Interviste5 Qer 2015

Ilir Krosi: Vizioni im për Dibrën

Kandidati i të djathtës dhe kryetari aktual i Bashkisë Peshkopi thotë se bashkia e re Dibër do të përqendrohet në ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e ekoturizmit.

Autor: Hysen Likdisha BIRN Peshkopi
Printo

Ilir Krosi

Ilir Krosi

Cili mendoni së është problemi më i madh i bashkisë së Dibrës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Një ndër problemet madhore në nivel qarku, përfshirë dhe bashkinë Peshkopi, është niveli i ulët ekonomik dhe papunësia e madhe. Nëse do t’ju referohemi statistikave, vetëm 40 % ë popullsisë është në nivelin mesatar, ndërsa pjesa tjetër janë nën këtë nivel.

Mungesa e investimeve të Qeverisë në Dibër, (duke përfshirë këtu edhe 6 komunat e majta), e ka përkeqësuar situatën e përgjithshme ekonomike dhe tkurrjen e vendeve të punës.

Problemi më i madh i bashkisë Dibër do të jetë administrimi i territorit nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe duke qenë se Dibra ka një shtrirje mjaft të madhe gjeografike dhe territor mjaft të vështirë.

Objektivi themelor (parësor) me të cilin do fillojmë që ditën e parë të punës në Bashkinë e Dibrës do të jëtë shfrytëzimi i resurseve ekonomike të kësaj zone. Dihet që sektori kryesor i punësimit (vetëpunësimit) është bujqësia e për këtë arsye është parë si me shumë rëndësi mbështetja e bujqësisë për të rritur prodhimin e zonës duke siguruar tregun e produktit, zhvillimin dhe promovimin e turizmit dhe vlerave të tij nëpërmjet krijimit të infrastrukturës bashkëkohore për në Parkun e Lurës, në Liqenet e Kacnisë, Bjeshkëve të Hynoskës e Gramës, Vargmalin e Deshatit dhe Korabit. Një objektiv tjetër i mandatit të ardhshëm është stimulimi ekonomik I bizneseve nëpërmjet uljes së taksave në minimum për aq sa na lejon ligji.

Furnizimi me Ujë të pijshëm të çdo qytetari të Dibrës në qytet e në fshat është prioriteti ynë i radhës. Kjo duke  filluar nga fshatrat e Maqellarës e deri në Reç.

Por një projekt tjetër me rëndësi është edhe zgjidhja dhe mbështetja e problemit të vaditjes nga Maqellara në Reç.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin ë infrastrukturës rrugorë, godina arsimorë apo shëndetësorë në bashkinë e Dibrës?

Projektet infrastrukturore zënë një vend të rëndësishëm në platformën elektorale të bashkisë Dibër.  Ata janë parë si projekte vitalizuese të ekonomisë bujqësore por edhe të ekonomisë në përgjithësi. Nëse do ti referohemi infrastrukturës rrugore janë parë si me shumë rëndësi projekte si: Sistemim asfaltim i rrugës Kastriot-Arras-Lurë, Muhurr-Selishtë, Bllice-Zalldardhë-Zall Reç, Llixha-Bellovë-Cerjan-Zagrad-Rabdisht, Grezhdan-Herebel, Erebarë-Dovolan, Vakuf-Kandër-Kishavec, Limjan-Volezë-Vranjt, Cërren-Tejsë, Katund i Ri-Lishan i Poshtëm, Kthimi i Bulevardit “Elez Isufi” në Pedonale bashkëkohore, ndërtimi i Unazës së qytetit Peshkopisë. Ndërtimi i impiantit të trajtimit të Ujërave të Zeza për qytetin e Peshkopisë dhe komunave përreth, si dhe ndërtimi i Kanalizimeve të Ujërave të zeza për fshatra të të gjitha komunave (ku ato mungojnë, në fakt ekzistojnë në shumë pak fshatra).

Investimet në infrastrukturën arsimore janë një pikë e rëndësishme e punës në mandatin e ardhshëm. Ndërtimi i një shkolle 9-vjeçare në lagjen Llixha, rikonstruksioni i shkollave ekzistuese të amortizuara, rikonstruksioni i çerdheve të qytetit, ndërtimi i Gjimnazit të ri tek Ish-ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve, rikonstruksioni i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, janë investime që do të realizohen në mandatin e ardhshëm.

Për të garantuar financimin e këtyre prioriteteve, së pari do të hartojmë me shpejtësi projekt preventivat për secilin prioritet, (në rastet kur këto projekte mungojnë), duke angazhuar që në muajin e parë të mandatit specialistët më të mirë, inxhinierë, arkitektë dhe studio projektimi të licencuara që kanë aftësi dhe kualifikim për hartimin e projekteve cilësore për rrugë, ujësjellës, kanalizime të ujërave të zeza, kanale dhe vepra vaditëse, projekte mjedisore, turistike etj.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin ë administratorëve të njësive administrativë të bashkisë Dibër dhe cilat janë ato?

