Interview31 May 2015

Vangjush Dako: Durrësi në mandatin tim të tretë

Kryetari i bashkisë Durrës Vangjush Dako, i cili kërkon një mandat të tretë në zgjedhjet e 21 qershorit, shprehet se sfidat e bashkisë së re pas reformës administrative-territoriale janë kryesisht rurale.

Author: Lindita Çela BIRN Durrës
Print

Vangjush Dako

Vangjush Dako

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë Durrës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Dy problemet ose sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet bashkia e re, duke pasur parasysh ndryshimet që ka sjellë tashmë në hartën e Durrësit të Ri reforma administrativo-territoriale, kanë të bëjnë me pastrimin e 241 km kanale vaditëse të pa mirëmbajtura për 25 vjet me radhë dhe vënien në punë të rezervuarëve, sepse pa ujë s’ka bujqësi.

Angazhimi dhe objektivi ynë parësor është që brenda vitit të parë të mandatit të ri të realizojmë pastrimin e të gjithë kanaleve kulluese, pra 241 km, të cilët më pas do t’i shërbejnë bujqve e fermerëve të zonës për ujitje/vaditje, ashtu siç kemi bërë me punën tonë këto vite me pastrimin dhe mirëmbajtjen e rreth 70 km kanalizime në qytet.

Për sa i përket rezervuarëve, aktualisht kemi 18 të tillë, por vetëm 4 punojnë, ato të Manzës dhe Ishmit. Kështu që sfida jonë mbetet vënia në punë dhe në efiçencë të plotë e tyre.

Prandaj, në përmbushje të vizionit e projektit tonë konkret për bujqësinë, jemi angazhuar për lehtësimin e procedurave për pastrimin dhe vaditjen e tokave bujqësore, siç është edhe nisma për krijimin e Inspektoratit të Mirëmbajtjes së Tokave dhe Arave, apo edhe plani konkret për rikonstruksionin e rrugëve që të çojnë në parcelat bujqësore.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Durrës?

Duhet të vë në dukje që në fillim, se bashkia e Durrësit kanë qenë disa herë e diskriminuar në raport me fondet që jepte qeveria e mëparshme. Mjafton t’ju përmend faktin se për 6 vitet kur Berisha ishte kryeministër, morëm jo më shumë se 1.6 milionë dollarë.

Me Edi Ramën kryeministër kemi siguruar plot 22 milionë dollarë investime dhe ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit. Pra, e them këtë, pasi është shumë i rëndësishëm raporti i bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor dhe qeverisjes qendrore. Konkretisht, në lidhje me infrastrukturën, deri më tani kemi ndërtuar ose rehabilituar rreth 98% të rrugëve.

Prioritet për bashkinë e re do të jenë pa diskutim vijimi i transformimit të rrugëve në zonat rurale, duke veçuar këto dy akse: Sukth – Hamallaj dhe Shënavlash – Katund i Ri.


A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Durrës dhe cilat janë ato?

Lidhur me listën e kritereve për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative, si çdo institucion i pavarur apo njësi e qeverisjes vendore, edhe bashkia e Durrësit i shpall procedurat e pranimit për secilin grup në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në stendat e informimit të publikut, në zbatim të kërkesave të posaçme të ligjit për nëpunësin civil, dhe përkatësisht dispozitave të tij që rregullojnë rekrutimin.

Pra, administratorët e njësive administrative të bashkisë Durrës janë Nëpunës Civilë dhe rekrutimi i tyre bëhet bazuar në Ligjin 152/2013 “Për Nëpunësin Civil,” dhe bazuar pikërisht në nenet 22, pika 6, neni 23, pika 5, neni 24, pika 5, neni 25, pika 5, neni 26, pika 4 dhe neni 69 i Ligjit 152, i Miratuar më 13.05.2013 dhe hyrë në fuqi me 01.10.2013. Këshilli i Ministrave, bazuar në nenin 69 të Ligjit 152/2013, ka nxjerrë aktet nënligjore për vënien në zbatim dhe mirëfunksionimin e Ligjit dhe me VKM Nr, 143, datë 12.03.2014 ka vendosur “Për procedurat e rekrutimit, të përzgjedhjes, të periudhës së provës, të lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese.”

