Interview14 Jun 2015

Qazim Sejdini: Do të punoj në ndihmë të fshatrave

Kryebashkiaku aktual i qytetit të Elbasanit dhe kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e re, thotë se prioriteti i tij kryesor do të jetë zgjidhja e problemeve të komunave që i bashkangjiten bashkisë së re.

Author: Bardha Nergjoni BIRN Elbasan
Print

Qazim Sejdini

Qazim Sejdini

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Elbasanit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Ndarja e re territoriale të cilën unë pëlqej ta quaj bashkimi i ri territorial ka ndryshuar jo vetëm radhën e prioriteteve, deri tani prioriteti ynë kryesor kufizohej në aspektin territorial në Elbasanin historik, por edhe strategjinë e zhvillimit. Personalisht mendoj se problemi më madhor tani është integrimi dhe urbanizimi i të gjitha zonave që i bashkohen njësisë administrative të bashkisë së re. Ky është edhe problem për t’u zgjidhur, edhe prioritet por edhe vizion jo vetëm i imi por edhe i qeverisë qendrore.

Ne kemi një plan veprimi të qartë i cili do të azhornohet edhe me prioritetet kombëtare. Zhvillimi në infrastrukturë, lidhja infrastrukturore e fshatrave me qendrat e ish komunave, si dhe lidhja infrastrukturore e këtyre të fundit me qendrën e Elbasanit do të jenë një nga masat me rëndësi të dorës së parë.

Së dyti përkujdesja që një numër shërbimesh që ofron bashkia të shkojnë sa më pranë edhe fshatit më të largët nga qendra e Elbasanit është një nga domosdoshmëritë e kohës.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Elbasanit?

Ndërhyrjet e para të infrastrukturës rrugore do të jenë në ato fshatra që e kanë të vështirë ose gati të pamundur të lidhen me qendrat e komunave dhe më pas me Elbasanin historik. Ndoshta duket e pabesueshme por ka fshatra të cilët në sezonin  e dimrit izolohen krejtësisht për shkak të mungesës në infrastrukturë. Sa i përket shkollave ne kemi identifikuar së pari ato shkolla ku mësimi bëhet i vështirë për shkak të mungesës së rrugëve që çojnë fëmijët në shkollë dhe së dyti kemi identifikuar shkollat të cilat kanë nevojë për riparime themelore për një proces normal mësimor. Me fjalë të tjera jo më Elbasani turistik apo qendra por Elbasani i ri do të jenë punët tona të para. Rajonet me vështirësi më të mëdha ekonomike, rigjallërimi i fshatrave që rrezikojnë braktisjen. Krijimi i mundësive për zhvillimin e prodhimit lokal bujqësor nëpërmjet hapjes së më shumë qendrave të grumbullimit dhe të shitjes së produkteve bujqësore.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Elbasan dhe cilat janë ato?

Në këtë pikë ligji për nëpunësin civil dhe kodi i punës janë shumë të qartë. Pa diskutim meritokracia dhe profesionalizmi në shërbimin ndaj banorëve do të jenë kriteri im bazë.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Struktura e këshillit bashkiak në mandatin e ri është e plotë, e larmishme dhe në një masë të madhe përfaqësuese e të gjithë zonave. Nëse vendimet dhe proceset do të kalojnë në vendimarrjen e këshillit bashkiak dhe ne do të jemi apolitikë në vendimet tona dhe në sjelljen tonë në parlamentin e qytetit, atëherë ne presim që këshilltarët të sjellin më shumë përvoja lokale në vendimarrje. Së dyti ne kemi një traditë të konsultimit me qytetarët për çdo shpenzim dhe këtë traditë tashmë tetëvjeçare pa diskutim do ta shtrijmë edhe në bashkinë e re.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura industriale? Cilat vatra ndotjeje do të kenë më shumë prioritet? Çfarë hapash do të ndërmarrë bashkia për pastimin dhe monitorimin e brigjeve të lumit Shkumbin nga mbetjet e rrezikshme industriale?

Të gjitha ato që thuhen në këtë pyetje janë absolutisht prioriteti kryesor i bashkisë së re. Në një farë mënyre ne jemi të kënaqur që deri tani ne kemi dhe projekte të gatshme të plota dhe të studiuara që adresojnë problemin e ndotjes në të gjitha aspektet qoftë kjo ndotja nga ujërat e zeza dhe derdhjet në lumin Shkumbin, qoftë kjo reabilitimi i zonave industriale të ndotura apo dhe reabilitimi i landfilldit ekzistues. Jo vetëm projektet e studiuara dhe konkrete që ne kemi por adresimin e problemit të ndotjes e lehtëson shumë ndarja e re administrative qoftë edhe për arsyen që kjo ndarje lehtëson komunikimin dhe vendimarrjen në ato zona të ndotura që deri tani nuk ishin në administrimin tonë. Sa i përket mbetjeve industriale në buzë të lumit ne do të insistojmë në zbatimin rigoroz të ligjit. Ne besojmë se zbatimi i ligjit mund të ketë një kosto afatshkurtër për kompanitë por do të ketë një përfitim afatgjatë për të gjithë.

Çfarë premtoni se do të bëni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me mirëfunksionim e fandfillit të ri dhe rehabilitimin e zonës së landfillit të vjetër të qytetit? Si do të organizohet dhe menaxhohen mbetjet urbane në të gjithë zonën e bashkisë së re?

