Profile15 Maj 2015

Profili i bashkisë Kolonjë

Bashkia Kolonjë është një zonë administrative e orientuar nga bujqësia, blegtoria dhe vreshtaria; megjithatë, emigracioni dhe largimi i popullsisë drejt qendrave urbane ka sjellë shpopullimin e shume fshatrave.

Autor: Dhorjela Cule BIRN Kolonjë
Printo

Harta e re territoriale e bashkisë Kolonjë

Harta e re territoriale e bashkisë Kolonjë

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-kolonje/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Bashkia Kolonjë kufizohet në veri me bashkitë Devoll dhe Korçë, në perëndim dhe jug me bashkinë Përmet, ndërsa në lindje me Greqinë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Ersekës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 11.070 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 19.919 vetësh në një sipërfaqe prej 864.06 km2.

Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative, të cilat janë: Ersekë, Qendër Ersekë, Leksovik, Qendër Leksovik, Novoselë, Barmash, Mollas dhe Çlirim. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Kolonjës dhe qarkut të Korçës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Ersekë dhe Leskovik) dhe 76 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkisë së Ersekës, pas ndarjes së re administrative, nga njëra anë i bashkohen edhe disa prej malësive përreth saj, ndërsa nga ana tjetër, me shkrirjen në një me të të bashkisë së Leskovikut përveç zgjerimit të kufirit administrativ-territorial, zgjerohet edhe diapazoni i veprimtarisë dhe mënyrës së jetesës së banorëve. Zona kryesisht malore ka një varfëri të theksuar ndërsa të ardhurat kryesore kanë qenë të mbështetura tek emigracioni, megjithatë, si pasojë e krizës greke janë reduktuar ndjeshëm dhe të ardhurat e banorëve nga remitancat.

Përveç emigracionit, zona ka pasur edhe largim masiv të banorëve drejt qendrave urbane duke sjellë braktisje të fshatrave ose popullim të pakët të tyre dhe duke e bërë zonën me densitet më të ulët të popullatës banuese në vend. Për shkak të pozicionit, zona e thellë nuk arrin të tërheqë investitorët dhe frenon hapjen e bizneseve, duke krijuar mundësi të pakta punësimi të cilat do të mund të kapërceheshin nëpërmjet ngritjes së ndërmarrjeve fasone, fabrikave të përpunimit të qumështit, etj.

Përgjatë viteve të fundit hov ka marrë kultivimi i bimëve medicinale por edhe grumbullimi i tyre në malin e Gramozit, duke i orientuar banorët drejt gjetjes së një zgjidhje për sigurimin e të ardhurave. Në zonën e Leskovikut potencialet turistike janë të shumta por distanca nga zonat e rëndësishme urbane të vendit, si dhe mungesa infrastrukturore i ka lënë të pashfrytëzuara ndërsa banorët ruajnë ende traditën e vreshtarisë dhe prodhimit të verës në mënyrë artizanale.

Traditat kulturore dhe folklorike janë ruajtur mjaft mirë nga banorët por mbetet problematike organizimi i aktiviteteve dhe mbështetja financiare e tyre për përfaqësimin në një hapësirë më të gjerë.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Bashkia e Ersekës fillimisht do të duhet të përballet me vështirësitë e menaxhimit të një hapësire të madhe, ku do të përfshihet edhe zona e Leskovikut dhe harmonizimi i bashkëjetesës dhe ndërveprimit mes banorëve në zonat rurale dhe ato urbane. Kanalizimi i problematikës së shpërndarjes së investimeve mes zonave të cilat prioritet kanë bujqësinë, blegtorinë dhe vreshtarinë dhe qytetit që ka papunësi të theksuar identifikohet si një nga sfidat kryesore të banorëve të bashkisë së re.

Përcaktimi i kapaciteteve ekonomike dhe  i burimit të  ardhurave të njësisë së re vendore nga njëra anë dhe rikthimi i banorëve drejt kultivimit të tokave të lëna djerrë për shkak të mungesës së infrastrukturës në vaditje dhe kullim nga ana tjetër kërkon një strategji të mirëpërcaktuar për bashkinë e re.

Në fushën e arsimit, godinat e shkollave, përveçse janë në kushte tepër të këqija infrastrukturore, në periudhën e dimrit thuajse nuk frekuentohen nga nxënësit për shkak të mungesës së ngrohjes dhe bllokimit të rrugëve nga dëbora. Kjo sjell për pasojë pamundësinë që nxënësit të shkojnë nga një fshat në tjetrin, si dhe përbën një nga problematikat që duhet të adresohen sa më parë.

Në rrethin e Kolonjës zonat turistike ndahen në të pashfrytëzuara ose të shfrytëzuara keq. Një pjesë e bukurisë natyrore të saj po shkatërrohet si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të pyjeve. Përveç kësaj janë dhjetëra banesa të patriotëve të braktisura dhe të rrënuara, ndërsa mungojnë muzetë të cilët do të ishin një atraksion turistik i padiskutueshëm dhe që mund të tërhiqnin më tepër turistë kulturorë edhe nga shteti grek, sidomos nëse do të forcoheshin politikat për marrëdhëniet e bashkëpunimit.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Kolonjës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 16,119 votues. Votuesit janë të ndarë në 36 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 15 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Kolonjës janë:

–        Arben Malo, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Viktor Dujo, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Paqësor Cane, kandidat i pavarur. (Kliko këtu për të lexuar CV-në)