Profile17 May 2015

Profili i bashkisë Dibër

Bashkia e Dibrës është një nga bashkitë me territorin më të madh në rang vendi, por banorët janë të izoluar për shkak të rrjetit të amortizuar rrugor.

Author: Hysen Likdisha BIRN Dibër
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Dibër

Harta e re territoriale e bashkisë Dibër

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-diber/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Dibra kufizohet në veri me Bashkinë e Kukësit, në veri-perëndim me bashkinë Mirditë, në perëndim me bashkinë Mat, në jug-perëndim me bashkinë Klos, në jug me bashkinë Bulqizë dhe në lindje me Republikën e Maqedonisë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Peshkopisë.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re ka një popullsi prej 61,619 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 78,940 banorë. Me një sipërfaqe prej 937.88 km2, bashkia e re ka densitet popullsie prej 84.16 banorësh/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 65.70 banorë/km2 sipas Censusit 2011.

Kjo bashki përbëhet nga 15 njësi administrative, të cilat janë: Peshkopi, Tomin, Melan, Kastriot, Lurë, Maqellarë, Muhurr, Luzni, Selishtë, Sllovë, Kala e Dodës, Zall-Dardhë, Zall-Reç, Fushë Çidhën dhe Arras. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Dibrës dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 141 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Relievi i bashkisë së re është përgjithësisht kodrinor dhe malor, por nuk mungon edhe ai fushor në të dyja anët e rrjedhjes së lumit të Drinit të Zi, që favorizon kështu zhvillimin e bujqësisë dhe pemëtarisë.  Përgjatë 25 viteve të fundit Dibra ka pasur një migrim të brendshëm drejt Tiranës dhe Durrësit si dhe emigrim të konsiderueshëm jashtë vendit.

Bashkia e Dibrës është një nga bashkitë me territorin më të madh në rang vendi si dhe me një numër të konsiderueshëm fshatrash të shtrira në një zonë të thellë. Zona e Dibrës është njëkohësisht edhe krahina e fundit e madhe e Shqipërisë, e cila vijon të përdorë në shkallë të gjerë infrastrukturën rrugore të trashëguar nga koha e komunizmit, pa shumë përmirësime.

Projekti i Rrugës së Arbërit, i cili diskutohet prej shumë vitesh është aktualisht plani i vetëm që mund të çlirojë nga izolimi bashkinë e re.

Zona e Dibrës ka përfituar gjatë viteve të fundit nga ndërtimi i rrugës nga Peshkopia deri në Kukës, gjë që ka nxjerrë nga izolimi pjesën veriore të krahinës.

Zona e Dibrës u penalizua nga ndarja e qytetit të Dibrës nga kjo krahinë, pas vendosjes së kufirit në vitin 1913 ndërsa ndërtimi i qytetit të Peshkopisë nuk arriti të kompensojë këtë humbje. Forcimi i marrëdhënieve ndërkufitare mund të ndihmojë në rikrijimin e balancave fshat-qytet.

Bashkia e Dibrës është aktualisht një nga zonat më të varfëra të Shqipërisë, ku për një pjesë të madhe të popullsisë ndihma ekonomike e shpërndarë nga qeveria është burimi i vetëm i të ardhurave. Bashkia e re do të ketë brenda territorit të saj rezervatet natyrore të Lurës, Luzni Bulacit si dhe pikën turistike të malit të Korabit. Por rezervati natyror i Lurës është shfarosur nga prerjet e paligjshme të pyjeve dhe aktualisht është e diskutueshme nëse kjo zonë duhet të vijohet të mbahet në listën e zonave të mbrojtura.

Projektet e mëdha, të ndërmarra në këtë rajon lidhen me rehabilitimin e ujësjellësit të qytetit në linjën Kala e Dodës-Peshkopi me vlerë 900 mijë dollarë, sistemim-asfaltimin e segmentit të rrugës nacionale Peshkopi-Kukës, Peshkopi-Kastriot, Maqellarë-Herebel etj. Po kështu një investim i rëndësishëm ka nisur aktualisht edhe për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Peshkopisë, me vlerë 4.2 milionë euro.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Lidhja me infrastrukturë rrugore si dhe mirëmbajtja e kësaj infrastrukture në territorin e bashkisë së re pritet të jetë sfida më e madhe për shkak të numrit shumë të lartë të fshatrave, (141) si dhe shtrirjes shumë të gjerë gjeografike. Duke marrë parasysh se kjo bashki shtrihet në një territor shumë të varfër me bazë të paktë të ardhurash nga taksat, sfida e infrastrukturës bëhet edhe më e madhe.

Ndër problematikat e kësaj zone mbetet ajo e papunësisë që shkon në rreth 45 për qind të fuqisë punëtore të aftë për punë, po të kemi parasysh edhe trendin në rritje të emigrantëve të kthyer në Dibër.

Ndër sfidat me të cilat do të përballet bashkia e re, që do të ndikojnë edhe në zbutjen e shifrave të punësimit veçojmë asfaltimin e rrugëve rurale që lidhin komunat me qendrën e bashkisë, menaxhimin e mbetjeve urbane, sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza, si dhe sistemin e furnizimit me ujë të fshatrave, ku mjaft prej tyre vuajnë ndër vite mungesën e ujit të pijshëm.

Bujqësia si e vetmja mundësi punësimi që gjeneron të ardhura është lënë totalisht në harresë, fshatra të shumta me toka mjaft prodhuese dhe me sipërfaqe të mëdha  u mungojnë  kanalet vaditëse. Kujtojmë me këtë rast Fushën e Maqellarës, që vuan mungesën totale të ujit vaditës.  Ndërkohë një tjetër problem për fermerët mbetet edhe ai i mbështetjes së tyre me investime për zhvillimin e frutikulturës, ku Dibra është e përmendur me mollën, kumbullën, dardhën etj, duke vënë kështu në funksion edhe zhvillimin e industrisë agro-ushqimore.

Dibrës i ka munguar prej dekadash edhe nxitja apo promovimi i turizmit malor në Lurë dhe Korab, të cilat mbartin resurse turistike të veçanta dhe mund të konsiderohen burime të rëndësishme për rritjen ekonomike në të ardhmen.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Dibrës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 56,688 votues. Votuesit janë të ndarë në 124 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 31 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Dibër janë:

–        Ilir Krosi, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Shukri Xhelili, kandidat i Partisë Socialiste, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)