Profile17 May 2015

Profili i bashkisë Divjakë

Me parkun kombëtar Divjakë-Karavasta dhe fushat rurale pjellore, bashkia e re e Divjakës ofron një perspektivë të mirë zhvillimi për bujqësinë dhe ekoturizmin.

Author: Ina Baçinozi Birn Divjakë
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Divjakë

Harta e re territoraile e bashkisë Divjakë

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-divjake/

Të dhëna të përgjithshme:

Zona Gjeografike: Bashkia e re Divjakë kufizohet në veri me bashkinë Rrogozhinë, në lindje me bashkinë Lushnjë, në jug me bashkinë Fier dhe në perëndim me Detin Adriatik. Kryeqendra e bashkisë së re do të jetë qyteti i Divjakës, i shpallur qytet me vendim qeverie në vitin 1996.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e Divjakës numëron një popullsi prej 34.254 banorësh ndërkohë që në regjistrin civil rezulton një popullsi 53.372 vetë. Territori i bashkisë së re është 309.58 kilometra katrore. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 110 banorë për kilometër katror ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 172.40 banorë/km2.

Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Divjakë, Tërbuf, Grabjan, Gradisht dhe Remas. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Lushnjes dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 36 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkia e Divjakës është nga të paktat bashki të krijuara nga reforma administrative dhe territoriale e cila përbëhet pothuajse tërësisht nga zona rurale. Bashkia e re ka një shtrirje veri-jug ndërkohë që rrugët janë më së shumti në drejtimin lindje-perëndim dhe lidhja rrugore mes qytetit të Divjakës dhe komunave Gradishtë e Rremas është e dobët.

Bashkia e re ndodhet në një zonë tërësisht rurale dhe pjellore, ndërkohë që pjesë e territorit të kësaj bashkie është edhe parku kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe plazhi i Divjakës.

Bashkia e re ka aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe në një masë më të vogël peshkimin në lagunën e Karavastasë. Prodhimi kryesor bujqësor janë bostanoret, të cilat shiten në tregun e brendshëm si dhe eksportohen në shumë vende të Europës qendrore dhe lindore.

Divjaka ka perspektivë të mirë për zhvillimin e turizmit detar si dhe ekoturizmit. Gjatë viteve të fundit këtu është shfaqur turizmi i vrojtimit të zogjve për shkak të pranisë së një kolonie të vogël pelikanësh në zhdukje në lagunën e Karavastasë.

Turizmi është zhvilluar më së shumti për turistët ditorë dhe kulinaria është e përqendruar te prodhimet e peshkut, për të cilat zona është e famshme në të gjithë vendin.

Gjithashtu, Divjaka ka një jetë artistike dhe kulturore që shumë qytete do ia kishin zili. Këtu funksionon më së miri grupi artistik i qytetit, me djem dhe vajza valltarë, të cilët përfaqësojnë Divjakën në aktivitete të ndryshme kulturore.  Po ashtu edhe sporti është në nivele mjaft të mira, ku duhet të përmendim që ekipi i volejbollit për femra është mjaft mirë i përfaqësuar në aktivitete brenda dhe jashtë vendit.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Ofrimi i shërbimeve komunale në të gjithë territorin e bashkisë së re pritet të jetë sfida kryesore e Divjakës, veçanërisht për shkak të mungesës së lidhjeve të forta infrastrukturore mes qytetit dhe komunave jugore.

Gjetja e balancës së duhur mes zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit identifikohet si një sfidë për shkak të karakteristikave të plazhit të Divjakës, i cili gjendet në brendësi të rezervatit natyror të mbrojtur dhe në distancë prej rreth 3 kilometrash nga vetë qyteti i Divjakës.

Për zonat rurale, shërbimet e infrastrukturës bujqësore janë të domosdoshme për mirëqënien, siç janë edhe mirëmbajtja e shkollave dhe qendrave shëndetësore.

Bashkia e re do të duhet të jetë e kujdesshme që t’i kushtojë të njëjtën vëmendje mirëmbajtjes së objekteve publike dhe shërbimeve komunale në të gjitha komunat përbërëse, gjë që është aktualisht sfidë për bashkinë e Divjakës për shkak të largësisë fizike mes komunave.

Për prodhuesit e zonës, krijimi i një pike grumbullimi dhe tregtimi është thelbësore, pasi një pjesë e produkteve të tyre dëmtohen për shkak të mungesës së tregut. Sipas banorëve, nëse do të krijohej një treg i madh edhe interesi i banorëve do të rritej për të shtuar sasinë e produktit të mbjellë.

Gjthashtu përmirësimi i infrastrukturës ndërlidhëse me fshatrat përreth, si dhe investimi në kopshte, shkolla dhe qendra shëndetësore do të përmirësonte cilësinë e jetesës.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Divjakës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 40,740 votues. Votuesit janë të ndarë në 68 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 31 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Divjakës janë:

–        Fredi Kokoneshi, kandidat i Partisë Socialiste, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Irakli Gorreja, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)