Interview4 Jun 2015

Myslim Haxhi: Strategjia ime me 10 pika për Kuçovën

Kandidati i djathtë për Kuçovën premton se do të zgjidhë problemet e papunësisë dhe do t’i japë fund gjendjes së mjerueshme të infrastrukturës në territorin e bashkisë së re.

Author: Erjola Azizolli BIRN Kuçovë
Print

Myslim Haxhiu

Myslim Haxhiu

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Kuçovës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Vendosa të kandidoj për Bashkinë e re të Kuçovës sepse kam një program të qartë dhe një strategji të mirëorganizuar për menaxhimin dhe ndryshimin e gjendjes në të cilën ndodhet qyteti i Kuçovës dhe fshatrat e tre njësive vendore që i bashkëlidhen Kuçovës.
Problemet e banorëve të bashkisë së re janë të shumta dhe po të doja të bëja një renditje secili prej problemeve është shumë i rëndësishëm dhe jetik për banorët e kësaj bashkie, si papunësia, infrastruktura, furnizimi me ujë, kanalizimet, gjendja e shkollave, terrenet sportive, uji i vaditjes, kanalet kullues, rrugët e arave, ndotja, etj
Për të luftuar këtë gjendje të rëndë e të pashpresë që sot ekziston lidhur me papunësinë dhe gjendjen ekonomike të pjesës më të madhe të banorëve të bashkisë sonë nga ana jonë do të ndërmerren disa masa të menjëhershme.
1. Ulja në masën 50% të tarifave dhe taksave vendore për biznesin dhe familjarët.
2. Heqja e tarifave dhe taksave vendore për familjet në nevojë.
3. Thithja e investitorëve vendas dhe të huaj me qëllim shtimin e punësimit.
4. Kalimi për investime i rreth 50% të buxhetit të baskisë.
5. Liberalizimi dhe dhënia e lejeve të ndërtimit, bllokimi i të cilave ka thelluar më shumë krizën në këto njësi. A e dini që sot në të gjithë territorin nuk mund të meremetosh as shtëpinë që të dëmton tërmeti apo reshjet e dimrit. Me qindra vende pune i ka kushtuar Kuçovës ky cinizëm asfiksues dhe për më tepër pushteti lokal i deri tanishëm përfshi edhe prefekturën nuk ka bërë asnjë gjë për të dalë nga ky kaos.
6. Do të bashkëpunoj me biznesin apo sipërmarrjet e mëdha për hartimin dhe zbatimin e projekteve për nxitjen e punësimit, në këtë bashkëpunim bashkia do të marrë përsipër uljen e tarifave dhe taksave lokale apo pagesën e sigurimeve shoqërore për 6 muaj deri në një vit për çdo të punësuar të ri.
7. Për bizneset e porsa hapura apo për bizneset që hapin emigrantët e sapo kthyer do të hiqen taksat lokale për një vit.
8. Ndërtimi i kanaleve kulluese dhe vaditëse në të gjithë fshatrat ku është e mundur
9. Përmirësimi i rrugëve të arave.
10. Stimulimi i industrisë agropërpunuese, grumbulluese dhe eksportuese për prodhimet  bujqësore.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në Bashkinë e Kuçovës ?
Për sa i përket infrastrukturës rrugore qyteti ynë është në gjendje të mjerueshme. Në këto 25 vite në qytetin e Kuçovës pushtetarët lokal janë mjaftuar vetëm me besnikërinë që elektorati ka pasur historikisht ndaj këtij krahu politik. Kjo besnikëri drejtuesit lokal i ka vënë në një gjumë të zgjatur letargjik, infrastruktura rrugore nëpër lagje dhe midis lagjeve të Kuçovës janë në momentin me kritik të saj vetëm rrugë dhe rrugica nuk mund të quhen.
Të gjithë në ditët me shi shndërrohen në përrenj dhe kanë mbetur në këtë gjendje vetëm për mungesë projektesh dhe për mungesë të vullnetit të mirë.
Vota për koalicionin “Punë dhe dinjitet” në Bashkinë e Kuçovës nuk do të shërbej vetëm për ti dhënë një trajtë dhe formë këtij qyteti, por do të zgjoj nga gjumi letargjik edhe të majtën kuçovare .
Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore në territorin e Kuçovës është plotësisht i realizueshëm jo në katër vjet, por në projektet dinjitoze dhe bindëse kjo do të realizohet brenda dy-vjeçarit të parë të mandatit.

