Interview7 Jun 2015

Igli Kokalari: Do të ndërtoj administratë profesionale

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Gjirokastrës thotë se synimi i tij kryesor është të mbajtë apo të punësojë profesionistë pavarësisht përkatësisë politike në bashki për të ofruar shërbime cilësore për të gjithë banorët e territorit të bashkisë së re.

Author: Raimond Kola BIRN Gjirokastër
Print

Igli Kokalari

Igli Kokalari

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Gjirokastër dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Ndarja e re territoriale përbën një problem më vete. Zgjerimi i Bashkisë së Gjirokastrës me bashkimin e saj me disa komuna do të jetë sfida e parë me të cilën do të përballemi. Integrimi i këtyre komunave në Bashkinë e re do të jetë edhe sfida kryesore. Dua te garantoj zgjedhësit e mi se projektet do të aplikohen në çdo cep të bashkisë së re duke i trajtuar të gjithë banorët me të njëjtin seriozitet dhe standard. Nuk do të ndjehet askush i braktisur, por çdo banor i bashkisë se re do të ketë një derë ku mund të trokasë. Do të krijohet klima e duhur që i gjithë komuniteti të funksionojë si një i tillë, duke mos nëpërkëmbur asnjë qytetar apo grup komunitar në çdo cep të territorit. Drejtimi dhe impelementimi i të gjitha projekteve të bashkisë, qoftë në lagjet muzeale të qytetit, qoftë edhe në fshatrat më të largëta malore do të jetë sfida jonë. Një banor i Golemit apo Kolonjës do të shikohet me të njëjtin sy, si edhe banorët e Palortosë apo Dunavatit. Ky është problemi kryesor i bashkisë së re që krijohet me ndarjen e re dhe këtu do të tregojmë edhe seriozitetin që kemi në drejtimin e këtij institucioni “Barazi për çdo banor të Bashkisë së Gjirokastrës”, ky është vizioni im dhe i ekipit që unë do të drejtoj.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Gjirokastër?

Fillimisht ne do të krijojmë një baze të dhënash (database) të të gjithë infrastrukturës rrugore, kopshteve dhe shkollave që kanë nevoja serioze për rikonstruktim apo ndërhyrje mirëmbajtjeje. Do ta nisim punën nga ato që janë në gjendje më të rëndë, por pa nënvlerësuar as edhe një të vetme. Relativisht disa komuna janë mirë me infrastrukturën rrugore, por komunat si ajo e Cepos dhe e Picarit kanë shumë nevojë për infrastrukturë. Fshatra si Zhulati apo Golemi kanë nevojë emergjente për një ndërhyrje në infrastrukturën rrugore. Gjithashtu në zonën industriale të qytetit ka nevojë për shtrimin e disa rrugëve. Lagjja e Romëve ka nevojë për ndërhyrje emergjente, për shkollë, për ujin e pijshëm etj. Ka dhjetëra godina shëndetësore që kanë nevojë për t’u riparuar dhe mirëmbajtur. Kjo do të realizohet hap pas hapi me punime cilësore duke çuar çdo qindarkë të investimit në punë dhe jo në xhepat e një grushti njerëzish siç ka ndodhur edhe më sot.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Gjirokastër dhe cilat janë ato?

Në krijimin e listës së kritereve, besoj se duhet të heqim ato të cilat nuk duhet të jenë më kritere. Ekipi ynë do të heqë dorë nga punësimi i militantëve dhe do të aplikojë parimin se profesionisti dijë t’i shërbejë më mirë qytetarëve dhe nevojave të tyre. Defekti më i madh i administratës sot, është mungesa e profesionalizmit dhe punësimi pa kriteret e duhura. Ne do të kemi një qasje të re, duke zhvilluar konkurse për çdo vend pune, duke u ofruar të gjithë specialistëve të fushave të ndryshme mundësi të barabarta punësimi, jashtë kornizës politike. Prioritet do t’i jepet punësimit të ekspertëve të rinj me eksperienca dhe profesionalizmin e duhur për nevojat e komuniteteve. Ndërsa për sa i përket emërimit të administratorëve nëpër komuna, do të konsultohem gjerësisht me grupet e komuniteteve përkatëse duke i bërë ata pjesë të vendim-marrjes dhe duke evituar një emërim arbirtar.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Konsulta me çdo komunitet, çdo fshat, i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me projektet e bashkisë. Kjo do të jetë një urë e re komunikimi mjaft transparente, mjaft e qartë dhe do t’u japë mundësi banorëve të shprehin edhe ata mendimet e tyre. Ne do të karakterizohemi nga transparenca për çdo qindarkë që do të shpenzojmë. Do të jemi me afër qytetarëve për të dëgjuar çdo mendim të tyre, për të thithur dhe për të bërë më të mirën.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për furnizimin me ujë dhe ofrimin e shërbimeve në lagjen Zinxhira, e cila ka një përqendrim të grupeve vulnerabël si komuniteti Rom?

