Interview8 Jun 2015

Rajmonda Balilaj: Do të kem prioritet bujqësinë

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e re Patos thotë se do të përqendrojë investimet në kanale vaditëse për të përmirësuar gjendjen ekonomike të popullsisë së kësaj bashkie.

Author: Ina Baçinozi BIRN Patos
Print

Rajmonda Balili

Rajmonda Balilaj

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Patosit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Patosi u krijua si një qytet ku ekonomia ishte e lidhur ngushtë me resurset natyrore si nafta. Por me kalimin e viteve mundësitë për punësim në këtë sektor janë ulur ndjeshëm ndaj ne duam t’i japim një profil tjetër këtij qyteti. Duke pasur edhe një reliev kodrinor duam t’i krijojmë fermerëve më shumë kushte për të rritur rendimentin e tyre në prodhimet bujqësore. Masat e para që do të ndërmerren do të jenë për krijimin e kushteve për vaditje. Duke qenë se edhe baza ligjore ka ndryshuar tashmë kanalet e dyta dhe të treta do të jenë nën administrimin e bashkisë së re të Patosit ne menjëherë do të nisim pastrimin e tyre dhe do të krijojmë mundësitë që uji të shkojë deri në parcelën më të largët. Gjithashtu do të krijojmë edhe tregje ku fermerët mund të tregtojnë prodhimet e tyre.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Patosit?

Unë e drejtoj prej 4 vitesh bashkinë e Patosit dhe pika ku kemi ndërhyrë më shumë ka qenë infrastruktura. Por sigurisht që mbetet ende punë për të bërë. Ka disa segmente kryesore si rruga Ruzhdie-Gjinoqar, rruga Drenie-Siqec. Ndërkaq do të hartojmë edhe projektin e ujësjellësin dhe do të ndërhyjmë edhe në rrjetin e ujërave të zeza në Grizë, Zharrëz dhe Frashër. Ndërhyrje të tjera do të bëjmë edhe në rrugët e brendshme të lagjeve.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë së Patosit dhe cilat janë ato?

Ashtu siç kam vepruar gjatë këtyre 4 viteve në drejtimin e bashkisë së Patosit do të vazhdoj edhe me bashkinë e madhe që do të krijohet. Do të zbatoj me rigorozitet kuadrin ligjor. Meritokracia ka qenë dhe do të jetë parimi im në punë.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Bashkia Patos ka një praktikë të shkëlqyer me Komisionet Këshillimore. Prej disa vitesh janë krijuar grupet këshillimore qytetare dhe grupin këshillimor të të rinjve. Praktika sigurisht që do të vazhdojë dhe do të unifikohet akoma më shumë duke shtuar këtu edhe dëgjesat publike dhe konsultimet me grupet e interesit.

Cilët hapa konkretë do të ndërmerrni gjatë këtij mandati për pastrimin dhe rehabilitimin e zonave të ndotura naftëmbajtëse? Cilat vatra ndotjeje do të kenë më shumë prioritet?

Kushte më të mira mjedisore për të gjithë qytetarët e Patosit është prioriteti im me aq mundësi sa më lejon ligji. Do të bashkëpunojmë ngushtë me agjencinë Rajonale të Mjedisit për të evidentuar pikat kritike dhe më tej për të marrë masa për pastrimin e tyre.

Si do të shfrytëzohen (në cilin drejtim) të ardhurat e bashkisë të përfituara nga renta minerare dhe taksa e tokës bujqësore?

Të ardhurat do të shfrytëzohen sipas destinacionit për të cilat mblidhen. Sa i takon rentës minerare do ta shfrytëzojmë atë për investime në mjedis dhe infrastrukturë. Ndërsa taksa e tokës bujqësore do të shfrytëzohet për mirëmbajtjen e tokës dhe rrjetit kullues. Pra, ajo që do të mblidhet nga qytetarët do t’ju kthehet sërish atyre.

Cilat politika do të vë në zbatim bashkia gjatë këtij mandati në mbështetje të bujqësisë, si dhe nxitjes së tregtimit dhe promovimit të produkteve bujqësorë, veçanërisht ullirit dhe vajit të ullirit?

Siç e theksova edhe më sipër ne duhet të shfrytëzojmë hapësirat tona për të shtuar sasinë e të mbjellave. Kështu unë do të mbështes sipërmarrjen për përpunimin e ullirit dhe për prodhimin dhe tregtimin e tij duke ngritur një treg të posaçëm për tregtimin e këtij produkti. Gjithashtu do të kemi bashkëpunime rajonale për krijimin e tregjeve të përbashkëta për fermerët me kosto më të ulëta.

A keni plane konkrete për ngritjen e banesave sociale për familjet e pastreha të zonës suaj? Nëse po, sa të tilla parashikoni dhe si do të kryhet shpërndarja e tyre?

Ndërtimi i banesave sociale ka qenë dhe është në prioritetet e mia pasi është një nevojë emergjente për Patosin. Ne kemi përfunduar projektin për 12 banesa sociale për gratë kryefamiljare në nevojë. Gjithashtu kemi projekt idenë për ndërtimin e 3 pallateve të tjera që do të shërbejnë si banesa sociale.