Në bazë të ligjit, mund të përdoren mënyra alternative të shpalljes së konkurrimit, si faqja e internetit të institucionit, si dhe çdo mjet tjetër të konsideruar të përshtatshëm për shpalljen, të njohur nga legjislacioni në fuqi.

Shpallja e procedurës së pranimit botohet të paktën 60 ditë kalendarike para datës së parashikuar për zhvillimin e konkurrimit dhe dokumentacioni duhet të dorëzohet jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.

Për vlerësimin e kandidaturave funksionon Komiteti i Përhershëm i Pranimit, prej 5 anëtarësh, të cilët vijnë: 1 anëtar nga njësia përgjegjëse (që është edhe kryetari), pastaj janë dy anëtarë të përzgjedhur nga titullari i institucionit (që kanë funksione të ndryshme në bashki, me pozicion drejtues), pastaj janë edhe dy anëtarë të tjerë, që vijnë nga shoqëria, pra, janë ekspertë të fushës përkatëse, të pavarur, që kryesisht punojnë në fakultet, etj.

Ndërkohë, me ndryshimet e Ligjit nr. 30/2015, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, administrata e njësisë administrative drejtohet nga administratori, i cili emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij për funksionimin dhe veprimtarinë e administratës. Po ashtu, struktura dhe organika e administratës së njësive administrative, është pjesë e strukturës dhe organikës së administratës së bashkisë dhe neni 44/2 i këtij ligji rregullon detyrat e administratës së njësisë administrative.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Prej fillimit të punës sime si kryetar bashkie i kam kushtuar rëndësi pjesëmarrëses së grupeve të interesit në proceset e vendimmarrjes së bashkisë për projektet e qytetit. Kështu, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shoqatat që përfaqësojnë shoqërinë civile, për të organizuar në mënyrë sa më transparente dëgjesat publike.

Një shembull i qartë në këtë drejtim, është hartimi i buxhetit të bashkisë, i cili është një proces tërësisht i hapur dhe transparent, me pjesëmarrjen e gjerë të grupeve të ndryshme shoqërore dhe atyre të interesit, të cilët marrin pjesë në seancat përkatëse, sipas programeve të punës.

Kjo traditë ka nisur në janar 2008, pra, buxhetin e parë e kemi hartuar duke u këshilluar me banorët e Durrësit dhe kështu kemi vazhduar e do të vazhdojmë edhe më tej.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj që zona turistike përgjatë plazhit të furnizohet me ujë. Sa kohë do t’ju duhet ta zgjidhni këtë problem?

Siç është bërë e ditur, qeveria shqiptare dhe Banka Botërore nënshkruan marrëveshjen për financimin me 62 milion euro të ndërtimit të një stacioni të ri pompash në Fushë-Milot dhe një linjë të re transmetimi të ujit dedikuar vetëm për qytetin e Durrësit. Vetëm investimi për ujin e pijshëm ka vlerën e 37,6 milion eurove. Kjo marrëveshje është nënshkruar në nëntor të vitit 2013, një muaj pasi Ndërmarrja e Ujësjellësit kaloi në varësi të bashkisë.

Duhet theksuar se Durrësi ka pasur probleme të furnizimit me ujë në stinën e verës që para viteve ’90 si dhe në vazhdim. Gjatë këtyre 25 viteve, popullsia në zonën që furnizohet me ujë gati është trefishuar, ndërsa vendburimi nga vjen uji si dhe tubacioni që e sjell atë në Durrës është ndërtuar para 40 vitesh.

