Interview4 Jun 2015

Kasëm Mahmutaj: Beratin do ta kthejmë në destinacion turistik të garantuar

Kandidati demokrat për bashkinë e Beratit thotë se do të shfrytëzojë të gjitha resurset natyrore dhe kulturore për të luftuar varfërinë dhe për të gjeneruar të ardhura për banorët e zonës. 

Author: Erjola Azizolli BIRN Berat
Print

 

Kasem Mahmutaj

Kasem Mahmutaj

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Beratit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh i Beratit sot është varfëria që sa vjen dhe thellohet edhe më shumë, për shkak të papunësisë. Varfëria, siç e dini, është pjellë e të gjitha të këqijave. Ky armik i egër i shqiptarëve ende nuk po mposhtet, gjë që ka bërë që ky vend për shumë kohë të jetë lehtësisht i manipulueshëm dhe tmerrësisht i keqpërdorshëm. Berati, krahasuar me qytete të tjera, ka shumë resurse natyrore dhe kulturore, të cilat janë shfrytëzuar pak ose aspak.  Ne synojmë të luftojmë dhe të fitojmë mbi varfërinë. Së pari, duke shfrytëzuar të gjithë resurset: njerëzore, natyrore, kulturore, që nga Tomorri deri në Shpirag, duke përfshirë edhe Beratin. Së dyti, duke bashkuar energjitë pozitive të banorëve të bashkisë së re, që krijon një treg të mbyllur agro-kultuoro-turistik, gjë që do të sjellë gjenerim të ardhurash. Së treti, ky treg i organizuar do të hapë shumë vende pune, si hoteleri në lagjet muzeale të Beratit, në zonën e Tomorrit dhe të Shpiragut. Turistët nuk do të qëndrojnë për disa orë në bashkinë e re të Beratit, por, duke koordinuar turizmin kulturor me atë malor, do të qëndrojnë edhe më gjatë. Së katërti, do të zhvillojmë biznesin bujqësor, blegtoral, turistik, fasoneri, përpunim agro-ushqimor bio dhe nxitjen e traditës së zejtarisë, duke ulur taksën vendore dhe duke zgjeruar bazën e tyre.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Beratit?

Berati është pjesë e UNESCO-s, mirëpo fatkeqësisht infrastruktura e tij e brendshme, rrugët e lagjeve, rrugicat e dikurshme me kalldrëm, por edhe disa shkolla dhe disa godina qendrash shëndetësore lënë mjaft për të dëshiruar.  Po ndalem pak më shumë tek buxheti i bashkisë së Beratit për përmirësimin e infrastrukturës së shkollave. Sot e gjithë kohën nxënësit e shkollave 9-vjeçare apo të mesme, por edhe në kopshte e çerdhe, fëmijët detyrojnë familjarët e tyre për të shpenzuar, qoftë për ngrohje gjatë periudhës së dimrit, qoftë për lyerje të ambienteve etj., në një kohë që të gjitha këto duhet t’i mbulonte bashkia nëpërmjet zërave të saj në buxhetin e parashikuar në çdo fillimviti.  Infrastruktura rrugore e Beratit sot është një tmerr i vërtetë. Nuk mund të flitet as për qytet të kategorisë së tretë e jo më për pjesë të trashëgimisë kulturore botërore.   Kemi nevojë urgjente të investojmë në infrastrukturë, për këtë do të përshpejtojmë procesin e hartimit dhe miratimit të Planit Rregullues të Beratit dhe vënien në zbatim të tij, duke përcaktuar një radhë prioritetesh, ku më i rëndësishme do të jetë ndërtimi i Unazës së Re të Beratit. Do të ndërtojmë një Berat, ku, krahas ruajtjes me fanatizëm të trashëgimisë, do zhvillojmë edhe Beratin modern, Beratin e ri, që do të mirëpres banorë dhe investitorë. Do të asfaltojmë, do ndërtojmë rrjetin e kanalizimeve dhe ndriçim të rrugëve kryesore dhe dytësore në lagjet dhe blloqet e pallateve.  Do të vëmë në punë brigadat e bashkisë për ndërtimin e rrugëve të kalldrëmta në lagjet tradicionale, por edhe rikthimin e kësaj tradite në shumë fshatra që i kanë pasur dikur rrugët e kalldrëmta në pasurinë e tyre.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Berat dhe cilat janë ato?

