Interview5 Jun 2015

Hajredin Bakiasi: Ulje taksash për biznesin për të zbutur papunësinë

Kandidati i djathtë për bashkinë e Çorovodës thotë se nxitja e investitorëve është zgjidhja kryesore për uljen e papunësisë dhe rritjen e të ardhurave për çdo familje të zonës.

Author: Erjola Azizolli BIRN Çorovodë
Print

Hajredin Bakiasi

Hajredin Bakiasi

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Çorovodës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Gjendja ekonomike e këtyre banorëve lë për të dëshiruar, pasi burimet e të ardhurave vijnë nga punësimi në administratë shtetërore dhe sektori privat . Në administratën shtetërore ky numër ka ardhur në rënie, pasi janë krijuar Drejtoritë Rajonale në Berat dhe  në Skrapar kanë  sektorët përkatës. Në sektorin privat jo se nuk ka hapa konkretë për punësim (fasoneria  ne Çorovodë, shtimi i kompanive gurënxjerrëse), por  pozicioni gjeografik dhe largësia e Skraparit  bënë  që investitorët të jenë të paktë në krijimin e aktiviteteve të tjera.  Për ne nxitja e investitorëve, sektori privat është zgjidhja kryesore e problemit të papunësisë, rritjen e të ardhurave për çdo familje,  gjë që bëhet me:

– Ulje takse për biznesin e vogël, pasi po shohim vetëdeklarim për mbyllje biznesesh që  nuk shlyejnë  dot detyrimet tatimore e jo të kenë të ardhura për familjet e tyre .

Kjo  masë bënë të mundur që këto biznese të mbijetojnë në këtë kohë kur kemi  rritje të papunësisë,  çmimeve të naftës, energjisë,  ushqimeve,  tarifave të shkollimit, etj.

– Për çdo biznes të ri të ketë politika  për mostaksim në një periudhë të caktuar.

– Prodhuesve artizanalë tu jepet mundësia e reklamimit të prodhimeve nga bashkia dhe organizimi i panaireve .

– Heqje e taksave  për  fermerët që nxjerrin prodhimet e tyre në qytet,  pasi paguajnë për çdo prodhim bujqësor e blegtoral. Po të  shohim banorët e fshatrave të kësaj bashkie që po vjelin  prodhimet e  vreshtave e pemëtorëve që u mblodhën me subvencionimet e qeverisë Berisha, por  këta të paktën mos i taksojmë .

– Nxitja e turizmit malor, familjar,  duke përmirësuar infrastrukturën rrugore, shërbimeve e duke bërë promovimin e bukurive  natyrore,   prodhimeve e gatimeve  tradicionale.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Çorovodës?

– Duhen sistemuar e asfaltuar rrugët brenda lagjeve të qytetit Çorovodë pasi janë në gjendje të degraduar.

– Asfaltimi i rrugëve që nisin nga Çorovoda drejt  ish komunave si Çorovodë – Gjerbes,  Leshnje,  Çepan, Vëndreshë, në Potom fillon gjatë muajit Qershor, falë projektit TAP i lobuar e nënshkruar nga ish qeveria Berisha .

– Rikonstruksion dhe vënie në funksionim i Bibliotekës, kinemasë, Pallatit të Kulturës, sallë lojërash .

– Investime në sport, duke nxitur e stimuluar të rinjtë e këtij rrethi në futboll, basketboll, volejboll, ndërtimi i fushave sportive, ndërtimi i shkallëve në fushën e futbollit .

– Ngritja e një salle lojërash, sallë për moshën e tretë.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Çorovodë dhe cilat janë ato?

Për hir të së vërtetës nuk kam dëgjuar edhe institucionet që bënë këtë ndarje territoriale, e cila për mua nuk është ndarje e drejtë, që të shprehen me akte ligjore e nënligjore për funksionimin e Bashkisë së Skraparit.

Punësimi në  administratën e bashkisë ka  kriter kryesor konkurrimin  e njerëzve të aftë e arsimuar, në shërbim të komunitetit, larg militantizmit, pasi punësimi po vazhdon vetëm me militantë partiak.

Të gjithë personat që plotësojnë kriteret e individëve me integritet të njohur në komunitet me arsimin e duhur ka të drejtën e konkurrimit qoftë edhe ata të  administratës aktuale.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

– Në bazë të akteve ligjore të qeverisë qendrore do të përcaktohet edhe funksionimi i administratës së bashkisë së re, detyra jonë është sa të aftë e funksionale do të ndërtojmë këtë mekanizëm me njerëzit e specializuar për çdo sektor.