Siç theksova brenda dy viteve të para të mandatit do rikonstruktohen të gjitha rrugët dhe rrugicat e lagjeve, të gjitha lagjeve tradicionale të qytetit  si dhe lagjeve të reja të krijuara gjatë viteve të fundit.

Do përfundoj rruga e nisur në fshatin Magjat, projekt shumë i rëndësishëm që do realizohet, është rruga që do lidh qendrën e Lumasit me Kuçovën që është rruga Kuçovë-Gjolivan-Pashtraj-Bardhaj-Lumas-Pllumbas-Belesov-Mëndrak.
-Projekte të rëndësishme që do të realizohen janë rrugët si e ajo e Velagoshtit, Kuçovë-Gorraj, Havaleas –Fjermimar- Ura e Plakës, e Fermës Partizani, e Ferrasit, e Zdravës, Vodëz-Krekëz- Koritëz, e Luzajt në Demollarëvë – Përmirësimi dhe shtrimi me rërë bituminoze i të gjitha rrugëve të lagjeve të fshatrave të bashkisë së re.
-Përmirësimi dhe shtrimi me rërë bituminoze i të gjitha rrugëve të lagjeve të fshatrave të bashkisë së re.
-Një problem shumë i madh është furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e Kuçovës dhe fshatrave të Komunës Perondi dhe Lumas. Për këtë problem do të ketë ndërhyrje të menjëhershme  duke përmirësuar rrjetin e furnizimin si dhe duke rritur kërkesën e llogarisë për një menaxhim më të mirë me qëllim furnizimin sa më të mirë të banorëve . Do të  ketë projekte konkrete për furnizimin me ujë të çdo banori të bashisë së re. Pasi sot nuk furnizohen me ujë edhe pse rrjeti i ujësjellësit ekziston Tapia, Goraj dhe lagje të ndryshme në Kuçovë. Është për të ardhur keq që fshatra si Krrekëza, Koriteza e Sheqeza janë pa ujë vetëm për një pompë uji apo një puse uji. Për të gjitha rastet nga ana jonë do ndërhyhet menjëherë duke bërë të mundur furnizimin me ujë të banorëve.

Do rikonstruktohen të gjitha sheshet e pallate në Kuçovë  si dhe në çdo lagje do krijohen mini parqe për pushimin e qytetarëve.

Vëmendje e veçantë gjatë këtij mandati do i kushtohet hartimit dhe realizimit të projekteve për sistemimin dhe largimin e ujërave të zeza, mbulimi i kanaleve të ujërave të zeza, të cilat sot janë të hapura në Kuçovë dhe ndotin ambientin. Gjatë këtij mandati ne do të bëjmë të mundur zgjidhjen e këtij problemi si për lagjet e Kuçovës edhe për fshatrat.
Në 4 vjet përveç infrastrukturës rrugore do të realizohet edhe rikonstruksioni i fasadave të pallateve .

Një rëndësi e veçantë gjatë këtij mandati do i kushtohet infrastrukturës arsimore, pasi për ne është shumë i rëndësishëm arsimimi i fëmijëve dhe mendojmë se e ardhmja e një vendi varet nga cilësia e arsimimit të fëmijëve, në këtë këndvështrim e shohim si shumë të rëndësishëm edhe cilësinë e ambienteve arsimore.

Do të bëhet rikonstruksioni dhe rehabilitimi i të gjitha shkollave, kopshteve dhe çerdheve të territorit të bashkisë.
-Më emergjente janë rikonstruksioni i shkollave, “18-Tetori” “Gaqi Karakashi” , Shkolla e Bashkuar Perondi, shkolla e fshatit Goraj, shkollat e fshatrave të komunës Lumas, që janë në kushte të mjerueshme mësim-dhënie.
Rëndësi e veçantë do i kushtohet edhe krijimit të këndeve sportive në shkolla me qëllim që ato ti shërbejnë jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit duke bërë të mundur që shkollat të kthehen, në shkolla komunitare.

Një problem për banorët mbetet edhe largimi i ujërave të ndotura dhe mbulimi i kanaleve të ujërave të zeza. Gjatë këtij mandati ne do të bëjmë të mundur zgjidhjen e këtij problemi
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të Bashkisë Kuçovë dhe cilat janë ato ?
Kriter bazë për emërimin e administratorëve të bashkisë do të jetë vetëm aftësia, ndershmëria dhe përkushtimi i tyre në shërbimin ndaj qytetarëve.
Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë ?