Po, kam meritokracinë, profesionalizmin dhe ndershmërinë. Ky do të jetë trinomi i qeverisjes sime lokale për 4 vitet e ardhshme, rrjedhimisht do të jetë busulla e vetme orientuese në çdo qelizë dhe çdo njësi të qeverisjes së bashkisë së re të Beratit. Kontrata me banorët e bashkisë së re do të jetë e ngritur mbi këto baza, po ashtu edhe kontrata me çdo bashkëpunëtorin tim të sotëm dhe të ardhshëm. Kompromis tjetër nuk ka, as kriter tjetër.

 Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Në radhë të parë do të ndryshojë tërësisht marrëdhëniet e komunikimit me publikun në bashkinë e re, dhe kjo jo vetëm për zonën rurale, por edhe për qytetin. Transparencë për gjithçka. Për çdo qindarkë të taksapaguesve beratas. Transparencë dhe llogaridhënie për çdo projekt, për çdo investim, për çdo ndërhyrje në çdo cep të bashkisë së re të Beratit. Berati nuk mund të realizojë potencialet e tij të plota nëse nuk ndryshon mënyra e qeverisjes lokale, duke luftuar, më së pari, korrupsionin, gjë që do të sjellë të ardhura më të mëdha dhe rrjedhimisht investime më të shumta.

Për t’u kthyer drejtpërdrejt të pyetja juaj, zyra e ankesave, kutia postare, gazeta informative e bashkisë, telefonat disponibël pa pagesë për të dëgjuar zërin e çdo banori të bashkisë së re të Beratit, do të jenë vetëm disa prej elementeve për përmirësimin e marrëdhënieve me publikun dhe vetëm disa prej mekanizmave që do të sigurojnë pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët.

Por ajo që është më e rëndësishme, është dita e takimit me qytetarët, qoftë në Rajonet e Beratit, ku çdo administrator rajoni do të ketë ditën e caktuar të pritjes dhe dëgjesës, por edhe në bashkinë e Beratit, ku çdo javë do të jetë dita e dëgjesës së qytetarëve dhe në prani të stafit tim do t’i japim përgjigje për çdo shqetësim të tyre.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit historik dhe kulturor të qendrueshëm në këtë bashki gjatë këtij mandati? Cilat investime infrastrukturore do të ndërmerrni në këtë drejtim në qytetin e Beratit dhe si do të realizohet ruajtja e qendrës historike nga erozioni, zjarri dhe ndërtimet pa leje?

E vërteta është se Berati është qytet me vlera të garantuara, vlera të cilat e çuan drejt shpalljes pasuri botërore më 8 korrik 2008. Ne do ta kthejmë Beratin në një destinacion turistik të garantuar, gjë që do të bazohet në platformën tonë, ku në qendër do të jetë zhvillimi turistik i qëndrueshëm dhe harmonik, duke ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore dhe natyrore. Natyra, kultura, folklori, pasuritë arkeologjike, monumentet e kulturës dhe të historisë, ofrojnë për zhvillimin e të gjitha llojeve të turizmit sipas kësaj oferte. Do të rivitalizojmë qendrat historike muzeale në lagjet “Mangalem”, “Goricë” dhe “Kala”, do të investojmë për mirëmbajtjen dhe konservimin e muzeut Onufri dhe Etnografik, ku një vend të veçantë do të zënë edhe objektet e kultit.  Do të rikthejmë vëmendjen nga trashëgimia kulturore jo materiale, këngët dhe vallet qytetare. Tregu artizanal, punimet e drurit, metalit, gurit etj. Do të rigjallërojmë prodhimet artizanale dhe traditën e tyre në Berat.

