Interview4 Jun 2015

Petrit Sinaj: Si do ta zbus papunësinë në bashkinë e Beratit

Kandidati i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim për bashkinë e Beratit premton ndërhyrje në infrastrukturë dhe mbështetje të bujqësisë për ta nxjerrë qytetin historik nga izolimi dhe braktisja shumëvjeçare.

Author: Erjola Azizolli BIRN Berat
Print

Petrit Sinaj

Petrit Sinaj

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Beratit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh i bashkisë së re të Beratit në aspektin infrastrukturor është kthimi i lagjeve informale, periferike në lagje të jetueshme me rrjete të rregullt kanalizimesh të ujërave të bardha e të zeza si dhe furnizimi me uje 24 orë për qytetin e Beratit e më gjerë.

Sfidë gjithashtu në mandatin tim të parë do të jetë ndërveprimi ekonomik i komunave me qytetin në kuadër të bashkisë së re dhe për këtë jemi duke studiuar se ku do të jenë tregjet dhe pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore si dhe zhvillimin agrokulturor të bashkisë së re. Në planin social, sfida ime në mandatin e parë është dhe punësimi dhe për këtë gjë do të shfrytëzojmë të gjitha resurset e zonës së Beratit që nga turizmi, agrokultura, zhvillimi i industrisë së lehtë përpunuese dhe asaj fasone në veçanti, për të zbutur sa do të jetë e mundur papunësinë si një sëmundje që po gërryen dhe vendet e zhvilluara.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Beratit?

Brenda vitit të parë do të ndërhyjmë për rikonstruksion në drejtim të arsimit në shkollën e lagjes “Uznovë”, fshatit Starovë, kopshti “Barikada 2” “Barikada 3”, kopshti i lagjes së banesave, kopshti i “Uznovë” si dhe të gjitha çerdhet në qytetin e Beratit. Sigurisht që në buxhetin që do kemi dhe grantet ndihmëse të qeverisë do caktojmë prioritetet siç përmenda shkollat më lartë dhe në drejtim të shëndetësisë apo në rrjetin rrugor siç është prioritet rruga që të çon në parkun e Tomorrit apo që lidh Sinjën me Ballshin shto projektet e rrugëve të tjera, si dhe riveshja me kalldrëm e të gjitha rrugëve dytësore në lagjet muzeale. Prioritet do të jenë rikonstruksion e rrugëve në lagjet e ndryshme të qytetit, të cilat nuk kanë përfituar deri tani, siç është lagja “Çlirim”, “Dëshmorët e Kombit” dhe zona hyrëse e Beratit, pa harruar dhe lagjen Uznovë me rrethinat e sajë.

A keni një liste kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Berat dhe cilat janë ato?

Personalisht mendoj dhe bëjë pjesë tek ata njerëz që e vlerësojë punën në grup, por në një staf të kualifikuar dhe me arsimin e duhur. Filozofia ime për administratën qëndron tek shërbesa, devotshmëria dhe motivimi për ti shërbyer qytetarit. Administratorët e ardhshëm duhet të gëzojnë respektin e qytetarit dhe të dinë ti shërbejnë atij larg çdo arrogancë e mospërfillje ndaj komunitetit, prandaj kushti themelor i qëndresës apo i emërimit do të jetë meritokracia, megjithëse bashkia Berat ka një staf dhe ka një përvojë të mirë pune, por që duhet përmirësuar.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët ( Sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Mekanizmi kryesor për të siguruar konsultimin me qytetarët do jetë transparenca për çdo qindarka që do të investohet ku jo vetëm nëpërmjet faqeve online, por edhe nëpërmjet buletineve do të bëjmë të mundur që qytetarët të dinë ç’po bëhet me paratë dhe taksat e tyre. Një zë i rëndësishëm në vendimmarrje është edhe Këshilli Bashkiak ku ka përfaqësues të zonave rurale si dhe gërshetim të grupeve të interesit, gruas, rinisë, biznesit. Një zë i rëndësishëm që do të sigurojë transparencën do të jetë dhe njohja e administratorëve me taksat e mbledhura si zona dhe investimet që do të bëhen mbi bazën e prioriteteve.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me nxitjen e turizmit historik dhe kulturor të qëndrueshëm në këtë bashki gjatë këtij mandati? Cilat investime infrastrukturore do të ndërmerrni në këtë drejtim, në qytetin e Beratit dhe si do të realizohet ruajtja e qendrës historike nga erozioni, zjarret dhe ndërtimet pa leje?

