Interview16 Jun 2015

Klement Ndoni: Do të asfaltoj qytetin

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e re Këlcyrë premton rehabilitimin e qendrës së qytetit si dhe sistem ngrohjeje për shkollat.

Author: Raimond Kola BIRN Këlcyrë
Print

Klement-ndoniCili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë së Këlcyrës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë në 24. Ndonëse  notojmë mbi ujë dhe prodhojmë e shesim për të tjerët. (Uji Trebeshina ). Kemi hartuar projektin përkatës e kemi paraqitur në qeveri dhe kemi marrë premtimin që do financohet duke i dhënë fund një problemi të mbartur në vite dhe që është kthyer dramë për familjet e Këlcyrës.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Këlcyrë?

-Rikualifikim urban i qendrës së qytetit .

-Sistemim asfaltim i rrugës hyrëse të qytetit (vijim). Është përfunduar faza e parë.

-Sistem ngrohje për shkollat e qytetit

-Rikonstruksion i spitalit të qytetit.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Këlcyrë dhe cilat janë ato?

Kriteret e përgjithshme  qe parashikon ligji për një punonjës të administratës publike. Aftësi organizative , i njohur me problemet e njësisë që do mbulojë, të dijë të punojë në grup dhe eksperiencë pune drejtuese . Nuk kam frikë të pranoj që do të jetë përfaqësues apo mbështetës  i koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Konsultimi me publikun, grupet e interesit si dhe banorët do të jetë konstante e punës sime qeverisëse për katër vitet e ardhshme. Njoftime publike, njoftime në tv kabllor, takime periodike mujore publike në çdo qendër komune, mbledhje të rregullta mujore me kryepleqtë si dhe takime me popullin 4 ditë në javë në zyrë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për mbrojtjen e territorit dhe shfrytëzimi pa kriter për gurore apo aktivitete të tjera që bien ndesh me mbrojtjen e pasurive natyrore?

Në çdo rast zbatimi i ligjit dhe bashkëpunim i ngushtë me institucionet që ligji ngarkon me detyrë në ketë fushë.

Çfarë hapash specifikë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për mbështetjen e vreshtarisë dhe prodhimit të verës?

Vreshtaria dhe prodhimi i verës për shkak të klimës por edhe traditës është një resurs i pazëvendësueshëm dhe mundësi e mirë punësimi dhe gjenerimi të ardhurash për ata që merren me këtë biznes.  Qeveria ka një serë projektesh mbështetje për këtë fushë, si për fermerët por edhe prodhuesit e agropërpunuesit. Do të nxis bizneset aktuale si dhe hapjen e te rejave duke i mbështetur dhe paraqitur pranë qeverise për mbështetjen e tyre financiare sipas skemave që tashme janë publike nga qeveria.

Çfarë hapash specifikë do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e gjendjes së shtresave në nevojë? 

Futja e tyre në skemën e ndihmës ekonomike, mbështetje financiare për fëmijët e tyre në pajisjen me libra e baze materiale shkollore, këmbëngulje për afrimin e biznesit fason për punësimin e tyre.

Çfarë hapash konkret do të merrni gjatë mandatit tuaj për krijimin e një marke për produktet tradicionale të marketimin e tyre në nivel kombëtar?

Është tashmë e krijuar së bashku dhe me mbështetjen e CESVit , marka pro Përmet , me produktet tradicionale dhe rreptësisht të pastra të trevës së Përmetit.

Çfarë hapash do të ndërmerrni për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në zonat e thella të bashkisë Këlcyrë?

Këto janë politika që i ushtron kryesisht qeveria qendrore. Por unë do të paraqes projekte për ndërtim ambulance për çdo fshat kudo që të ndodhet. Shërbimi shëndetësor do të shkojë për këdo që ka nevojë pavarësisht ku ai ndodhet dhe brenda mandatit të kësaj qeverie do të jetë falas.