Agroturizmi do të zërë një vend të rëndësishëm, ku kantinat e Beratit, baxhot, fabrikat e përpunimit të ullirit, do të vendosen në një hartë të përgatitur nga bashkia, ku mund të vizitohen nga çdo turist, vendas dhe i huaj.  Ajo që do të marrë fund një herë e përgjithmonë do të jenë ndërtimet pa leje në zonat muzeale të Beratit, gjë që, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, është problematik në zonat muzeale.

Mbrojtja e zonave muzelae nga zjarri do të jetë prioritet i ynë për t’i dalë së keqes përballë.  Do të vëmë në punë impiantet kundër zjarrit në lagjet muzeale, që nuk funksionojnë prej kohësh, edhe pse Berati ka burime ujore, duke pasur lumin pranë, gjë që do të bënte të sigurt këtë pjesë. Ne do t’i bëjmë impiantet kundër zjarrit realitet, që vitin e parë të mandatit tona.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane dhe përmirësimin e sistemit të kanalizimeve?

E them me bindje se asgjë nuk mund të bëhet për mbetjet urbane për sa kohë Berati nuk do të ketë një vendgrumbullim (landfill) mbetjesh urbane të standardeve evropiane dhe impiantin e përpunimit të ujërave të zeza. Ndaj gjithë energjitë, vullnetin dhe përpjekjet e mia do t’i vendos në funksion të realizimit të këtyre dy objektivave madhore të infrastrukturës sonë për bashkinë e re. Asnjë investim tjetër nuk është kaq i rëndësishëm dhe askush nuk mund të renditet përpara domosdoshmërisë së këtyre dy impianteve jetike, për një qytet të pastër dhe modern. Për sa i takon pastrimit të qytetit dihet që kontratat e sipërmarrjes nga firmat e pastrimit në Berat, ashtu si në gjithë Shqipërinë, janë të ndërtuara me konsultën e USAID-it dhe ekspertëve ndërkombëtarë, pra, në bindjen time, ajo ç’ka sjell pjesën dërmuese të problematikave në funksionimin e këtij sektori kaq të rëndësishëm për një bashki si pastrimi janë: praktikat korruptive të tenderimit, të cilat kanë qenë pjesë e klientelizmit politik si dhe mungesa totale e supervizimit dhe kontrollit të kushteve të realizimit të kontratës.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale, mbështetjen e bujqësisë dhe promovimin e produkteve karakteristike të zonës (ulliri, vreshtaria, etj)?

Lidhur me infrastrukturën, në katër komunat që i bashkohen bashkisë së Beratit, akset kryesore rrugore që lidhin qendrat e këtyre komunave me qytetin janë të përfunduar gjatë periudhës së qeverisjes së PD-së. Mbetën shumë për të bërë lidhur me standardin e rrugëve ndërmjet fshatrave por për mua prioritet kryesor do të jetë sistemimi i ujërave, të zeza, ujërave të larta dhe funksionimi i pastrimit edhe nëpër këto ish-komuna.

Prioritet tjetër gjithashtu do të jetë edhe rehabilitimi dhe rivënia në funksionim e rrjetit të kanalizimeve dhe ujëmbledhëseve për vaditje dhe kullimin e tokave bujqësore.

Do të ushtroj gjithë autoritetin tim si kryetar bashkie në mënyrë që projekti i KFV-së, i cili parashikon furnizimin me ujë të pijshëm nga Bogova të Bashkisë Kuçovë, të rishikohet dhe të vlerësohet mundësia e furnizimit nga ky burim edhe i komunave që intercepton tubacioni magjistral që shkon drejt Kuçovës, pra fshatrat e ish komunës Otllak dhe Velabisht. Me një administrim të mire të ujit nga ndërmarrja e Ujësjellësit gjykoj se Ujësjellësi i Bogovës mund të plotësojë të gjitha nevojat e kësaj zone për ujë të pijshëm.