-Ngritja e komisioneve qytetare në çdo zonë dhe për të gjitha fushat.
-Hapja e faqes zyrtare të Bashkisë Kuçovë, ku të kenë akses të gjithë qytetarët për të shprehur mendimet e tyre
-Krijimi i departamenteve për ti dhënë zgjidhje problemeve të ndryshme
Cilët hapa konkrete do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura naftëmbajtëse ose ish-industriale? Cilat vatra ndotjeje do të kenë më shumë prioritet ?

Do të mbyllim rafinerinë, e cila është një kancer që çdo dite shkurton jetët e qytetarëve të Kuçovës.
-Do të vëmë në zbatim projektin për rehabilitimin e zonës së ish-përpunimit të naftës si një nga zonat më të ndotura të qytetit, duke e kthyer këtë zonë, në një mjedis të gjelbëruar dhe një destinacion për çlodhje dhe argëtim të të gjitha moshave
-Do të detyrojmë kompanitë vendase ose të huaja që shfrytëzojnë vendburimin të rehabilitojnë zonën pranë çdo pusi apo grupi prodhimi sipas standardeve mjedisore dhe ligjeve në fuqi.

Do bëhet mbulimi i të gjitha kanaleve të ujërave të zeza, të cilat sot kalojnë në gjendje të hapur nëpër lagjet e Kuçovës.
-Në bashkëpunim me njësit e tjera vendore do punojmë për ndërtimin e landfilldit për përpunimin e mbetjeve urbane.
Cila do te jetë mbështetja e bashkisë së re gjatë katër–vjeçarit të ardhshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë zonë?

Siç e theksova edhe më sipër bujqësia është një sektor shumë i rëndësishëm dhe kërkon mbështetje të madhe nga pushteti lokal nga ana jonë mbështetja do konsistojë në :
1. Sigurimin e vaditjes për pjesën më të madhe të fshatrave të Perondisë, Kozares e Lumasit
2. Ndërhyrja dhe pastrimi i menjëhershëm i të gjitha kanaleve kulluese
3. Nxitja dhe ndërtimi i industrisë grumbulluese përpunuese dhe eksportuese për produktet bujqësore dhe blektorale
4. Mbështetja me financim nga ana e bashkisë për agrobiznesin
5. Stimulimi dhe mbështetje për specializimin e prodhimeve bujqësore dhe blektorale
Cilat masa konkrete do të ndërmerrni për të parandaluar përsëritjen e përmbytjeve në këtë bashki ? Çfarë masash do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën mbrojtëse përgjatë lumit Devoll ?
Lumi Devoll është një lum kapriçoz, i cili vazhdimisht ka sjell probleme për banorët e Komunës Kozare si në përmbytje, ashtu edhe në gërryerjen e tokave bujqësore. Aktualisht ne kemi të hartuar dhe jemi gati për financim të disa projekteve  për prita lumore dhe me konkretisht dy prita lumore në fshatin Frashër, pritë lumore në Gegë, pritë lumore në Vlashuk, pritë lumore në Havaleas dhe pritë lumore në Salc –Kozare.
Cilët hapa konkret do të ndërmerrni në ndihmë të familjeve në nevojë gjatë këtij mandati (politika fiskale në ndihmë të bizneseve, ndërtimi i banesave sociale, miradministrimi i ndihmës ekonomike, etj ?

-Në konceptin tonë shumë i rëndësishëm është punësimi i qytetarëve  dhe gjatë këtij mandati do ndërmjetësojmë për  punësimin e një anëtari të familjeve në nevojë.
-Ndihma ekonomike gjatë mandatit tim do të shkojë vetëm për njerëzit në nevojë duke bërë të mundur rritjen e kësaj ndihme ekonomike
-Do të ulen tarifat dhe taksat vendore për bizneset në masën 50% pasi Kuçova ka sot tarifa dhe taksat vendore më të larta në Shqipëri.
-Problemi i strehimit në Kuçovë është një problem i madh sidomos për komunitetin Rom dhe egjiptian .
-Për të gjithë të pastrehët do ndërtohen banesa sociale duke shfrytëzuar edhe fondet e BE-së për këto komunitete
-Do të ulen tarifat dhe taksat vendore 50% për të gjitha familjet
-Do të hiqen tarifat dhe taksat vendore për familjet në nevojë
-Do të hiqen tarifat dhe taksat vendore për invalidët dhe veteranët, etj.
Në vizionin tim Bashkia e Kuçovës nuk është vetëm bashki e 60.000 banorëve, por bashkia që do të  ngjall 60.000 shpresa, bashkia që do të realizoj 60.000 ëndrra, bashkia që do stimuloj 60.000 talente, bashkia e 60.000 mundësive .
Kjo është Kuçova që shohim ne me “PUNË DHE DINJITET”