Interview3 Jun 2015

Shpëtim Bega: Profil turistik për Përmetin

Kandidati i Partisë Fronti i Majtë për bashkinë Përmet Shpëtim Bega shprehet se nëse zgjidhet kryebashkiak do të nxisë krijimin e një profile turistik për Përmetin.

Author: Raimond Kola Gjirokastër
Print

voteSi e mendoni zhvillimin e qytetit në katër vitet e ardhshme, drejt një profili turistik apo drejt krijimit të njësive të vogla tregëtare?

Mendoj dhe kam në program nxitjen e një profili turistik duke shfrytëzuar resurset e njësisë së re bashkiake, si objektet e kultit për vlerat e larta historike që kanë, ujërat termale në Benjë, Bredhin e Hotovës, si dhe nxitjen e agroturizmit i cili ka potencial të lartë në këtë zonë.

Cilët hapa do të ndërmerrni për nxitjen e punësimit sidomos të grave dhe të rinjve në bashkinë e Përmetit?

Mendoj dhe kam në program ngritjen e një ndërmarrjeje agro – përpunuese për thithjen e gjithë prodhimeve bujqësore të zonës. Në këtë ndërmarrje do të punësohen rreth 250 punonjës, kryesisht gra dhe të rinj.

Cili do të jetë reagimi juaj lidhur me disa aktivitete që cënojnë vlerat e Përmetit si ndërtimet e larta në qytet, ndërtimet e HEC-eve në Vjosë, etj?

Hartimi i planit rregullues të qytetit të Përmetit nga studio prestigjioze do t’i jepte zgjidhje ndërtimeve në qytet. Për ndërtimin e HEC-ve mbi lumin Vjosë reagimi do të jetë në favor të mbrojtjes të ekosistemit.

Si do të bashkëpunoni me Institutin e Monumenteve për mbrojtjen e pasurive kulturore të kultit?

Për mbrojtjen e pasurive kulturore të kultit bashkëpunimi me Institutin e Monumenteve do të jetë shumë i ngushtë dhe shumë institucional.

Si mendoni të mbështesni sektorin e pemëtarisë dhe veçanërisht të vreshtarisë në këtë zonë?

Për mbështetjen e sektorit të pemëtarisë dhe vreshtarisë do të punohet për mbështetje financiare nëpërmjet kreditimit dhe ngritjes së ndërmarrjes përpunuese agro-ushqimore, në mënyrë që të bëhet thithja e produkteve në kohë të garantuar.

Si mendoni të aktivizoni artizanatin në zonat përreth qytetit në funksion të përmirësimit të punësimit të grave?

Do të ngrihen katër qendra artizanale deri në pesë punonjës secila për punimin e qëndistarisë, punimeve të bakrit, punimeve të artikujve të himtë, si dhe punimeve artistike me materiale të reciklueshme.

Si mendoni të gjeneroni më shumë të ardhura për njësitë vendore?

Gjenererimi i të ardhurave do të vij kryesisht nëpërmjet mbështetjes së biznesit privat, zhvillimit të turizmit, shfrytëzimit të resurseve në fushën e pemtarisë, etj.

Cili do të jetë angazhimi juaj për përmirësimin e godinave të shkollave, sidomos në zonat rurale që përfshihen në njësinë e re?

Do të bëhet studimi për çdo shkollë dhe do të planifikohen fonde për t’i kthyer ato në kushte normale funksionimi.

Çfarë do të bëni për përmirësimin e insfrastrukturës rrugore dhe sidomos të rrugës Tepelenë–Përmet?

Do të ketë bashkëpunim me Bashkinë Këlcyrë dhe sëbashku me Qeverinë Qendrore do të bëhet e mundur realizimi i rrugës Tepelenë – Çarçovë.

Si mendoni t’i zhvilloni marrëdhëniet ndërkufitare me njësitë vendore në Greqinë e Veriut?

Bashkia Përmet dhe Bashkia Janinë e Konicë do të ngrenë në një nivel më të lartë marrëdhëniet shumëplanëshe mes tyre.