Interview2 Jun 2015

Sotiraq Filo: Zhvillim dinamik me plane konkrete

Kryetari aktural i bashkisë Korçë Sotirq Filo shprehet se nëse fiton një mandat të ri në 21 qershor, do ta shtrijë modelin e tij të suksesshëm të menaxhimit në çdo fshat.

Author: Dhorjela Cule Tiranë
Print

Sotiraq Filo

Sotiraq Filo

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Korçës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj? 

Bashkia e Korçës pas 21 qershorit, ashtu si të gjitha bashkitë e tjera të Shqipërisë, do të jetë një koncept i ri territorial dhe administrativ. Administrimi i një territori shumë më të gjerë, me një spektër të ndryshëm problematikash krahasuar me tërritorin e menaxhuar deri tani nga njësitë vendore, prezanton edhe një listë të re nevojash të parashtruara për zgjidhje. Por preferoj të mos i quaj problematika, por sfida, të cilat nuk na stepin por na energjizojnë për t’i kthyer në zgjidhje efektive në shërbim të banorëve të qytetit dhe fshatrave që do të jenë pjesë e territorit të bashkisë të re.

Objektivi im kryesor në këtë mandat, është që modelin e sukseshëm të menaxhimit të bashkisë së Korçës, që solli si rezultat transformimin e qytetit dhe rikthimin e besimit dhe shpresës tek banorët, ta shtrij tek çdo fshat që na bashkohet. Zhvillimi dinamik sipas një plani konkret veprimi i çdo hapësire brenda territorit të bashkisë të re, unifikimi i standardit të infrastrukturës me rrjet të rehabilituar kanalizimesh, uji të pijshëm në çdo fshat, rrugë e sheshe të rikonstruktuara, do të jetë veçse hapi i parë për këtë qëllim.

Fshatrat përreth kanë nevojë për disa ndërhyrje të shpejta, emergjente, të cilat kërkojnë pak investim por kanë impakt të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të jetesës. Ndriçimi i hapësirave publike në fshat, sistemimi i rrugëve të brendshme dhe shesheve, uji i pijshëm, qendrat shëndetsore etj do të jenë ndërhyrjet e para si pjesë e planit 300-ditor të bashkisë.

Në programin tim elektoral, unë kam hartuar një kapitull të veçantë dedikuar zhvillimit të fshatit, program i cili parashikon jo vetëm projekte për zhvillimin infrastrukturor, por edhe paketa projektesh dedikuar bujqësisë, punësimit, të rinjve, moshës së tretë, projekte të cilat në kompleks do të bëjnë të mundur që edhe këto zona ku banon gati 30 për qind e banorëve të territorit të bashkisë të hyjnë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, që edhe banorët e këtyre zonave t’u hapet një perspektivë e re, më mundësi konkrete për arsimim më të mirë, kujdes shëndetësor më të mirë, vëmendje më e madhe për shtresat në nevojë, mundësi punësimi veç sektorit të bujqësisë, mundësi argëtimi për fëmijët e të rinjtë dhe mundësi të shtuara për një cilësi jete më të mirë.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Korçës?

Programi im elektoral për katër vitet në vijim jo rastësisht është emëruar “Fjala ime – puna”. Puna do të jetë kryefjala edhe në vijim, një punë konkrete, intensive, me afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta. Sepse ne e kemi të qartë ku do të shkojmë, kemi gati projektet dhe planet e punës që Korça të ecë e sigurtë në rrugën e zhvillimit dinamik dhe të qëndrueshëm. Duke pasur vizion të qartë dhe plane konkrete zhvillimi, ne kemi gati një paketë të pasur projektesh jo vetëm në fushën infrastrukturore, gati për tu zbatuar brenda 300 ditëve të para të mandatit.

