Interviste7 Qer 2015

Zamira Rami: Vizioni im për punësimin

Kandidatja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim për kryetare të Bashkisë Gjirokastër premton se do të nxisë turizmin dhe artizanatin për të krijuar vende pune.

Autor: Raimond Kola BIRN Gjirokastër
Printo

Zamira Rami

Zamira Rami

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Gjirokastër dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Punësimi është në këndvështrimin tim problemi më i madh në Gjirokastër. Ne kemi hartuar programin, i cili përcakton qartë hapat që do të ndiqen për ta zbutur këtë problematikë dhe natyrisht turizmi i qëndrueshëm do të jetë sektori më i rëndësishëm në këtë drejtim. Parashikojmë hapjen e vendeve të reja të punës nëpërmjet stimulimit të biznesit familjar, përfshirjes së të rinjve si guida turistike, kurset e trajnimit profesional për mjeshtëritë tradicionale gjirokastrite, krijimit të lehtësive për bizneset etj.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Gjirokastër? (Shënim! Kërkohet një listë sa më konkrete e objekteve/rrugëve që synohen të riparohen).

Programi i ka të përcaktuara qartë projektet konkrete dhe ndarjen e tyre në afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Nëse duhet të përmend disa nga ndërhyrjet që do kryhen gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë do të ishin:

– Fasada e Pazarit, që do të kthehet në origjinalitet, e lyer me ngjyrë të bardhë.

– By pass i zonës historike për ta kthyer Pazarin Historik në Pedonale

– Rrugët lidhëse të fshatrave në zonat e Picarit e Cepos

– Rikonstruksion i shkollës “Së bashku” në qytetin e Gjirokastrës.

– Përmirësim i ndjeshëm i sistemit të ngrohjes në të gjitha godinat parashkollore e shkollore të bashkisë së re e veçanërisht në gjimnazin “Asim Zeneli”, ku ngrohja është problem i mprehtë prej shumë vitesh.

– Ndërhyrje në infrastrukturën e dy qendrave shëndetësore, asaj të lagjes “Palorto” në qytetin e Gjirokastrës dhe asaj në komunën Cepo.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Gjirokastër dhe cilat janë ato?

Përveç kritereve që të përcaktuara qartë në ligjin e Administratës Publike dhe në atë të Pushtetit Lokal, administratorët në njësitë vendore duhet të jenë njerëz të përgjegjshëm, të aftë e të komunikueshëm.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)

Një nga pikësynimet e mia më të qarta në nisje të fushatës elektorale ka qenë përthithja e mendimit të banorëve, specialistëve dhe njerëzve me personalitet nga të gjitha fushat në Gjirokastër. Takimet e mia të para janë zhvilluar me grupe të ndryshme interesi për të marrë opinione të specializuara në zhvillimin e mëtejshëm të bashkisë së re. Me marrjen e detyrës, pranë bashkisë do të funksionojnë në mënyrë të përhershme këshillat konsultativë, në një sërë sektorësh, si ekonomik, trashëgimisë kulturore, urbanistikë etj. Këto forume do të jenë të ndërtuara në mënyrë të tillë që të shërbejnë si përzgjedhëse të të gjitha projekteve dhe planeve, që do të zbatohen në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës për komunitetin. Njëherazi, këto këshilla do të jenë oponenca më e fortë e Këshillit Bashkiak, që ka në dorë vendimmarrjen.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për furnizimin me ujë dhe ofrimin e shërbimeve në lagjen Zinxhira, e cila ka një përqendrim të grupeve vulnerabël si komuniteti Rom?

Ka filluar në qytetin e Gjirokastrës zbatimi i një projekti të madh, financuar nga Banka  Gjermane KFW, në vlerën e 4.5 milionë euro e që do të mundësojë furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në 24 të pjesës më të madhe të qytetit. Pjesë e këtij projekti është edhe lagjja që ju përmendni dhe që në bazë të informacioneve që disponoj do të jetë e para që do të furnizohet pas përfundimit të projektit.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës së Lazaratit  pas  frenimit të kultivimit të marijuanës. A keni projekte konkrete punësimi në këtë fshat?

Lazarati është një zonë e madhe, me një numër të konsiderueshëm banorësh, por gjithashtu edhe me biznese të shumta. Duke qenë se vetë banorët kanë ngritur bizneset e tyre, një pjesë e mirë janë të vetëpunësuar. Ndërkohë bashkia e re do të punojë fort për integrimin e të rinjve, të cilët janë të shkolluar në projekte të ndryshme që do të aplikohen nga kjo njësi e qeverisjes vendore. Nga ana tjetër, do të lobojmë për ngritjen e një biznesi fason për të mundësuar punësimin e grave dhe vajzave të kësaj zone.