Në këtë aspekt, qeveria i dha prioritet Durrësit duke gjetur fonde për financimin e një projekti të tillë gjigant. Në përfundim të projektit, ne do të kemi me siguri të plotë trefishin e sasisë së ujit që kemi aktualisht për gjithë Durrësin duke përfshirë edhe zonën turistike.

Nga ana tjetër ky investim do të bëjë që të ketë më shumë ujë edhe për fshatrat, ndërsa në përfundim të tij nuk do të ketë faturim afrofe, pasi projekti i Bankës Botërore parashikon edhe instalimin e matësve në masën 100 % me vlerë 2 milion euro.

Një pjesë tjetër e rëndësishme është edhe investimi për rehabilitimin e rrjetit të ujit të pijshëm në qytet me vlerë 7 milion euro. Ky investim synon përmirësimin e rrjetit për të përballuar sasinë e ujit që pritet të vijë pas linjës së re dhe eliminimin e ndotjes në qytetin e Durrësit. Investimi pritet të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të mbarojë brenda një viti e gjysmë. Në lidhje me kohën se sa do të duhet të zgjidhet ky problem, aktualisht në lidhje me procedurat për investimin e rrjetit të ri të ujit të pijshëm bashkë me stacionet e pompimit, tenderi është në fazën përfundimtare dhe pritet që të shpallet firma fituese.

Sapo të përfundojë ky proces, afati i punimeve kërkon dy vjet kohë, dhe në këtë mënyrë në gjysmën e parë të mandatit të ardhshëm të bashkisë ne do të kemi të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për zgjidhjen e problemit të trafikut dhe mungesën e hapësirave të parkingjeve në qytet, veçanërisht gjatë sezonit turistik?

Përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore në të gjithë territorin e bashkisë është një objektiv i rëndësishëm i veprimtarisë në mandatin e ri. Segmentet e brendshme në lagjet e qytetit dhe në fshatrat ku rrugët nuk janë asfaltuar ende, janë veçanërisht përparësi e programit tonë.

Po ashtu, edhe rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në zonën informale, si dhe lehtësimi i lëvizjes dhe aksesit në rrjetin rrugor veçanërisht në periudhën e plazhit kur edhe fluksi turistëve është shumë i lartë, marrin rëndësi dhe kërkojnë fokus të veçantë.

Tashmë, ne jemi në drejtimin e duhur, me projekte që do të na mundësojnë të ndërhyjmë në ndërtimin e rrjetit infrastrukturor midis qytetit të vjetër dhe atij të ri nga veriu dhe jugu, duke rritur dendësinë e rrjetit të rrugëve arteriale dhe duke integruar portin dhe qytetin.

Gjithashtu, në projektet e mandatit të ri, ne jemi kujdesur që t’i përgjigjemi më së miri politikave që bashkia ka për sa i përket krijimit të shesheve apo rrugëve të dedikuara për këmbësorë dhe rifitimit të hapësirave publike.

Edhe për sa i përket ndërtimit të hapësirave të parkingjeve, në projektet tona në mandatin e ri, kemi planifikuar një sërë ndërhyrjesh, ku mund të përmendim parkingjet e mbuluara që po planifikojmë për të ndërtuar si pjesë e strukturave për riorganizimin e sheshit të portit e disa projekte përgjatë vijës bregdetare, apo ato të sheshit publik të Mauzoleumit të Dëshmorëve e disa ndërhyrje të tjera.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për ta mbrojtur Gjirin e Lalzit nga ndërtimet e pakontrolluara që nuk mundësojnë një turizëm të qëndrueshëm?

Aktualisht, jemi duke hartuar Planin Rregullues për Gjirin e Lalzit, i cili nuk do të lejojë ndërtime me intensitet më të lartë se i = 0.1 – 0.2.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për të zgjidhur problemin e ujërave të zeza që derdhen në det?