Para pak ditësh kur fillova të prezantoja para qytetarëve korçarë programin tim për katër vitet në vijim, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro iu dha korçarëve një lajm të gëzuar: Qeveria miratoi fondin e nevojshëm për rikonstruksionin dhe modernizimin e Teatrit “Andon Z. Çajupi”. Teatri do të jetë një nga ndërhyrjet e para që do të mbyllet brenda 300 ditëve të para. Pra e filluam me një premtim të mbajtur, dhe këtë nuk e shoh thjesht si ogur të mirë, por e shpalos para qytetarëve të mi si garanci, si premtim të qartë për të gjitha projektet që kam hartuar dhe që do të gjejnë pa dyshim zbatim në të mirë të Korçës dhe banorëve të saj.

Menjëherë pas 21 qershorit ne do të fillojmë punën intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në fshat dhe qytet. Qytetarët e Korçës janë dëshmitarë që pjesa më e madhe e qytetit në qendër dhe periferi ka infrastrukturë të transformuar. Duket si kohë e largët kur uji mungonte në çezmat tona, kur rrugët ishin të mbytura në baltë dhe të zhytura në terr. Pak vite kanë kaluar në fakt dhe janë vitet me dinamike të zhvillimit të qytetit, vite në të cilat bashkia solli për Korçën një realitet të ri dhe ngjalli një shpresë të re. Ne kemi programuar që brenda 300 ditëve të para të përfundojë sistemi i kanalizimeve dhe rikonstruksioni i infrastrukturës rrugore të të gjitha lagjet e qytetit. Projekti më i madh që do të fillojë që në muajin korrik do të jetë rikonstruksioni dhe modernizimi i Shëtitores “Fan S. Noli” që nga Fabrika e Birrës e deri tek Policia e Vjetër. Financuar nga fondet IPA të Komisionit Europian, kjo ndërhyrje në një nga akset më të rëndësishme të qytetit parashikon asfaltime, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim çka do të bëjë shumë shpejt të mundur kthimin e kësaj rruge në një aks të rëndësishëm tregëtar dhe ekonomik në qytet.

Brenda vitit të parë do të dyfishojmë sipërfaqen e Parkut Rinia në gjatësi dhe gjerësi, duke shënuar kështu një tjetër hap historik pas atij të rikonstruksionit dhe rivitalizimit të parkut ekzistues që është tashmë drejt përfundimit.

Brenda vitit të parë të mandatit do të ndërtojmë Terminalin e ri të Autobusëve në hyrje të qytetit, duke liruar përfundimisht hapësirën përbri pazarit dhe vendet e tjera të parkimit të autobusëve të linjave në Korçë. Kemi gati projektet dhe rrugët e financimit për urbanizimin e të gjitha zonave informale, pjesa më e madhe e të cilave tashmë e ka të përfunduar procesin e legalizimit. Do të ndriçojmë çdo fshat benda bashkisë së re që në vitin e parë. Që në vitin e parë për të rinjtë do të hapet Qendra Rinore tek ish Shtëpia e Oficerëve dhe do të ngrihen kantinat shkollore brenda çdo shkolle për ushqimin e sigurtë të çdo nxënësi. Do të realizohet guida audio në të gjitha muzeumet e qytetit dhe çdo shërbim i bashkisë do të merret online.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të Bashkisë Korçë dhe cilat janë ato? 

Për Bashkinë Korçë kriter për emërimin e stafit në gjithë këto vite ka qënë gjithmonë aftësia, përkushtimi dhe pasioni për të ndryshuar qytetin. Këto do të vazhdojnë të jenë të vetmet kritere për përzgjedhjen e administratorëve dhe çdo anëtari të stafit tim. Drejtimi i bashkisë së madhe është një sfidë menaxhimi dhe mirëqeverisjeje dhe jo një sfidë politike. Drejtimi i një pjese të ish komunave me stafe militantësh të paaftë ka qenë padyshim një ndër shkaqet e keqmenaxhimit dhe të degradimit të infrastrukturës dhe shërbimeve në këto territore.