Kjo përbën një çështje me shumë rëndësi për të arritur në një konsolidim të organizimit të njësisë vendore të re, në këtë mënyrë kriteret për zgjedhjen e administratorit do të bazohen mbi eksperiencën që ka aftësitë teknike, menaxhuese, mbi të gjitha integriteti dhe vlerat që transmeton tek komuniteti të cilit do i ofrohet shërbimi.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin më qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Një qendër të platformës tonë për mandatin e ardhshëm do të jetë qytetari dhe vetëm qytetari. Ne kemi punuar edhe në mandatin e kaluar nën moton “të parët qytetarët”. Modeli i përdorur në mandatet e kaluara në bashkinë Peshkopi, ai i konsultimit me Komisionet Këshillimore Qytetare, do të vazhdojë të përsoset. Çdo projekt dhe punë e bashkisë së re do të synojë të përmirësojë jetën e dibranëve. Aktualisht bashkia ka finalizuar me sukses planin urbanistik të qytetit, gjë e cila është realizuar në konsultim me grupet e interesit dhe qytetarët. Kjo praktikë e mirë do të vazhdojë të përdoret edhe në hartimin e masterplanit urbanistik për bashkinë e re të Dibrës dhe për hartimin e planeve të detajuara vendore për ish komunat etj.

Një element mjaft i rëndësishëm i përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje, do të jetë buxhetimi me pjesëmarrje, konsultimi me bizneset dhe me qytetarët i paketës fiskale.

Elementi më i rëndësishëm është zbatimi i njërit nga prioritetet që kemi paraqitur në platformën elektorale , të cilën po jua bëjmë të ditur “Qeverisja elektronike ” hapja e zyrës me një ndalesë ,e cila përbën çelësin e ofrimit të shërbimeve optimale nga bashkia e madhe, meqenëse ky “instrument ” lidh direkt qytetarin me zyrtarin e bashkisë i cili ka për detyrë të ofrojë një shërbim të caktuar sipas rastit, ky sistem elektronik do të ketë ndërlidhje me të gjitha njësitë vendore që i përfshihen bashkisë sonë dhe ne tashmë kemi kapacitete të trajnuara pikërisht për këtë zyrë shërbimi.

Rol të veçantë do të kenë mbledhjet e hapura të këshillit bashkiak , komisionet qytetare të cilat do të konsolidohen më tej në bashkinë e madhe , aktiviteti periodik i “Dyerve të hapura në bashki” është gjithashtu modeli ynë.

Cilat janë hapat që do të ndiqni në mbrojtjen dhe rigjallërimin e pyjeve dhe turizmit malor në bashkinë e Dibrës gjatë mandatit tuaj?

 

Turizmi dhe rigjallërimi i pyjeve janë parë si një pikë me mjaft rëndësi për të investuar në mandatin e ardhshëm. Projektet konkrete të këtij sektori janë: Parku rekreativ i Luginës së Shërimit, promovimi i vlerave kulturore dhe historike të Dibrës, mbështetja e eventeve lokale, dhe rajonale që i japin zhvillim rritjes së turistëve në zonë, evidentimi i vlerave dhe aseteve të trashëgimisë kulturore dibrane, mbështetje e artizanatit si stimulues i turizmit dhe ekonomisë.

Projekte që kanë në fokus rigjallërimin e pyjeve janë: Pyllëzime me llojin Akacies në Komunat Kastriot, Tomin, Maqellarë, Melan dhe Sllovë, dhënia në përdorim për komunitetin lidhur me pyjet, Hartimi planit për menaxhimin e qëndrueshëm dhe ndalimin e prerjeve pa kriter të pyjeve dhe kullotave.

Cili është plani juaj për mirëmenaxhimin e burimeve termalë dhe zhvillimin e turizmit shëndetësor?

  1. Përmirësimi i kushteve të shërbimit brenda ambienteve të Llixhave
  2. Ndërtimi i parkut rekreativ të Llixhave në funksion të shëndetit të pushuesve
  3. Përmirësimi i sistemit të menaxhimit të tyre
  4. Ngritja e një qendre ditore për të gjitha grupmoshat

Cilat janë hapat që do të ndërmerrni për zhvillimin ë bujqësisë dhe blegtorisë në Bashkinë e Dibrës?

Theksi kryesor i investimeve në fushën e bujqësisë është vendosur tek frutikultura. Synohet që të ndërhyhet nëpërmjet disa projekteve që kanë synim vetëpunësimin e banorëve, por edhe rritjen e të ardhurave familjarë dhe ekonomike bujqësore.

Krijimi i zinxhirit të tregut të produkteve të frutikulturës:

  1. Nxitja e fermerëve për mbjellje të reja(mbështetja me 4 fidanishte për fermerët) të paktën me 20% të rritjes së sipërfaqes së mbjellë me pemëtore
  2. Fuqizimi i sistemit vaditës (Bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë, donatorë vendas dhe të huaj dhe me programe të ndryshme në fushën e Bujqësisë)
  3. Vënia nën ujë ë fushës së Maqellarës
  4. Vënia nën ujë ë fushës së Kastriotit
  5. Agropërpunimi (Nxitja dhe mbështetja e bizneseve lidhur me grumbullimin, magazinimin dhe përpunimin në dy qendra kryesore: Kastriot dhe Melan)
  6. Krijimi i markës rajonale (Made in Dibra)
  7. Hartim plani ,studimi për rritjen e prodhimit,në frutikulturën tradicionale në përputhje me nevojat e tregut.
  8. Mbështetja për blektorinë :

6.1. Mbështetja për fermerët blegtoral lidhur me rritjen e numrit të bagëtive dhe tufave të reja(të krijohen të paktën 15 tufa të reja)

6.2. Nxitja dhe mbështetja e sektorit të përpunimit të produkteve blegtorale

6.3. Nxitja për ndërtimin e baxhove Melan, Maqellarë, Kastriot dhe Kala e Dodës(kurse menaxhimi financiar /subvencion për fermat e vogla)

6.4. Markimi i produkteve blegtorale (Made in Dibra).