Kanalizimet e ujërave të zeza janë pjesë e marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Botërore. Më duhet të them se me keqardhje konstatojmë se gjithmonë në prag të sezonit turistik, Durrësi sulmohet padrejtësisht me lajme që flasin për derdhje të ujërave të zeza në det.

Situata nuk ka qenë e mire, por ka përmirësim të ndjeshëm këto dy vitet e fundit. E vërteta në lidhje me kanalizimet e ujërave të zeza është kjo: Prej dy vitesh është ndërtuar kolektori i ri kryesor dhe një pjese e sekondareve nga Përroi i Agait – Ura e Dajlanit dhe që më pas përfundon tek Impianti i Ujerave te Zeza në Shënavlash.

Ky impiant, i cili është më i miri i llojit të vet në Shqipëri, ka afro dy vjet që funksionon dhe është ndërtuar dhe po mirëmbahet nga UKD sipas parametrave evropianë.

Për zonën që nuk administrohet deri tani nga bashkia e Durrësit, nga Plepat deri te Përroi i Agait, situata është e tillë: janë lidhur me sistemin e kanalizimeve brezi i parë dhe i dytë i banesave dhe bizneseve në zonën nga rruga nacionale drejt bregut të detit, ndërsa pjesa tjetër mbi shinat e trenit funksionon me gropa septike dhe do të sistemohet brenda afatit që parashikohet në investimin e BB.

Zona nga Ura e Dajlanit deri në Plepa funksionon me të dy kolektorët e ujërave të zeza, të riun dhe të vjetrin, ku në disa pika ata bashkohen në mënyrë që të gjithë ujërat e zeza të shkojnë drejt impiantit. Kjo gjë ka shmangur përmbytjet dhe shpërthimet e kanalizimeve që më përpara ndodhnin në shumë rrugë dhe blloqe banesash në Plazh, por më e rëndësishme është se nuk ka as derdhje të ujërave të zeza drejt plazhit. Është për t’u kompletuar me rrjet dytësor dhe tretësor të ri në zonën turistike të Plazhit, investim me vlerë 5 milion euro që pritet të fillojë në muajin tetor të këtij viti.

Një tjetër investim i rëndësishëm për sa i përket rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza është edhe ai që do të ndodhë në qytetin e Durrësit ku pritet të ndërtohen një rrjet i ri kanalizimi që do të mbledhë ujërat e zeza nga Currilat për t’i dërguar në stacionin nr. 8 që gjendet në hyrje të shëtitores “Taulantja”. Më pas ato do të shkojnë drejt stacionit nr. 7 te stadiumi dhe më pas, në stacionin nr. 9 në hyrje të zonës së ish-Kënetës, ku ky i fundit i dërgon drejt impiantit. Ky investim shkon në 4-5 milion euro dhe është në fazë projektimi.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për ndalimin e ndërtimeve në zonën arkeologjike A dhe B, që po shkatërrojnë trashëgiminë e pasur të qytetit të Durrësit?

Për sa i përket ndalimit të ndërtimeve në zonën arkeologjike A dhe B, më duhet t’ju vë në dijeni se kjo është një çështje që rregullohet me Ligjin nr. 9048 “Për trashëgiminë kulturore,” i ndryshuar, dhe është tërësisht në autoritetin e Instituti të Monumenteve të Kulturës, i cili ndërton të gjithë punën kërkimore studimore dhe ndjek zbatimin e legjislacionit në fushën e monumenteve të kulturës.

Gjithashtu, në përmbushje të dispozitave të Rregullores Vendore të Planifikimit të Territorit për Bashkinë Durrës, të hartuar e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, në bazë të Ligjit 10 119, dt. 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, Bashkia Durrës, ka përcaktuar qartësisht kufijtë administrativë dhe territorin e zonave arkeologjike A dhe B, me qëllim zbatimin e kërkesave të Ligjit nr. 9048, për ndalimin e ndërtimeve në zonat e sipërpërmendura.