Modeli aktual i zhvillimit të bashkisë Gjirokastër mbështetet tek qarkullimi tregtar, pak të ardhura nga turizmi  familjar, artizanati dhe  zhvillimi i atyre pak njësive të vogla dhe të mesme të  prodhimit. Si do të harmonizohet ky model zhvillimi me aktivitetin bujqësor dhe blegtoral në territorin e ri të zgjeruar të bashkisë?

Turizmi do të jetë shtylla kryesore jo vetëm e programit tonë, por edhe e strategjisë së zhvillimit të qëndrueshëm të bashkisë së re. Si rrjedhojë, çdo element tjetër, duke filluar nga infrastruktura, promovimi i monumenteve, artizanatit, prodhimeve bio të zonës, trashëgimia kulturore do të vihen në funksion të turizmit. Programi im përsa i përket këtij sektori, që është edhe e ardhmja ekonomike e Gjirokastrës, është i plotë dhe gjithëpërfshirës.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit për të harmonizuar diferencat e thella që kanë njësitë e tjera që bashkohen me bashkinë aktuale, sidomos për nga të ardhurat, investimet  dhe projektet në infrastrukturë?

Gjatë bashkëbisedimeve që kam zhvilluar në çdo fshat e komunë që i shtohet bashkisë së re, kam konstatuar se nuk ekzistojnë diferenca të dukshme. Sigurisht që ka shumë për të bërë dhe për këtë janë hartuar projekte konkrete, duke i mëshuar resurseve që mbart çdo zonë. Në mënyrë që këto projekte të jenë të prekshme, ekziston një plan i madh integral, ku harmonizohet vënia në funksion e infrastrukturës me të gjitha pasuritë, në mënyrë që secili të përfitojë atë që investon.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për përmirësimin e gjendjes së paraplegjikëve dhe njerëzve në nevojë. Cilat janë projektet konkrete për këto kategori?

Megjithëse Gjirokastra nuk ka një komunitet shumë të madh të personave paraplegjikë, vëmendja ndaj tyre do të jetë e pranishme në çdo moment. Besoj se hapin e parë në këtë drejtim e kemi hedhur, me vendosjen si këshilltare të një zonje, që është mjeke, pedagoge dhe njëherazi anëtare e shoqatës së paraplegjikëve. Përsa u përket shtresave në nevojë problemet e tyre janë realisht të shumta. Një hap i parë është ngritja e qendrave të përkujdesit ditor për familjet pa të ardhura.

A planifikoni ta ndryshoni planin urban të Gjirokastrës dhe si do trajtoni mbingarkesën ndërtimore në Lagjen e poshtme 18 Shtatori. Çfarë qëndrimi  do mbani ndaj  tregut aktual industrial që ngrihet çdo mëngjes  me çarçafë në bulevardin e lagjes 18 shtatori?

Plani urban i Gjirokastrës prej shumë vitesh është gati, nga kompani të specializuara ndërkombëtare dhe pritet së shpejti të miratohet në Këshillin Kombëtar të Rregullimit Territorial të Republikës së Shqipërisë. Për sa i përket tregut industrial, pavarësisht pamjes jo të këndshme, të mos harrojmë se aty janë të vetëpunësuara dhjetëra familje. Në bashkëpunim me ta do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për të mbrojtur  qendrën historike të Gjirokastrës dhe cilat janë projektet që do të zbatoni për të nxitur turizmin kulturor dhe atë familjar?

Zbatimi me përpikmëri i të gjitha udhëzimeve që kanë ardhur nga UNESKO, pjesë e së cilës qyteti i Gjirokastrës është prej 10 vitesh. Në këtë aspekt, fasada do të jetë krejt e bardhë me çatitë gri; do të hiqen të gjitha kabllot që prishin imazhin, ndërsa në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe Ministrinë e Kulturës do të fokusohemi edhe në restaurimin e çative që kanë nevojë për ndërhyrje.

Sikurse e thashë edhe më lart, programi ynë për turizmin është i plotë dhe i bazuar mbi realitetin. Specialistë të trashëgimisë kulturore dhe turizmit kanë punuar për të dhe krijon një ndërthurje të vlerave e llojeve të ndryshme të turizmit që treva jonë ofron.

A keni një projekt konkret për të ngritur një qendër të re kulture multifuksionale dhe kush qasja juaj për politikat rinore? 

Kam marrë kontakte me shumë të rinj gjatë kësaj periudhe dhe mendimet e tyre më kanë ndihmuar mjaftueshëm. Karta e studentit është një kërkesë e tyre dhe që do realizohet brenda një afati të shkurtër. Do të vendosen në dispozicion të të rinjve mjedise sportive e kulturore, për ta bërë më të larmishme jetën sociale. Edhe ngritja e qendrës multifunksionale është pjesë e programit tonë.