Profile16 May 2015

Profili i bashkisë Has

Hasi gjendet në shtegun turistik malor Theth-Valbonë-Kukës dhe turizmi rural apo malor mund të jetë një perspektivë e mirë ekonomike për zhvillimin e zonës.

Author: Bashkim Shala BIRN Has
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Has

Harta e re territoriale e bashkisë Has

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re:

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-has/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Hasi kufizohet në veri dhe perëndim me Bashkinë Tropojë, në jug me Bashkinë Kukës dhe në lindje me Republikën e Kosovës. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Krumës, i cili u shpall qytet në vitin 1994.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Hasi ka një popullsi prej 16,79

0 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, ka 21,247 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 399.62 km2 me një densitet prej 53.16 banorë/km2 sipas të dhënave të Regjistrit Civil dhe 42.01 banorë/km2 sipas Censusit 2011.

Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Kruma, Fajza, Gjinaj dhe Golaj. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Hasit dhe të qarkut Kukës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 29 fshatra.Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Hasi është një zonë që mbijeton falë të ardhurave që vijnë nga emigrimi dhe bujqësia, megjithëse disponon burime të konsiderueshme minerare.

Pasuritë nëntokësore të këtij rajoni kanë nisur të shfrytëzohen në vitet ’30 nga italianët. Deri në mesin e viteve ’90 ka funksionuar miniera dhe fabrika e pasurimit të bakrit në Golaj, 6 kilometra larg qytetit të Krumës si dhe disa miniera më të vogla, ku ishin të punësuar mbi 3000 punëtorë. Jo vetëm banorët, por edhe specialistët thonë se nëntoka ende nuk është prekur. Për mineralin e bakrit dallohen zona Nikoliq Golaj, Krumë dhe Zahrisht në rrethin e Hasit.

Hasi është një zonë kufitare, ku një pjesë e banorëve kalojnë kufirin rregullisht për punësim apo për arsimim në zonën e Gjakovës në Kosovë, ku gjenden edhe lidhjet historike kulturore dhe ekonomike të krahinës. Relievi i zonës shtrihet nga rreth 300 metra mbi nivelin e detit deri në malet e larta të Gajrepit, Pashtrikut dhe Maja e Kunorës, të cilat gjenden në lartësitë 1400-1900 metra mbi nivelin e detit.

Hasi gjendet gjithashtu në shtegun turistik malor Theth-Valbonë-Kukës dhe turizmi rural apo malor mund të jetë një perspektivë e mirë ekonomike për këtë zonë.

Hasi njihet si krahinë etnografike me traditë të gjatë zejtare në produktet e leshit të punuara me shije si dhe për zanatçinj bukëpjekës.

Toka bujqësore e disponueshme për banorët e zonës u reduktua ndjeshëm pas ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës, i cili përmbyti disa lugina dhe fshatra.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Nisur nga fakti se ekonomia  në rrethin e Hasit varet kryesisht nga burimet nëntokësore të kromit, sfidë kryesore mbetet koordinimi dhe bashkëpunimi mes institucioneve të Bashkisë dhe kompanive që punojnë në këtë sektor. Rigjallërimi i shfrytëzimit të minierave do të sillte rritjen e punësimit dhe mirëmenaxhimin e të  ardhurave që merren nga kjo industri.

Kuadri ligjor ekzistues lejon transferimin e një pjese të taksave të industrisë minerare te njësitë e pushtetit vendor dhe burimet minerare aktualisht në shfrytëzim ose që mund të shfrytëzohen në të ardhmen mund të furnizojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të bashkisë së re.

Bashkia e re tashmë do të ketë nën juridiksionin e saj edhe fshatrat e tre komunave, ku një tjetër sfidë që  pret kryebashkiakun e Hasit ka të bëjë me riorganizimin dhe futjen në eficencë të tokave bujqësore të rrethit të Hasit. Për shkak të fragmentarizimit të lartë dhe mungesës së organizimit, tokat e ndara me ligjin 7501 lihen aktualisht në një masë të madhe të papunuara. Ndërkohë, një pjesë e fermerëve kanë nisur t’i rikthehen pemëtarisë, si një mundësi ekonomike krahas blegtorisë, e cila siguron shumicën dërrmuese të të ardhurave. Për ta realizuar këtë, Bashkia duhet që të gjejë mënyrën dhe donatorët që të bëjë të mundur  politikat stimuluese dhe subvencionuese.

Gjithashtu, bashkia e re e Hasit do të përballet dhe me një sërë nevojash për ndërhyrje në infrastukturë, e cila raportohet si shumë e dëmtuar ose e munguar. Prioritet në këtë drejtim është asfaltimi i rrugëve lidhëse të fshatrave me qendrën e bashkisë, si dhe ngritja e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Has kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 15,250 votues. Votuesit janë të ndarë në 32 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 21 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Has janë:

–       Adem Lala, kandidat i Partisë Socialiste, pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–       Elez Maçi, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)