Interview14 Jun 2015

Keti Bazhdari: Vizioni im për Shkodrën

Kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e re Shkodër thotë se problemi më i madh i zonës është gjakmarrja.

Author: Elvis Nabolli BIRN Shkodër
Print

Keti Bazhdari

Keti Bazhdari

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Shkodër dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Bashkia Shkodër, si një institucion më shumë probleme në organizim ka një pafundësi çështjesh të rëndësishme, të cilat kërkojnë të marrin zgjidhje në mënyrë urgjente. Por në programin tonë ka zënë një vend shumë të rëndësishëm problemi aq i mprehtë i gjakmarrjes dhe ngujimi i fëmijëve, të cilët detyrohen të braktisin shkollën për shkak të këtij fenomeni të përgjakshëm. Me fare pak shpenzime dhe më shumë vullnet ne do ia dalim që brenda dy viteve të para të mandatit t’i rikthejmë në shkollë të gjithë fëmijët e ngujuar.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Shkodër? Infrastruktura është një komponent mjaft i rëndësishëm në zhvillimin e një qyteti. Në këtë kuadër një fokus i veçantë do t’i kushtohet dy lagjeve turistike buzë liqenit të Shkodrës, Shirokës dhe Zogaj. Këto dy lagje janë lënë krejtësisht pas dore duke pësuar dita-ditës një degradim urban me pasoja serioze për të ardhmen. Për të evituar kaosin urban në këto zona do të ndërtojmë një plan me ndërhyrje objektesh minimaliste, me materiale të qëndrueshme për të mos dëmtuar mjedisin. Një prioritet të veçantë në programin tonë zë ndërtimi i superstradës Shkodër – Velipojë si dhe rikonstruksioni i rrugës së Dukagjinit në funksion të zhvillimit turistik. Do të ketë gjithashtu rikonstruksion të arterieve kryesore dhe rrugëve dytësore, do të rivitalizojmë sheshet kryesore dhe blloqet e banimit në çdo njësi vendore.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Shkodër dhe cilat janë ato?

Nëse flitet për kritere, mendja gjithmonë shkon tek eksperienca, arsimimi apo specializimet e ndryshme. Në stafin tim ka një numër të madh personalitetesh të cilët kanë kuruar deri në detaje programin tonë për të ardhmen e Shkodrës. Por ashtu si në çdo vend të përparuar, kriteri më i besueshëm është konkurrimi. Do të ketë patjetër një konkurs për administratorët e njësive administrative dhe në këto poste do të drejtojnë pikërisht fituesit e konkurseve, personat që do të marrin pikët maksimale dhe me performancën e tyre do të arrijnë të jenë bindës.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Jo më kot, pika e parë e programit tonë quhet “Bashkëqeverisje dhe transparencë”. Ne kemi parashikuar një pjesëmarrje efektive të publikut në marrjen e vendimeve. Vetëm në këtë mënyrë çdonjëri nga banorët e Shkodrës do të ketë mundësinë të shprehë opinionin apo shqetësimin për çdo vendim që sipas tyre mund të mos jetë i drejtë. Do të bëjmë transparence mbi çdo të ardhur, mbi çdo investim dhe shpenzim të bashkisë. Do të publikojmë online bilancin e bashkisë dhe të gjitha projektet. Do të bëjmë publikimin e çdo të dhënë administrative dhe financiare pranë hapësirave publike të çdo njësie administrative nëpërmjet një ekrani me prekje (touch screen) në të cilin çdo kalimtar i interesuar mund të tërheqë informacion.

Cili mendoni se është drejtimi i duhur për zgjerimin e qytetit të Shkodrës për të shmangur presionin për ndërtim në qendrën historike?

Pavarësisht kaosit urban që është shoqëruar me betonizimin e zonave qendrore të Shkodrës, mundësitë janë ende reale të realizohet një shperngulje graduale e ndërtimeve të reja drejt zonave periferike. Me shumë kujdes do të projektojmë plane me qëllim gërshetimin e zonave të gjelbërta me zonat e biznesit duke mbajtur një standart të ndërtimeve të reja dhe duke realizuar të ashtuquajturat ndërtime horizontale (pa shumë kate dhe miqësore me fëmijët).

Çfarë hapash do të ndërmerrni për të parandaluar përmbytjet në zonat e ulëta dhe për të parandaluar bllokimin e zonave malore nga dëbora?

Në bashkinë e re kemi parashikuar që njëra nga drejtoritë t’i kushtohet tërësisht emergjencave civile. Në programin tonë është parashikuar që kjo drejtori të pajiset me asete duke nisur nga borëpastrueset deri tek helikopteri. Synojmë lobimin deri në përmasa të tilla sa që shkarkimet e hidrocentraleve të jenë deri në ato nivele që dëmet e mundëshme të jenë minimale përballë fitimeve nga energjia e prodhuar. Në këtë mënyrë, për shkarkimet nga hidrocentralet, qeveria të detyrohet të mbajë përgjegjësi të plotë për dëmet, e po ashtu edhe për investimet e mundëshme që kthejnë fushat e nënshkodrës në terrene plotësisht të sigurta.