  • Ruajtja dhe rikonstruksioni i fasadave të lagjeve muzeale,
  • transport komod publik dhe privat ne kala,
  • teleferik në anën lindore të Mangalemit, me destinacion kalanë e qytetit
  • promovim të vlerave të qytetit me anë të faqeve në internet,
  • Bashkëpunim me agjencitë turistike, sistemim të rrugëve hyrëse dhe dalëse.
  • Bashkëpunim me Drejtoritë e Monumenteve dhe Muzeun Onufri për të pasur një zë për investim në turizmin historik dhe kulturor që qendrat historike të ruhen nga erozioni. Për këtë do evidentojmë rreziqet me adekuate dhe në koordinim dhe me specialistët e mjedisit do marrim masat e nevojshme.
  • Për ruajtjen e zonave muzeale do bëjmë efikas sistemin e hidranteve si dhe një postë emergjente në hyrjen ne kala.
  • Do mundësojmë pastrimin e këtyre zonave me mjete motorike të depërtueshme nëpër këto lagje si dhe pajisjen me kontenier të ndarë sipas mbetjeve.

 

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj  lidhur me menaxhimin e mbetjeve dhe përmirësimit të sistemit të kanalizimeve?

Përgjithësisht, në pjesën më të mirë të zonave rurale infrastruktura rrugore nuk mungon, sepse një pjesë rrugësh janë bërë nga Fondi i Zhvillimit.

Zonat rurale, problemin më të madhe e kanë në KUZ dhe furnizimin me ujë të pijshëm. Hapat konkretë në këtë drejtim do të hidhen për sistemimin e këtyre kanalizimeve e të gjithë rrjetit në tërësi. Me reformat që do të bëhen në ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve, mbështetur edhe nga një projekt gjerman do të mundësojnë furnizimin me ujë 24 orë të zonës së Beratit dhe ndërtimin apo rikonstruksionin e të gjithë HUZ.

Për sa i përket mbetjeve urbane duhet të marrë fund praktika e mëparshme e kazanëve ku mbetjet digjeshin, apo zona të tëra ktheheshin në toksike duke helmua dhe ujërat. Jemi duke iniciuar një projekt për një landfill në Berat, gjë që është iniciuar që kur kam qënë Kryetar Qarku dhe ndarja e re administrative e kërkon si domosdoshmëri emergjente.

Cilat janë hapat konkretë që do të ndërmerrni në infrastrukturën rurale, mbështetjen e bujqësisë dhe promovimin e produkteve karakteristike të zonës (ulliri, vreshtaria, etj)?

Do të krijohet drejtoria e bujqësisë në bashki që do të merret me ngritjen e sistemit të vaditjes dhe kullimit dhe do të nxisë prodhimet bujqësore të zonës nëpërmjet kredive të buta financiare ku bashkia do të jetë dorëzane në bankat e nivelit të dytë për ata fermerë që plotësojnë disa kushte dhe lidhin kontrata.

Do organizohen panaire për produktet e zonës si ulliri, fiku, rrushi, vera, rakia dhe kjo drejtori do të negociojë me firmat e bizneseve si koordinatore për shitjen e këtyre produkteve, përkundrejt një takse simbolike pas shitjes së prodhimit.

Cila do të jetë politika e bashkisë gjatë mandatit të ardhshëm në ndihmë të komunitetit rom të zonës? Si do të lehtësohen problematikat e tyre lidhur me arsimimin, strehimin, ndihmën ekonomike, etj?

Në mandatin  tim të ardhshëm për anëtarët e komunitetit rom  do të mundësojmë  ngritjen e një shkolle profesionale në vendbanimet e tyre me qëllim kualifikimin dhe punësimin e tyre.

Do të ndërmjetësoj me biznesin fason që është shumë i përhapur në Berat që në përputhje me një lehtësim të taksave të rrisë numrin e romëve të punësuar në këto fasone.

Do të sigurojmë me OJQ-të dhe donatorë të ndryshëm paketa me asistencë teknike, profesionale për këtë kategori për nxitjen e interesit për pune.

Në cilën mënyrë do të mbështesë bashkia qendrat sociale në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar dhe të moshuarve dhe a do të ngrejë bashkia e re qendra për këto grupe nën administrimin e saj?

Bashkia Berat ka qendra sociale në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara siç është qendra “Lira” dhe një tjetër dhe ekziston një përvojë e mirë në këto institucione për këto shtresa duke pasur një staf të kualifikuar punonjësish sociale dhe psikologësh. Duke pasur pervojë vetjake si hartuesish projektesh me OJQ-të në lidhje me këto shtresa do të kem mundësinë të bashkëpunojë me OJQ të ndryshme për projekte që i vijnë në ndihmë këtij komuniteti.

Qyteti i Beratit është një qytet që ka emigracionin më të lartë për shkak të kushteve ekonomike e izolimit gjeografik e politik nga qeveria e mëparshme. Si rrjedhojë një numër moshash të thyera kanë ngelur të braktisur dhe po mendoj mundësinë e hapjes së një azili, ku kjo moshë të ndjejë përkujdesjen e të mos ndihet e braktisur. Për të realizuar këtë do të kërkoj ndihmën e Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale për një grant si dhe një pjesë të financimeve nga donator dhe biznesi. Stafi që do të përkujdeset  do financohet nga bashkia ndërsa për godinën reforma administrative dhe përqendrimi krijon këtë hapësirë për këtë gjë të qenësishme.