Tashmë puna për ndërtimin e impiantin e ri të përpunimit të mbetjeve ka nisur dhe është brenda afateve kohore të marrëveshjes. Ne do të mbështesim dhe do të insistojmë në përfundimin sa më shpejt të tij dhe në vënien në funksion. Aktualisht sa i përket landfilldit të vjetër janë projektet për reabilitimin e zonës por ne jemi të bindur që do të arrijmë të sigurojmë financim qoftë nga qeveria shqiptare ashtu edhe nga organizma ndërkombëtare.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni në ndihmë të familjeve në nevojë gjatë këtij mandati? Në cilën mënyrë do të mbështesë bashkia qendrat sociale në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar dhe të moshuarve dhe a do të ngre bashkia e re qendra për këto grupe nën administrimin e saj?

Pa diskutim që çështjet sociale janë prioritet i punës sonë. Ne do të bashkëpunojmë me qeverinë qendrore së pari që përfshirja në ndihmën ekonomike të familjeve në nevojë të jetë sa më e drejtë, si edhe do të insistojmë që brenda kuadrit ligjor të rritet shuma e parave që familjet marrin nga shteti si ndihmë ekonomike. shtresat në nevojë dhe mosha e tretë apo njerëzit me probleme do të përfitojnë nga politikat e bashkisë edhe në mënyrë indirekte edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë sepse një masterplan rregullues i cili do të përfshijë më shumë sheshe dhe parqe të gjelbëruara është pa diskutim një lehtësi e madhe qoftë për fëmijët, qoftë për shtetasit e moshës së tretë, qoftë edhe për shtresat në nevojë. Po kështu projektet për zhvillimin e infrastrukturës si dhe projekti për rigjallërimin ekonomik të zonës së ish kombinatit metalurgjik pritet të hapin një numër të madh vendesh pune. E mendojmë që kjo do të ulë sadopak nr e familjeve të klasifikuara si familje në nevojë. Ne kemi aktualisht disa projekte sociale dhe të shërbimit social siç është qendra tashmë shumë funksionale Balashe por edhe drejtime të tjera të shërbimit social që ne ofrojmë. Ky aspekt i administratës dhe i funksionimit të bashkisë do të fuqizohet me fonde, kapacitete dhe do ta shtrijë funksionimin në tërë Elbasanin e ri duke u bërë partnerë dinjitoz me organizatat që ofrojnë shërbime sociale si dhe me ministrinë përkatëse të linjës.

Gjatë këtij mandati, ne cilin drejtim do i jepni pioritet zgjerimit të qytetit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për zgjerimin e zonave të gjelbërta?

Elbasani i ri ka të domozdoshëm një plan të ri rregullues, zonat e gjelbërta shlodhëse dhe zonat për veprimtari sportive do të jenë prioritet kryesor në këtë plan të ri rregullues. Elbasani i ri do të ketë në administrimin e vet edhe zona tradicionalisht turistike të gjelbërta siç janë gjinari, funari dhe shumë fshatra të tjerë të cilët po të shikohen në fokusin e zhvillimit turistik detyrimisht do të nënkuptojnë më shumë gjelbërim, më shumë mirëmbajtje, më shumë siguri në zona që janë ose do të jenë parqe natyrore.

Cila do të jetë politika e bashkisë gjatë mandatit të ardhshëm në ndihmë të komunitetit rom të zonës? Si do të lehtësohen problematikat e tyre lidhur me arsimimin, strehimin, ndihmën ekonomike, etj?

Ajo çka kam pëlqyer në Elbasan është tradita e lashtë e pranimit të diversiteteve kulturore dhe etnike përtej të qenit sllogan nostalgjik ne do ti mbështesim minoritetet së pari duke zbatuar me korrektesë ligjin dhe duke ndjekur sensibilitetin tonë për një komunitet me pasuri kulturore siç është komuniteti rom. Zyra jonë e zhvillimit dhe e projekteve si dhe e bashkëpunimit me jasht kanë tashmë projekte që adresojnë çështje të integrimit të komunitetit rom dhe unë do të mbështes që këto projekte të gjenerojnë të tjera aplikime, të tjera thithje fondësh dhe të tjera ide në të cilat vetë romët dhe përfaqësues të tyre të jenë pjesmarrës.

Duke marrë parasysh numrin e madh te fshatrave që ndodhen nën administrimin e bashkisë së re dhe largësinë e tyre, a do të mbështesë bashkia e re transportin e fëmijëve në shkollat më të mëdha të zonës në mënyrë që të minimizohen klasat kolektive?

Siç u tha më lart, sigurimi i transportit të fëmijëve në shkolla sado të largëta të jenë, pajisja me abone dhe vendosja në dispozicion të mjeteve të transportit për vajtjen dhe kthimin nga shkolla sado e kushtueshme do të jetë jo thjesht një prioritet por puna e 100 ditëve të para të mandatit të ri. Do të minimizohen në këtë mënyrë edhe klasat kolektive.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me infrastrukturën rurale dhe mbështetjen e bujqësisë, veçanërisht garantimit të ujit për vaditje?

Në shumicën e rasteve garantimi i ujit për vaditje në zonat rurale është çështje e vullnetit të mirë sesa çështje e ndonjë fondi të caktuar. Bashkia e re e ka të mundshme që me ndërmarrje vartëse të garantojë deri në fund të mandatit realizimin e kanaleve vaditëse të sistemuara dhe të ndërtuara në mënyrë profesionale. Bashkë me këtë vjen dhe mirëmbajtja që do të bëhet po nga ndërmarrjet në varësi të bashkisë së re.