Berati me komunat përreth që formojnë bashkinë e re ka një pasuri të mrekullueshme, vreshta dhe ullinj në sasi të konsiderueshme por edhe një traditë që sa vjen e pasurohet lidhur me përpunimin e tyret, por edhe produkteve të tjera bujqësore. Aktualisht Berati zë vendin e parë sot në vend për prodhimin e verës, rakisë, vajit të ullirit si dhe shume artikujve të tjerë të industrisë agroushqimore.

Suvencionimi nga Bashkia i fermerëve në funksion të rritjes së sipërfaqeve me këto kultura si aktiviteteve agropërpunuese do të jetë prioritet i punës sonë.

Po ashtu do të jemi të vëmendshëm dhe luftarak në monitorimin e subvencioneve që jepen nga qeveria, në mënyrë që këto fonde mos të shkojnë në xhepat e klientelës politike të qeverisë por në destinacionin e duhur pra, tek fermerët dhe bizneset e këtij sektori.

Organizimi i panaireve lokale, kombëtare, pse jo edhe ndërkombëtare, me prodhimet e mrekullueshme të bashkisë sonë do të jenë një formë dhe një mekanizëm që ne nuk do të “përtojmë” t’i organizojmë me qëllime promovimin edhe njohjen e shitjes së tyre anekënd  Shqipërisë, por edhe shumë më larg.

Rivënia në funksion e tregut të madh të fruta-perimeve në Moravë, sistemimi i tregut në lagjen “30 Vjetori”  si dhe ndërtimi i një tregu ne lagjen “Murat Çelepi” do t’u japi mundësi fermerëve të orientohen drejt dhe të kenë gjithë lehtësirat e mundshme për të tregtuar prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale.

Cila do të jetë politika e bashkisë gjatë mandatit të ardhshëm në ndihmë të komunitetit rom të zonës? Si do të lehtësohen problematikat e tyre lidhur me arsimimin, strehimin, ndihmën ekonomike, etj?

Romët, kush i njeh sado pak, e di shumë mirë, ashtu si çdo shqiptar edhe ata nuk kanë nevojë për mëshirë  apo inskenime mediatike. Ata janë krenarë për identitetin e tyre dhe kanë nevojëpër punë , punë në traditën e tyre më të mirë dhe ata janë një popull me tradita të mrekullueshme.

Romët kanë nevojë të ndihen të mbështetur nga bashkia kur nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike edhe për një llambe ndriçimi apo frigorifer. Kanë nevojë të ndihen të mbështetur nga bashkia kur u bllokon policia motokarrot e tyre me të cilat mbledhin hekurishte e bidonë, kanë nevojë të orientohen dhe t’u sigurohet tregu për prodhimet e tyre artizanale. Berati dhe romët e Beratit dikur kanë pasur një ndërmarrje të mrekullueshme, prodhimet e së cilës tregtoheshin jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Po nuk i integruam në pune romët, por jo vetëm ata, gjithë të tjerat janë veçse retorikë.

 Në cilën mënyrë do të mbështesë bashkia qendrat sociale në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar dhe të moshuarve dhe a do të ngre bashkia e re qendra për këto grupe nën administrimin e saj?

Aktualisht në Berat ekzistojnë dy qendra sociale që janë në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar, mirëpo, ashtu si shumë sektorë të tjerë të bashkisë Berat, edhe këto dy qendra vuajnë nga keqadministrimi i drejtuesve aktual. Do t’u sjellë vetëm një shembull: qendra “Lira” harxhon nga buxheti i bashkisë Berat 160 milionë lekë të vjetra në vit, një shumë dukshëm e ekzagjeruar dhe që lë shumë vend për të menduar se aty abuzohet.

Së pari, ne do të mirëadministrojmë dhe mirëmenaxhojmë qendrat aktuale dhe, në vazhdimësi, do të shohim për ndërtimin e qendrave të tjera, sipas prioriteteve dhe nevojave.