Qëllimi i reformës territoriale, këtij hapi të domosdoshëm për menaxhim të drejtë dhe të qëndrueshëm të Njësive Vendore në Shqipëri, fokusohet pikërisht në kriteret e mirëqeverisjes, ku padyshim profesionalizmi është kriteri bazë. Po ju sjell një shembull; për emërimin e 5 anëtarëve të Njësisë Kreative, një strukturë e re e ngritur së fundmi pranë Bashkisë Korcë, konkuruan 100 të rinj korçarë të cilët u përzgjodhën nga një juri kopetente, pjesë e së cilës ishte edhe Ministrja e Inovacionit Milena Harito.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.)

 

Për Bashkinë e Korçës kjo nuk është një rrugë e panjohur. Në 8 vjet qeverisje lokale të së majtës në Korçë, vendimmarrja jonë për projektet dhe planet e zhvillimit ka qënë e konsultuar në mënyrë sistematike me qytetarët, duke përdorur mekanizma të njohur dhe të rinj për këtë qëllim. Pranë Bashkisë Korçë funksionon prej disa vitesh Komisioni Qytetar, si organ oponent dhe konsultativ për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në qytet. Pas 21 qershorit, ky komision padyshim që do të zgjerohet edhe me përfaqësues nga fshatrat që i bashkohen bashkisë së re. Hartimi i përvitshëm i buxhetit do të vazhdojë të bëhet me pjesëmarrjen e banorëve të territorit të bashkisë së re. Do të vazhdojmë të shkojmë në çdo lagje dhe në çdo fshat për të dëgjuar nevojat, propozimet e banorëve, me qëllim që t’i prioritizojmë dhe t’i orientojmë sa më objektivisht ato.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me menaxhimin e mbetejeve urbane dhe ngritjen dhe mirëfunksionimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në të gjithë bashkinë?

Nga sa kam konstatuar gjatë kësaj periudhe që po shkel dhe po njoh nga afër problematikat e çdo fshati që na bashkohet, më rezulton që situata e menaxhimit të mbetjeve në këto zona është alarmante. Mungon totalisht sistemi i integruar i grumbullimit dhe fushat, kanalet dhe shtretërit e përrenjve dhe lumenjve janë të vetmet pika grumbullimi të mbeturinave. Ky është një sinjal alarmi dhe padyshim brenda vitit të parë ne do të ngremë sistemin e grumbullimit të mbetjeve urbane në të gjitha fshatrat që i bashkohen territorit të bashkisë së re me destinacion vendgrumbullimin e Maliqit, i cili do të përfundojë brenda vitit 2016, si edhe do të pastrojmë të gjithë shtretërit e lumenjve duke i kthyer ata në identitet.

Qyteti Korçës është mbase i vetmi qytet në Shqipëri që e ka të zgjidhur prej vitesh problemin e furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve dhe sfida jonë do të jetë shtrirja e këtj rrjeti në çdo fshat që na bashkohet. Është paradoksale që në vitin 2015, edhe pse të rrethuar nga burime të panumurta hidrike, banorëve të fshatrave iu duhet ende të hapin puse dhe të mbushin ujë më krahë.

Brenda vitit të parë do të përfundojmë fazën e fundit të shtrimit të kanalizimeve në qytetin e Korçës dhe do të fillojmë nga puna për zgjerimin e kësaj harte me çdo fshat të bashkisë së re.

Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerrni lidhur me mbështetjen dhe nxitjen e mëtejshme të turizmit malor dhe kulturor në këtë bashki gjatë këtij mandati? Si do të promovohen vlerat tradicionale dhe kulinaria e zonës?