Ndërhyrja në këtë zonë përbën prioritet të programit të ri të Bashkisë, sepse vetë problematika është e tillë që diktohet nga përbërja heterogjene e popullsisë, mungesa e theksuar e infrastrukurës rrugore në pjesën industriale të saj si edhe mungesën e skajshme të shërbimeve. Zgjidhja një herë e mirë e problemit të ujit të pijshëm, duke zbatuar rigorozisht projektin gjithëpërfshirjes të mbështetur nga Banka Gjermane KFW, i cili do të mundësojë furnizimin me ujë të të gjithë zonës, pa përjashtuar lagjen e banuar nga komuniteti Rom. Hapi tjetër konkret do të jetë dhënia e zgjidhjes në mënyrë përfundimtare e të gjithë problematikës së kësaj zone në lidhje me legalizimin e banesave. Zyra e Shërbimeve Juridike, e cila do të funksionojë pranë bashkisë së zgjeruar, do të ofrojë plotësimin e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm deri në përcjelljen e dosjeve në zyrat e ZRPP-së. Gjithashtu, bashkia do të ndërmarrë negociata me pronarët e ligjshëm të tokave në të cilat janë ndërtuar këto banesa. Kjo lagje e harruar do të jetë pjese integrale e qytetit.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës së Lazaratit pas frenimit të kultivimit të marijuanës. A keni projekte konkrete punësimi në këtë fshat ?

Padyshim që Lazarati do të ketë vendin që meriton në bashkinë e re. Banorët e Lazaratit duhet ta ndjejnë veten të barabartë në çdo projekt të bashkisë dhe do të jenë pjesë e rëndësishme e këtij komuniteti. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik për këtë zonë, do të mbështes me projekte konkrete në asetet e kësaj komune duke bërë të mundur krijimin e një klime të përshtatshme të zhvillimit bujqësor e blegtoral. Programi i ri i bashkisë së zgjeruar, veçanërisht për këtë zonë, do të përfshijë mbështetjen e sipërmarrjes private lokale në bashkëpunim me donatorët që ofrojnë grante për fermerët, duke siguruar të gjitha lehtësirat e mundshme fiskale.

Modeli aktual i zhvillimit të bashkisë Gjirokastër mbështetet tek qarkullimi tregtar, pak të ardhura nga turizmi familjar, artizanati dhe zhvillimi i atyre pak njësive të vogla dhe të mesme të prodhimit. Si do të harmonizohet ky model zhvillimi me aktivitetin bujqësor dhe blegtoral në territorin e ri të zgjeruar të bashkisë?

Modeli i zhvillimit të ri të bashkisë së zgjeruar do të ketë në fokus integrimin e të gjitha burimeve dhe vlerave që mbart kjo zonë. Programi i zhvillimit të turizmit do të integrojë edhe aseset arkeologjike të zonës përreth, të vlerave entokulturore që mbartin zona si Lunxhëria dhe komunat e tjera. Certifikimi i produkteve blegtorale që prodhohen dhe përpunohen në Gjirokastër do të jetë hapi i parë i krijimit të markës lokale “Made in Gjirokastër”. Kjo markë do të mbrohet dhe mbështetet në tregun kombëtar, rajonal dhe më gjerë me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Ky model zhvillimi do të jetë pjesë e paketës promovuese të kësaj zone. Padyshim, Gjirokastra do t’i kthehet identitetit të saj nëpërmjet mbështetjes së artizanatit të zonës, turizmit familjar dhe përfshirjes së zonës në rrjetet kombëtare e ndërkombëtare të guidave turistike.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit për të harmonizuar diferencat e thella që kanë njësitë e tjera që bashkohen me bashkinë aktuale, sidomos për nga të ardhurat, investimet dhe projektet në infrastrukturë?

Formula e planifikimit buxhetor do të jetë gjithpërfshirëse duke reflektuar prioritetet e zhvillimit për secilën zonë. Mbi bazën e parimit të barazisë, të gjithë do të ndjehen të barabartë me projekte konkrete në të gjithë sektorët. Prioritet do të ketë rivitalizimi i zonave të largëta me investime në infrastrukturën rrugore, me shërbimet komunale tërësore dhe krijimin e kushteve të domosdoshme për arsimin dhe shëndetësinë.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për përmirësimin e gjendjes së paraplegjikëve dhe njerëzve në nevojë. Cilat janë projektet konkrete për këto kategori?

Plani për këtë kategori njerëzish është mjaft konkret. Në vitin e parë të qeverisjes së bashkisë, të gjithë njerëzit paraplegjikë do të pajisen me karroca falas nga bashkia. Gjithashtu do të sigurohet edhe një automjet i posaçëm që do të vendoset në dispozicion të tyre për transportin. Hapi i trete është ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme për ecjen e paraplegjikëve si vendosja e rampave të nevojshme për karrocat.

A planifikoni ta ndryshoni planin urban të Gjirokastrës dhe si do trajtoni mbingarkesën ndërtimore në Lagjen e poshtme 18 Shtatori. Çfarë qëndrimi do mbani ndaj tregut aktual industrial që ngrihet çdo mëngjes me çarçafë në bulevardin e lagjes 18 shtatori?

