsultimi me publikun do të jetë i vazhdueshëm në hartimin dhe zbatimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjeve në infrastructure, etj.

Njësitë administrative që do të ngrihen pranë çdo komune do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në zonat rurale.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetejeve urbane dhe ngritjen dhe mirëfunksionimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në të gjithë bashkinë?

Bashkia do të jetë partner me të gjithë aktorët në zbatimin e projekteve për menaxhimin e mbetjeve urbane. Prioritet do të jetë përfundimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve edhe në zonën informale dhe periferinë e qytetit si dhe në fshatrat ku ai është i amortizuar apo i papërfunduar.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me mbështetjen dhe nxitjen e mëtejshme të turizmit malor dhe kulturor në këtë bashki gjatë këtij mandati? Si do të promovohen vlerat tradicionale dhe kulinaria e zonës?
Korça është qyteti i vlerave, traditës, artit e kulturës, por mbi të gjitha është qyteti i serenatave. Prioritet absolut do jetë vazhdimi i traditës së serenatave si mënyra më e mirë e promovimit të turizmit kulturor. Bashkia do të mbështesë një grup serenatsh të cilët do të mbajnë gjallë traditën e serenatës korçare.

Tashmë që bashkia Korçë është zgjeruar, turizmi malor do të jetë prioritet për disa zona rurale. Do të investojmë për një piste skish që do të jetë më e madhja dhe më modernja në vend, si dhe do të promovojmë kulinarinë korçare për të cilën do të zhvillojmë një panair vjetor ku do të promovhet tradita e gatimeve korçare.

Cila do të jetë mbështetja e bashkisë së re gjatë katër-vjeçarit të ardhshëm për zhvillimin e qendrueshëm të sektorit të bujqësisë dhe pemëtarisë, si dhe mbështetjen e tregut lidhur me këto produkte në këtë zonë?

Bashkia do të ngre një zyrë të shërbimeve bujqësore dhe konsulencës në ndihmë të bujqve dhe fermerëve për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ajo do të mbështesë çdo iniciativë për ngritjen dhe fuqizimin e fermave bujqësore e blegtorale, duke krijuar lehtësira fiskale në vitet e para të veprimtarisë së tyre dhe kryesisht për ato produkte bujqësore e blegtorale të traditës të zonës sonë. Bashkia do të tërheqë investitorë vendas dhe të huaj për ngritjen e bizneseve të reja në fushën e agropërpunimit si një sektor mjaft i rëndësishëm edhe në punësim.

Cilët hapa konkretë do të ndërmarrë bashkia lidhur me mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve të zonës dhe ndalimin e gjuetisë së paligjshme në to gjatë këtij mandati?

Me zgjerimin e kompetencave që do t’i jepen bashkisë së re, mbrojtja dhe rigjenerimi i pyjeve do të jenë në qendër të punës së saj. Bashkia do të punojë për zbatimin e ligjit për gjuetinë e paligjshme.

Cilët hapa konkretë premtoni se do të ndërrmerni gjatë këtij mandati në ndihmë të arsimimit, strehimit dhe mbështetjes së familjeve të komunitetit rom të zonës?

Bashkia do të mbështesë fëmijët e këtij komuniteti në arsimin parauniversitar duke subvencionuar tekstet dhe materialet shkollore në çdo fillim viti, si dhe do të japë bursa për çdo fëmijë të këtij komuniteti që do të vazhdojë arsimin e lartë.

Bashkia do të ngre banesa sociale ku prioritet për strehim do të ketë ky komunitet. Pranë bashkisë do të ngrihet një zyrë e shërbimeve komunitare ku do të punësohen punonjës nga ky komunitet që do të identifikojnë problemet dhe do të ndihmojnë në zgjidhjen e tyre.

Bashkia për të gjitha familjet në nevojë do iu sigurojë mbështetje financiare për minimumin jetik të tyre.