Bashkimi i fshatrave si Dardha, Voskopoja, Vithkuqi si edhe shumë fshatrave të tjerë me pasuri të paçmuara natyrore e kulturore është një fat i madh që i hap rrugën zhvillimit ekonomik nëpërmjet turizmit dhe vlerave që këto zona mbartin. Kam hartuar një paketë të plotë projektesh për këtë qëllim. Do të ndërtojmë Unazën Turistike të bashkisë e cila do të thotë lidhje me infrastrukturë rrugore e zonave turistike me afërsi gjeografike. Do të përmirësojmë infrastrukturën rrugore, ndriçimin dhe do të bëjmë rikonstruksionin e monumenteve të kulturës në fshatrat turistikë Dardhë, Voskopojë dhe Vithkuq.

Do të zgjerojmë hartën e fshatrave turistikë të bashkisë me një program të integruar zhvillimi për të ndërtuar profile të veçanta dhe atraktive si:

Rruga e shijes (Boboshticë – Drardhë) Ky do të jetë një rrjet restorantesh, bujtinash që do të promovojnë gatimet tradicionale të zonës, do të ketë tregje me produkte bio të zonës dhe festivale ushimesh tradicionale.

Rruga e Qumështit (Bulgarec – Çiflig) Ky do të jetë një rrjet fermash të prodhimit dhe përpunimit të nënprodukteve të qumështit dhe përpunimit të mishit dhe në këtë zonë kemi planifikuar të zhvillojmë modelin e turizmit të fermave.

Rruga e frymëzimit (Mborje – Drenovë) Ne kemi planifikuar rivitalizmin e aksit përgjatë Përroit të Bozdovecit dhe Përroit të Mborjes me gjelbërim, hapësira çlodhëse, shëtitore buzë lumit, ura lidhëse duke krijuar një park frymëzimi mes Mborjes dhe Drenovës.

Investimet në këto zona, si pjesë e programit të zhvillimit, do të realizohen përmes investimeve publike, partneritetit publik-privat dhe skemave të incentivave me taksa të ulta, grante dhe kredi të buta.

Gjithashtu parashikojme mbështetjen me grant për ndërtimin e rrjetit të 50 bujtinave tradicionale në qytetin e Korçës dhe zonave turistike, ndërtimin e pistës së skive dhe kompleksit turistik dimëror në Dardhë dhe Voskopojë, ngritjen e rrjetit të Zyrave të Informacionit Turistik në qytet dhe fshatra turistikë, si edhe organizimin e festave dhe eventeve të reja që promovojnë traditat, kulinarinë, artizanatin në bashkinë e re, duke shfrytëzuar traditat dhe karakteristikat e fshatrave përreth Korçës.

Cila do të jetë mbështetja e bashkisë së re gjatë katër-vjeëarit të ardhshëm për zhvillimin e qendrueshëm të sektorit të bujqësisë dhe pemëtarisë, si dhe mbështetjen e tregut lidhur me këto produkte në këtë zonë?

Zhvillimi i bujqësisë në bashkinë e Korçës do të mbështetet në Programin e Qeverisë, në Strategjinë Sektoriale të Zhvillimit të Bujqësisë përgatitur nga ministria përkatëse, si dhe në kushtet konkrete që ofron kjo zonë.

Meqenëse në këtë bashki përfshihet qytetit i Korçës që është qendra administrative më e madhe në Shqipërinë Jug-Lindore, zonës rurale të saj i krijohen mundësi të reja për zhvillim të përgjithshëm të saj.

Brenda vitit 2015, do të organizohet struktura e posaçme në bashki e cila do të ketë nënndarje të veçanta për problemet e tokës, tregut bujqësor, menaxhimit të ujit, të mbetjeve, prodhimit, përpunimit etj. Menaxhimi i tokës do të jetë prioritet i punës në vitet e ardhshme duke synuar një zhvillim të qëndrueshëm të aktiviteteve bujqësore dhe jo bujqësore që lidhen me tokën. Puna do të përqëndrohet në përdorimin e kujdesshëm të tokës në tërësi dhe të tokës bujqësore në veçanti duke rishikuar dhe përpiluar planet rregulluese të fshatrave me synim frenimin e ndërtimeve në tokën bujqësore.