A mund të na rendisni disa rrugë lidhëse më fshatrat që ju i konsideroni si më të rëndësishme? Brenda çfarë periudhe kohore premtoni se do t’i ndërtoni këto rrugë?

Me ndarjen e re territoriale një rëndësi të madhe merr infrastuktura e zonave rurale. Ne do të investojmë dhe ndërtojmë në mënyrë të zgjuar kryesisht aty ku ka më shumë nevojë por dhe aty ku ka një plan zhvillimi për të ardhmen. Prioritetet janë të përcaktuara në programin tonë dhe do të gjejnë zbatim brenda pjesës së parë të mandatit kuptohet me ndihmën e qeverisë.

Çfarë do të bëni për përmirësimin e shërbimit të pastrimit në të gjithë bashkinë e re dhe për të ndaluar hedhjen e mbetjeve të gurta (mbetjet e ndërtimit) në çdo anë rruge siç veprohet aktualisht?

Mjedisi nuk është thjeshtë një çështje gjelbërimi por është baza e mirëqenies së një komuniteti. Shkodra ka infrastrukturën e nevojshme për menaxhimin e plotë dhe asgjësimin e mbetjeve urbane. Ne e kemi si objektiv primar menaxhimin e mbetjeve urbane me qëllim rikuperimin e tokës dhe sipërfaqeve ujore. Rajoni i Shkodrës ka gjithashtu dhe një landfill ende të pa vënë në eficencë me kapacitetin e tij dhe do të bashkëpunojmë fort me qëllim shfrytëzimin në maksimum të këtij impianti. Më pas, evitimi i pastrimit klasik dhe kalimi drejt pastrimit modern me makineritë e specializuara për këtë qëllim, do të jetë një prioritet i ardhshëm i yni.

Çfarë hapash do të ndërmerrni për zhvillimin e turizmit në Bashkinë e Shkodrës duke marrë parasysh se kjo bashki ka njëkohësisht turizëm detar, lumor, liqenor, kulturor dhe malor?

Kuptohet që turizmi është një vlerë e shtuar në bashkinë e re. Gjithë këto resurse të ju sapo i përmendët mund të shndërrohen në një atraksion jo vetëm për banorët dhe turistët vendas por edhe për turistët e huaj. Ne kemi tre pika konkrete ne programin tonë për turizmin:

a-      Promovimi dhe brandimi i Shkodrës si një qytet turistik, multidimensional, si bashki e kulturës, bukurive natyrore, artit dhe historise.

b-      Investimi në infrastrukturë për nxitjen e turizmit duke krijuar mundësi investimi për investitorë brenda dhe jashtë vendit në këto zona turistike.

c-       Krijimi i organizatës së menaxhimit të destinacioneve turistike të Shkodrës. (Projekt Pilot në nivel vendor në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit).

Çfarë masash do të ndërmerrni për urbanizimin e komunës Rrethina, furnizimin me ujë dhe kanalizime të kësaj komune që tashmë është në një masë të madhe e ndërtuar?

Komuna rrethina ka një specifikë të veçantë për shkak të territorit të shtrirë dhe numrit të madh të banorëve. Ne kemi projekte të detajuara për vënien në eficencë të kanaleve vaditëse dhe kulluese në tokat bujqësore ndërkohë që do të bashkëpunojmë ngushtë edhe me qeverinë për gjetjen e fondeve të nevojshme për furnizimin me ujë në disa fshatra të kësaj komune ku ka pasur vazhdimisht probleme me ujin e pijshëm.

Bashkia Shkodër ka një komunitet të konsiderueshëm romësh dhe egjiptianësh. Çfarë do të bëni ju gjatë mandatit tuaj për të përmirësuar kushtet e strehimit dhe jetesës për këtë komunitet?

Kur ne kemi shpalosur alternativën tonë, kemi vënë në plan të parë krahas transparencës edhe barazinë. Kjo nënkupton qartë se një nga prioritetet është edhe integrimi i shpejtë i këtyre komuniteteve në jetën e qytetit. Për vite me radhë si romët ashtu edhe egjiptianët kanë qenë ndoshta kategoria më e margjinalizuar në rajonin e Shkodrës dhe kjo ka ardhur kryesisht për shkak të politikave diskriminuese ndaj këtyre komuniteteve. Kur në një pjesë të programit kemi deklaruar se do të zgjidhim përfundimisht problemin e strehimit në qytet, këtu patjetër nuk bëjnë përjashtim romët apo egjiptianët. Një gjë tjetër është pastaj integrimi i tyre në përditshmërinë e qytetit dhe sigurimi i kushteve të favorshme për punësim, një pikë e programit që do të gjejë zbatim që në muajt e parë të punës së bashkisë së re.