Profile17 May 2015

Profili i bashkisë Devoll

Në bashkinë Devoll sigurimi i kapaciteteve grumbulluese frigoriferike dhe tregjeve të shitjes për produktet bujqësore janë dy nga sfidat me te cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re.

Author: Dhorjela Cule BIRN Devoll
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Devoll

Harta e re territoriale e bashkisë Devoll

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-devoll/

 

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Devolli kufizohet në veri me Bashkinë Pustec, në perëndim me bashkitë Maliq dhe Korçë, në jug me bashkinë Kolonjë, ndërsa në lindje me Greqinë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Bilishtit.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 26.716 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 42.388 vetësh. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 453.27 km2.

Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Bilisht, Qendër Bilisht, Hoçisht, Progër dhe Miras. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Devollit dhe qarkut të Korçës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 44 fshatra.  Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkia e  Devollit është një zonë që dominohet nga popullsia fshatare, sigurimi i të ardhurave të të cilës mbështeten në dy burime kryesore, bujqësia dhe blegtoria nga njëra anë dhe remitancat nga emigracioni nga ana tjetër. Për shkak të pozicionit të saj kufitar me shtetin grek, një numër i konsiderueshëm banorësh kanë emigruar prej vitesh, duke gjeneruar të ardhura jo vetëm për veten e tyre por edhe për familjet e fshatrave. Megjithatë, përgjatë viteve të fundit edhe kjo zonë është prekur nga rënia e ndjeshme e dërgesave valutore si pasojë e krizës greke.

Shumë zona të Devollit kanë pësuar zhvendosje masive të popullsisë ku banorët kanë braktisur totalisht fshatrat e thellë  për t’u vendosur në zona më afër qytetit duke u fokusuar tek  puna në bujqësi për shkak se toka është produktive. Përveç kultivimit të kulturave të ndryshme, si të lashtat dhe perimet, banorët merren shumë me pemëtarinë duke qenë ndër zonat me prodhim më të  lartë në vend. Blegtoria është një tjetër aspekt përmes të cilës banorët gjenerojnë të ardhura, por kjo ka mbetur në nivelin e bizneseve familjare ndërsa mungesa e një thertore është shqetësim që duhet zgjidhur.

Investimet në infrastrukturë kanë qenë të mjaftueshme, por ka mangësi në rrugët dytësore të cilat do ishin në funksion të fermerëve për të lehtësuar aksesin në tokat bujqësore, si dhe ndërlidhjen e fshatrave të thellë të njësisë administrative Miras. Për dekada, banorët kanë prerë pyjet duke shkaktuar dëme të pakthyeshme ndërsa pas rrafshimit të tyre ngrihet shqetësimi i gjetjes së burimeve alternative për ngrohje. Problem i vazhdueshëm për fermerët mbetet edhe tregtimi i prodhimeve të cilat shpesh mbeten stok ose shiten nën kosto.

Pjesë integrale e kësaj bashkie të re është dhe Liqeni i Prespës së Vogël, i cili gjatë viteve të fundit është mbuluar nga bimësia dhe i ka munguar pastrimi i ujërave.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Banorët kanë gjetur zgjidhjet e tyre individuale duke u fokusuar më së shumti tek bujqësia por sigurimi i kapaciteteve grumbulluese frigoriferike dhe tregjeve të shitjes janë dy nga sfidat me te cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re.

Furnizimi me ujë të  pijshëm , klorifikimi i tij, por edhe rrjetet e kanalizimeve identifikohen si fusha të cilat kërkojnë ndërhyrje për shkak të gjendjes alarmante në të cilën ndodhen. Nga ana tjetër, zona ka një popullsi të dendur dhe mungesa e vendgrumbullimeve dhe përpunimit të mbetjeve urbane ka sjellë ndotje në nivele të larta, çka ngre domosdoshmërinë që bashkia e re të ngrejë mekanizma për mbledhjen dhe menaxhimin e tyre në të gjithë zonën.

Një sfidë tjetër me të cilën do të duhet të përballet bashkia e re është me mbrojtja dhe rehabilitimi i pyjeve të zonës, përmes rritjes së ndërgjegjësimit të banorëve për dëmin afatgjatë mjedisor dhe ekonomik, si dhe ndalimi i kapërcimit të kufirit me Greqinë për prerje të jashtëligjshme të pyjeve.

Devolli ka një traditë të pasur vlerash dhe kulturash, por thuajse në të gjithë zonën mungojnë grupet artistike, ndërsa edhe për fëmijët dhe të rinjtë nuk ka ambiente dhe kënde sportive ndaj njësia vendore duhet të hartojë politika mbështetëse për kulturën dhe arsimin, si dhe sitet historike dhe arkeologjike të zonës, si Shpella e Trenit.

Sfidë për bashkinë mbetet edhe zhvillimi i turizmit ku promovimi i fshatrave me reliev malor dhe pyllësi të dendur, si dhe zonës së Liqenit të Prespës do të ishte një hapësirë shumë e mirë për zhvillimin e turizmit malor dhe ekoturizmit, ndërsa ngritja e një muzeu historik-kulturor dhe forcimi i politikave të bashkëpunimit me homologët e lokaliteteve greke do zgjeronte interesin turistik sidomos nëpërmjet organizimit të panaireve si një model i gatshëm nga pala tjetër.

Politikat e bashkëpunimit me njësitë vendore përtej kufirit do i sillnin zonës eksperienca më të larmishme dhe në një këndvështrim më të gjerë mund të ndikonin edhe për zhvillimin e turizmit që është një fushë thuajse e harruar.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Devollit kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 33,425 votues. Votuesit janë të ndarë në 53 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 21 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.
Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Devollit janë:
–        Bledjon Nallbati, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Kosta Qaja, kandidat i Partisë Socialiste, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)