Gjithashtu, ne do të fokusohemi ne zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi tokën në bashkëpunim me ZRPP, një problem ky shumëdimensional, i vështirë për tu zgjidhur por shumë i rëndësishëm në zhvillimin e bashkisë në tërësi dhe zonës rurale në veçanti.

Sipas programit të qeverisë, do të punohet për të pajisur të gjithë fermerët me çertifikatat e pronësisë mbi tokën. Vëmendje të veçantë do të ketë për fshatrat Dërsnik, Voskopojë, etj ku problemet me dokumentacionin e pronësisë janë më të mëdha. Fragmentarizimi i tokës bujqësore është gjithashtu një problem madhor që shprehet në dy aspekte: në madhësinë e fermës lidhur me sipërfaqen e tokës dhe copëzimin brenda çdo ferme që konkretizohet në numrin e parcelave për çdo fermë. Secili problem në vetvete dhe të gjitha së bashku janë pengesë kryesore për të rritur efektivitetin e përdorimit të tokës dhe zhvillimit të bujqësisë në tërësi, duke pasur parasysh se madhësia prej 1.2 ha është më e vogla në Europë, përveç Maltës.

Rritja e madhësisë së fermës është problem kompleks dhe se bashkia do të shikojë mundësitë për të lehtësuar në zgjidhjen e problemit.

Për vetë shpërndarjen e rreshjeve në zonën e Korçës, ujitja është një faktor tejet i rëndësishëm për prodhimtarinë në bujqësi. Problemet e ujitjes ndahen në dy grupe: Së pari, probleme të infrastrukturës ujitëse dhe së dyti, probleme të menaxhimit të ujit për ujitje. Burimet kryesore të ujitjes janë rezervuarët (rreth 17 rezervuarë) ku më kryesori është ai i Gjançit, Lumi Dunavec, Liqeni i Prespës së Vogël nëpërmjet Kanalit të Ventrokut, si dhe burime të tjera më të vogla. Këtu janë përqendruar dhe problemet kryesore që lidhen me infrastrukturën dhe menaxhimin e ujit për ujitje.

Lidhur me problemet e më sipërme do të punohet në këto drejtime kryesore.

Brenda vitit të parë, do të evidentohet në mënyrë specifike gjendja e infrastrukturës ujitëse për çdo fshat apo grup fshatrash, sidomos për magjistralet kryesorë si Kanalet e Gjançit (rreth 40 km) në të dy anët e fushës, si dhe rrjetit të kanaleve të tjerë, stacionet e pompimit për ujitje etj dhe me investimet përkatëse.

Mbi bazën e këtij evidentimi do të hartohet një program sipas viteve për të sjellë në gjendje efiçente të gjithë elementët e infrastrukturës ujitëse duke kërkuar fonde nga qeveria por edhe duke përdorur mundësitë e tjera të bashkisë.

Pjesëmarrja e fermerëve në menaxhimin e ujit për ujitje nëpërmjet Shoqatave të Përdorimit të Ujit është larg rezultateve të pritshme. Në koordinim dhe me institucionet përkatëse në të ardhmen do të punohet në këto drejtime kryesore:

Riorganizimi i të gjitha SHPU-ve duke pasur parasysh dhe ndarjen e re territoriale.

Rritja e kapaciteteve të SHPU-ve për të dhënë shërbimet e nevojshme dhe me kosto të përmirësuara.

Rritja e kompetencave të SHPU-ve në drejtim të mirëmbajtjes dhe përdorimit të veprave ujore.

Puna do të përqendrohet edhe në pastrimin e kanaleve kulluese në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

Vënia në rrugën e zgjidhjes të gjithë problemeve të sipërpërmendura do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e prodhimit dhe mireorjentimin drejt prodhimeve dhe tregjeve të duhura.

