Interview2 Jun 2015

Nezir Rizvani: Do të punoj për bujqësinë, turizmin dhe artizanatin

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Mat premton rrugë fshatrash, ujë të pijshëm dhe ujë për vaditje për banorët e bashkisë së re.

Author: Hysen Likdisha BIRN Burrel
Print

Nezir Rizvani | Foto nga : Facebook

Nezir Rizvani | Foto nga : Facebook

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë  së Matit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh në Bashkinë Mat është ai  i papunësisë, nivelit t ë ulët të jetesës dhe varfërisë. Kjo gjendje është rrjedhojë e një infrastrukture të munguar dhe në gjendje shumë të vështirë, të mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm dhe ujit vaditës, të mungese se prodhimit për treg ku pjesa dërmuese e fermerëve prodhojnë vetëm për vetkonsum, të papunësisë së lartë në qytetin e Burrelit etj.

Problemet e mësipërme nuk zgjidhen pa siguruar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të mbështetur në burimet dhe resurset ekonomike të zonës duke nxitur degët prioritare të ekonomisë, mbi të cilat do të mbështetet ky zhvillim ekonomik, që sipas mendimit tim janë bujqësia, blegtoria, eko-turizmi, agro-turizmi, industria agropërpunuese dhe artizanati.  Për sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në radhë të parë duhet të krijohen kushtet e domosdoshme për arritjen e një synimi të tillë që janë infrastruktura rrugore, furnizimi me ujë, dhe krijimi i mundësive të prodhimit për treg.

Për këtë arsye investimet publike do të adresohen kryesisht në përmirësimin dhe ndërtimin e një infrastrukture rrugore bashkëkohore, në furnizimin me ujë të pijshëm dhe ujë vaditës.

Do të ulen taksat për  biznesin brenda kufijve që mundëson ligji.

Do të ndihmohet me asistencë teknike profesionale biznesi dhe fermerët në drejtim të hartimit të programeve të zhvillimit, kreditimit, të tregjeve, të cilësisë së farërave, përmirësimit racor etj.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Matit? (Kërkohet një listë sa më konkrete e objekteve që synohen të riparohen).

Aty ku janë nevojat më jetike të qytetarëve siç janë lidhja me rrugë e fshatrave  Batërr e Madhe, Rremull, Shoshaj, Stojan etj, përmirësimi i cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm ne fshatrat Gërman, Lis e Baz si dhe disa ndërhyrje në furnizimin me ujë vaditës. Në shumicën e rasteve nuk kërkohen fonde të mëdha financiare por një menaxhim më i mirë i burimeve ekzistuese dhe një vëmendje më e madhe. Këto që përmenda  janë një pjesë e atyre rasteve ku kërkohet ndërhyrje urgjente, por përpara mbylljes së vitit aktual dhe miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm do të hartohet dhe miratohet një listë e prioriteteve ku do të adresohen investimet publike për vitin e ardhshëm.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Mat dhe cilat janë ato?

Profesionalizmi dhe aftësitë administrative, pastërtia e figurës, besueshmëria te qytetarët  dhe përkushtimi ndaj detyrës.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

–              Organizimi dhe përdorimi efektiv I mbledhjeve të hapura me komunitetin.

–              Anketimi dhe vrojtimi për problematika të caktuara.

–              Organizimi i mbledhjeve të hapura me grupet e interesit.

–              Organizimi i mbledhjeve dhe konsultimeve me përfaqësuesit direkt të qytetarëve në lagje apo fshatra (pleqtë, kryepleqtë).

Çfarë masash do të ndërmerrni për të siguruar transportin e nxënësve në shkollë nga fshatrat e thellë brenda vitit të parë të mandatit tuaj?

Problemi kryesorë i nxënësve në fshatrat e thella është cilësia e mësimdhënies për shkak të mësimdhënies në klasa kolektive si dhe mungesa e infrastrukturës rrugore për mundësimin e transportit të tyre. Pa përmirësimin e infrastrukturës rrugore nuk mund të mundësohet transporti i nxënësve në shkollat më të afërta që mundësojnë një mësimdhënie në klasa normale. Megjithatë në qytetin e Burrelit ndodhet një konvikt me kapacitete të mjaftueshme dhe me kushte normale që në konsultim dhe bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe qytetarët mund të përdoret për mundësimin e arsimimit të këtyre nxënësve në shkollat e qytetit të Burrelit.

Çfarë masash do të ndërmerrni për të garantuar pastrimin e Bashkisë Mat, veçanërisht brigjeve të lumit Mat të cilat janë aktualisht të mbushura me plehra?

Mbetjet urbane janë një problem shqetësues  për të gjithë Bashkinë Mat. Duke filluar nga rruga hyrëse në grykën e Shkopetit gjatë gjithë gjatësisë së rrugës, në të gjitha rrugët hyrëse të qytetit të Burrelit, nëpër luginën e lumit Mat, kudo shikon mbetje urbane të hedhura që ndotin ambientin dhe dëmtojnë mjedisin. Për përmirësimin e situatës do të sigurohet mbledhja, tërheqja dhe trajtimi i mbetjeve urbane të paktën në të gjitha zonat ku infrastruktura e krijon këtë mundësi.

Do të hartohet projekti dhe mundësohet ndërtimi i një landfilli të depozitimit të mbetjeve urbane.

Çfarë hapash do të ndërmerrni për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme, mbrojtjen e liqeneve nga peshkimi i paligjshëm me dinamit dhe për zhvillimin e turizmit?

Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe  në konsultim me komunitetin do të gjenden rrugë të bashkëpunimit dhe administrimit të përbashkët qeverisje vendore – komunitet të pyjeve dhe burimeve ujore. Nga ana tjetër nga strukturat ekzekutive të Bashkisë dhe administratorët do të realizohet zbatimi i ligjshmërisë  për pyjet dhe burimet ujore.

Për sa i përket zhvillimit të turizmit theksojmë se Bashkia Mat me resurset e saja ka kushte shumë të përshtatshme për zhvillimin e ekoturizmit dhe agro turizmit. Për zhvillimin e kësaj dege të ekonomisë nevojitet ndërtimi I infrastrukturës së nevojshme,sidomos asaj rrugore, specializimi, trajnimi dhe edukimi I popullsisë në këtë drejtim ruajtja e ambientit dhe e mjedisit. Eko turizmi dhe agroturizmi janë një faktor I rëndësishëm I rritjes ekonomike dhe të nivelit të jetesës në zonat rurale.

Çfarë do të bëni si kryebashkiak për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Matit?

Bashkia Mat përmbledh në vetvete disa krahina me specifikat e tyre etnokulturore si Ulza, Baz-Komsi, Lis dhe Prelli. Në këto kushte në radhë të parë do t’i kushtohet rëndësi mbledhjes dhe ruajtjes së kësaj trashëgimie. Po ashtu e gjithë treva e bashkisë Mat është e pasur me objekte arkeologjike shumë pak të zbuluara dhe pothuajse aspak të shfrytëzuara kështu që do të bëhen përpjekjet maksimale që ti kushtohet një vëmendje edhe kësaj trashëgimie. Në këto kushte do të marrë një vëmendje më të madhe dhe një dimension të ri edhe qendra kulturore ekzistuese në bashkinë Burrel si dhe muzeu historik i cili do të vitalizohet. Do të synohet një partneritet publik-privat për ti dhënë një shtytje të re zhvillimit të sportit.