– Por, dëgjesa në çdo zonë e zërit të banorëve për hartimin e buxhetit, investimeve të nevojshme, ndihmës ekonomike, familjeve në nevojë, fondit të emergjencave  do jetë parimi kryesor i funksionimit të punës së bashkisë.

-Bashkëpunim me institucionet e  tjera për të gjitha problemet që kanë banorët e zonave rurale.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit të qëndrueshëm natyror dhe atë të aventurës në këtë bashki gjatë këtij mandati?

Në këtë drejtim ka nisur puna, por për Skraparin ky sektor mund të jetë një nga sektorët më të rëndësishëm për rritjen e të ardhurave të këtyre banorëve, pasi përveç vështirësive të një rrethi të thyer e malor ne kemi dhe bukuri natyrore si  Kanionet e Osumit, monumente e natyrës, monumente të lashtësisë, male e kodra, burime ujore, vendet e shenjta fetare, etj. Për këtë duhet  :

– Funksionimi i një departamenti për turizmin me njerëz të aftë e profesionistë.

– Promovimi sa më shumë i këtyre monumenteve e dhuratave natyrore, traditës e vlerave që na kanë lënë të parët .

– Rregullimi i infrastrukturës rrugore, investime në pikat turistike sipas planeve të miratuara. Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale, mbështetjen e bujqësisë dhe promovimin e produkteve karakteristike të zonës?

Në fakt asnjë qendër komune nuk lidhet me bashkinë aktuale nëpërmjet rrugëve të asfaltuara, pra duhet:

-Projekte për asfaltim të rrugëve drejt Zhepës, Gjerbesit, Leshnjes, Çepanit, Vëndreshës, pasi do të sjellë lehtësimin e jetës së këtyre banorëve duke nxitur prodhimin bujqësor e blegtoral dhe nxjerrjen e tyre në treg, zhvillimin e tregtisë, turistëve.

Kjo do të nxisë jo vetëm banorët e fshatrave, por do të bëjë të mundur që një pjesë e mirë e njerëzve  që janë larguar nga këto zona të rikthehen, pasi po prekin përditë papunësinë dhe vështirësi ekonomike në qytet .

-Ndërtimi i një qendre frigoriferike për grumbullimin e prodhimeve të bollshme që vijnë nga fshatrat .

-Zgjerimi i tregut agro-ushqimore në mënyrë që të ketë hapësira.

– Duhet të ruajmë  emrin e mirë të prodhimit të rakisë së Skraparit dhe kuzhinës tradicionale.   Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane në të gjithë bashkinë? 

-Nga Bashkia aktuale këtë mandat kjo gjë është menaxhuar mirë si në drejtim të pastrimit të qytetit dhe vendgrumbullimin e mbetjeve që  linin një shije të keqe në hyrje të qytetit.

Por, ky sistemim i vendgrumbullimit të mbetjeve  nuk është zgjidhje afat gjatë, pasi  ujrat që filtrojnë  gjatë reshjeve përsëri përfundojnë në lumin Osum. Pra, ndërtimi i një landfilli sipas një projekti të mirëmenduar do të bënte grumbullimin e mbetjeve edhe në ish komunat.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmarrë bashkia për monitorimin e sipërmarrjeve që shfrytëzojnë burimet e gurit lidhur me ndotjen e mjedisit gjatë këtij mandati? Si do të shfrytëzohen (në cilin drejtim) të ardhurat e bashkisë të përfituara nga renta minerare?

Nuk jemi kundër këtij aktiviteti, pasi janë një zbutës papunësie dhe burim të ardhurash për bashkinë, por do të monitorohen për detyrimet  në zbatimin e kontratave, lejeve mjedisore, etj në mënyrë që në vendet e dëmtuara të bëhet ripyllëzim apo mbjellje në sipërfaqe të tjera të zhveshura. Pra, të ardhurat do investohen  për rehabilitim të vendeve të dëmtuara, infrastrukturë, pyllëzime,  etj.

Cili është afati kohor brenda të cilit premtoni se do të zgjidhni përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Çorovodës? 

Në Çorovodë për ujin e pijshëm duhet dëshira e mirë dhe bashkërendimi me qeverinë qendrore për të bërë të munduar zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi pasi kemi burime ujore. Hartimi i projektit  ku furnizimi të bëhet me vetërrjedhje nga lart poshtë, pasi dhe burimet malore nuk mungojnë, kjo sjell furnizimin 24 me ujë të qytetit dhe shpenzime më të pakta se tani ku  furnizimi është me orar dhe hedhje nga poshtë lart me pompë. Kjo zgjidhje mund të bënte të mundur që edhe fshatrat Sharovë e Çerenisht të furnizoheshin normalisht me ujë të pijshëm.