Cilët hapa konkretë do të ndërmarrë bashkia lidhur me mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyejeve të zonës dhe ndalimin e gjuetisë së paligjshme në to gjatë këtij mandati?

Pyjet janë një pasuri e madhe e zonës sonë. Shumë problematika janë shqetësuese që nga dëmtime të këtyre sipërfaqeve nga prerja pa kriter e deri tek procesionarja që prej vitesh është një kërcënim i pyjeve me pishë në zonën tonë. Veç ngritjes së strukturave dhe punës së vazhdueshme për këtë qëllim kemi projekte konkrete, si Rigjenerimi i Parkut Kombëtar “Bredhi i Drenovës” (Bozdoveci), rigjenerimi i të gjitha sipërfaqeve pyjore në bashkinë e re, rigjenerimi i kurorës së gjelbër të Moravës. Gjithashtu do të shtojmë parqet dhe territoret e gjelbëruara edhe brenda qytetit si ndërtimi i Parkut të ri të Muzeut të Artit Mesjetar dhe Parkut zbavitës të dunave rrëshkitëse pranë Drenicës.

Cilët hapa konkretë premtoni se do të ndërrmerni gjatë këtij mandati në ndihmë të arsimimit, strehimit dhe mbështetjes së familjeve të komunitetit rom të zonës?

Të gjitha shkollat e territorit të bashkisë të re do të rikonstruktohen. Do ta fillojmë me Shkollën “Stavri Themeli” në qytet, projektin dhe financimin për të cilën e kemi gati dhe do të vijojmë me çdo shkollë dhe kopësht brenda territorit.

Do të ndërtojmë 15 terrene sportive të reja në shkollat e bashkisë së madhe dhe do të pajisim të gjitha shkollat me sistemin e kamerave të sigurisë.Do të ngremë kantinat shkollore brenda çdo shkolle për ushqimin e sigurt të çdo nxënësi brenda 300 ditëve të para. Do të zbatojmë projektin Kopshti i Pasdites , që do të thotë kujdes dhe argëtim për fëmijët e kopshtit edhe gjatë orareve të pasdites.

Për strehimin si një nga problemet më shqetësuese në Korçë kemi një paketë projektesh, pjesa më e madhe e të cilave zbatohet për herët të parë. Do të ofrojmë për të pastrehët truall të pajisur me infrastrukturë falas për shtëpi banimi të standartizuara në një bllok të ri pranë Parkut Rinia . Do të ndërtojmë 70 apartamente të reja për të pastrehët në bashkëpunim me Entin e Banesave brenda vitit të parë. Do të ndërtojmë godina me kosto të ulët për strehimin e familjeve pa të ardhura. Do të ofrojmë bonusin e strehimit për familjet e pastreha, që do të thotë pagesën nga bashkia të gjysmës së vlerës së qerasë minimale. Do të ndërmjetësojmë me bankat për kredi me interesa të ulëta për strehim.

Për kujdesin për moshën e tretë do të ngremë 10 Qendra të reja Komunitare për Moshën e Tretë në qytet dhe fshat si edhe do të pajisim me Kartën e Pensionistit çdo të moshuar në fshat. Do të mundësojmë akses të infrastrukturës dhe transportit publik për Personat me Aftësi të Kufizuar.Do të ngremë Bankën e Ushqimit, një grumbullim i qendërzuar i donacioneve ushqimore nga organizatat dhe individët dhe do të bëjmë shpërnderjen e tyre sistematike në familjet në nevojë. Do të ngremë Qendrën së Shërbimit për të varfrit si edhe struktura te posaçme për evidentimin dhe orientimin drejt zgjidhjes së problemeve të familjeve të varfra pranë çdo Qendre Administrative. Programi “Adopto një familje të varfër” që synon të krijojë rrjetin e kujdestarisë për familjet pa të ardhura.