Plani Urbanistik është hartuar nga ekspertë shumë të mirë të tregut ndërkombëtar, ai merr parasysh gjendjen aktuale dhe mundësitë maksimale për afrimin me parametra europiane. Për zonat e reja, planifikimi është bërë në bazën e standardeve më të mira botërore në fushën e planifikimit të territorit.

Çfarë qëndrimi do mbani ndaj tregut aktual industrial që ngrihet çdo mëngjes me çarçafë në bulevardin e lagjes 18 shtatori? 

Heqja e Tregut nga bulevardi do të kryhet shumë shpejt me një mirëkuptim me të gjithë tregtarët që shesin aty. Krijimi i një tregu serioz, me kushtet e duhura higjeno-sanitare është në vizionin tonë. Dhe kjo do të realizohet mjaft shpejt. Shitja e prodhimeve bio të fermerëve të Lunxhërisë në një treg brenda kushteve do të sjellë një përfitim të madh jo vetëm për tregtarët, por edhe për fermerët e zonës.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për të mbrojtur qendrën historike të Gjirokastrës dhe cilat janë projektet që do të zbatoni për të nxitur turizmin kulturor dhe atë familjar?

Përparësi do të jetë ndalimi i ndërtimeve pa leje. Për të mirëmenaxhuar Qendrën Historike do të ngrihet një zyrë pranë Kryetarit të Bashkisë për lehtësimin e praktikave kur nevojiten ndërhyrje në qendrën muzeale duke bashkëpunuar me strukturat e monumenteve dhe duke lehtësuar qytetarët. Kjo zyrë do të punojë edhe me Komisionin e UNESCO-s në Shqipëri për të siguruar respektimin e mbrojtjes së monumenteve të Gjirokastrës që janë pasuri botërore. Puna e pandërprerë do të jetë që Gjirokastrës t`i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm i këtyre vlerave të rralla. Po kështu do të punohet që në nisje të mandatit për hartimin dhe zbatimin e një plani në bashkëpunim me organet përkatëse të trashëgimisë për rehabilitimin e ndërhyrjeve jashtë kritereve në qendrën muzeale, duke i përshtatur ato me ansamblin arkitekturor ekzistues. Do të punohet me prioritet për mbulimin e shtëpive, të cilat janë cenuar në këto vite, me çati me rasa guri, do të gjenden rrugë për mbështetjen e pronarëve të banesave që janë cenuar nga betoni që ato të rikthehen siç kanë qenë. Do të bëhet menjëherë ndalimi i betonit dhe i asfaltit në disa rruge, (rasti më flagrant është ai në Lagjen “Palorto”). Gjithashtu do të jemi edhe kundër riparimit të kalldrëmeve me firma që nuk e njohin këtë mjeshtëri dhe për këtë do të aplikojmë kritere cilësore në prokurimet publike.

Do nxisim përfshirje e firmave vendëse që nuk mungojnë në Gjirokastër për këto ndërhyrje. Sidomos do të përfshijmë të rinjtë dhe përvojën më të mirë të qytetit tonë të gurtë dhe mjeshtërve të shquar vendës në këtë drejtim.

Promovimi i vlerave kulturore, arkiketurore, të iso-polifonise që është kryevepër e trashëgimisë botërore, hartimi i një guide turistike të plotë për të gjithë bashkinë, integrimi në zyrat e turizmit edhe i studentëve apo të rinjve të apasionuar që të udhëheqin turistët jo vetëm në kala dhe në zonën muzeale por edhe në qendra të ndryshme si Antigoneja, Teatri i Adrianopolit, Kalaja e Kardhiqit, etj. Ne do të mund të sigurojmë një turizëm të qëndrueshëm familjar duke kombinuar mbrojtjen dhe promovimin e pasurisë kulturore, veçanërisht kalasë, pazarit, shtëpive qindravjeçare me mbështetjen e sektorit turistik, shtëpive mikpritëse për turistët, sipërmarrjet artizanale, tregun e suvenireve, ekipet e guidave, etj.

A keni një projekt konkret për të ngritur një qendër të re kulture multifuksionale dhe kush qasja juaj për politikat rinore?

Rikonstruksioni i godinës së Kinoteatrit dhe kthimi i saj në një qendër multifunksionale, kulturore, dhe artistike do të jetë synimi ynë i parë. Ne duhet të mendojmë më qartë dhe bashkia duhet të jetë promotore e vlerave që mbart rinia e Gjirokastrës. Prandaj projektet tona do të jenë të qarta në zbulimin e talenteve, evidentimin e tyre si dhe promovimin më të mirë. Do të mundohemi që rininë ta nxjerrim nga kafenetë dhe ta edukojmë drejt kulturës, artit dhe sportit. Krijimi i ambienteve të duhura do të jetë vetëm hapi i parë, pasi puna dhe projektet tona do të vijojnë në çdo moment të mbështesë rininë me projekte. Partneriteti me Universitetin (e Gjirokastrës) do të jetë gjithashtu mjaft i rëndësishëm për t’i përfshirë të rinjtë në jetën qytetare dhe për t’i bërë ata pjesë aktive të zhvillimit të Gjirokastrës.