Blog10 Oct 2014

Zgjedhjet vendore po vijnë, por KQZ mbetet gjysmake

Ndërkohë para-fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 2015 ka filluar institucioni që duhet t'i administrojë ato mbetet i paplotësuar –një histori Shqiptare që edhe këtë herë do të përsëritet. 

Author: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Print

Punimet për ndërtimin e Unazës së re të Tiranës fotografuar më 2 tetor 2014. Foto: LSA

Punimet për ndërtimin e Unazës së re të Tiranës fotografuar më 2 tetor 2014. Foto: LSA

Pas vetëm 6 muajsh, Shqipëria do të duhet të zhvillojë zgjedhjet për pushtetin vendor. Por këtë herë, zgjedhjet do të duhet të kryhen me një hartë të re zgjedhore, me njësi të reja të pushtetit vendor dhe, natyrisht, me Komision Zgjedhor Qendror të plotësuar.

Fushata elektorale duket se ka nisur sakaq me një valë investimesh nga ana e qeverisë si Unaza e re e Tiranës, stadiumi i Elbasanit e të tjera, investime që duket se synojnë të bindin votuesit se qeveria mund të bëjë punë dhe të japë rezultate. Shpenzimet publike po rriten me shpejtësi.

Ndërkohë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vijon të jetë i bllokuar, me katër anëtarë, ndërsa nuk duket në horizont ndonjë tentativë për të zgjidhur këtë ngërç. Të katër anëtarët aktualë janë të propozuar nga opozita politike, pra Partia Demokratike, ndërsa tre të tjerët qenë të opozitës së djeshme dhe të maxhorancës së sotme, por janë dorëhequr që para zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2013. Për këdo që e ka harruar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët ndahen mes partive politike parlamentare në bazë të një formule të rënë dakord mes palëve. Kjo formulë e vendosur fillimisht me marrëveshjen politike PS-PD të vitit 2003 dhe me marrëveshjen e vitit 2008, duket se u prish para zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Për ta zgjidhur këtë, do të duhet normalisht një marrëveshje mes tre partive kryesore por diçka e tillë, nuk duket në horizont.

Në këto kushte, nuk është e qartë se si vendi do të shkojë në zgjedhje me një institucion me katër nga shtatë anëtarë që duhet të ketë dhe pa një marrëveshje të nivelit politik për plotësimin e vendeve vakante apo për zbatimin e atyre marrëveshjeve që kanë qenë.

Raporti i Progresit i Komisionit Europian nuk i dha shumë rëndësi këtij problemi dhe u mjaftua me dy rreshta: njëri thotë se vendet vakante në KQZ duhet të plotësohen dhe tjetri thotë se rekomandimet e OSBE/ODHIR nga zgjedhjet e kaluara duhet të zbatohen.

Asgjë e tillë nuk po ndodh megjithëse në dukje maxhoranca aktuale qeverisëse i ka votat e disponueshme për të bërë gjithçka që i nevojitet.

Ndërkohë, harta e re e administrimit të territorit, e cila u miratua në parlament së fundmi dhe që po kundërshtohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, imponon një mori ndryshimesh administrative të cilat, do të duhet të kryhen para zgjedhjeve, përfshirë mënyrën se si do të administrohen votat apo edhe thjeshtë shpjegimin para publikut se cila është bashkia e tyre pas reformës e për kë do të votojnë.

Nga mbi 370 njësi vendore që janë aktualisht ato duhet të reduktohen në 61. Kjo nënkupton një ndryshim rrënjësor në administratën vendore ekzistuese.

Shqipëria ka përjetuar një situatë emergjence paraelektorale pothuajse në çdo rast që ka patur zgjedhje në 24 vitet e fundit. Për më tepër, zgjedhjet për pushtetin vendor shumë shpesh janë parë si testim për strukturat zgjedhore të vlefshme për pushtetin qendror.

Siç duket, zgjedhjet e ardhshme vendore do të jenë pikërisht si ato të së shkuarës. Një krizë e vazhdueshme politike në formën e telenovelës.