Profile15 May 2015

Profili i bashkisë Lezhë

E shtrirë në të dy anët e lumit Drin, e rrethuar nga lagunat Kunë e Vain si dhe nga plazhi i Shëngjinit, Lezha ofron mundësi të larmishme për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.

Author: Elvis Nabolli BIRN Lezhë
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Lezhë

Harta e re territoriale e bashkisë Lezhë

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-lezhe/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Lezha kufizohet në veri me Bashkitë e Vaut të Dejës dhe Pukës, në perëndim me Detin Adriatik, në lindje me Bashkinë e Mirditës dhe në jug me Bashkinë Kurbin. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Lezhës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Lezha ka 65,633 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 106,245 banorë. Me një sipërfaqe prej 509.1 km2, bashkia e re e Lezhës ka një densitet prej 208.69 banorë/km2 sipas të dhënave të Regjistrit Civil dhe 128.91 banorë/km2 sipas Censusit 2011.

Kjo bashki përbëhet nga 10 njësi administrative, të cilat janë: Lezha, Shëngjini, Zejmeni, Shënkolli, Balldreni, Kallmeti, Blinishti, Dajçi, Ungreji dhe Kolshi. Të gjitha këto njësi janë aktualisht pjesë e rrethit të Lezhës dhe e po të njëjtit qark. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Lezhë dhe Shëngjin) dhe 65 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i Bashkisë

Bashkia e Lezhës shtrihet në pjesën dërrmuese të vet në një zonë të ulët dhe bregdetare, me lartësi 5 metra mbi nivelin e detit. Trashëgimia e pasur historike dhe kulturore e bën këtë bashki një destinacion tërheqës për turizmin kulturor.

E shtrirë në të dy anët e lumit Drin, e rrethuar nga lagunat Kunë e Vain si dhe nga plazhi i bukur i Shëngjinit, Lezha ofron bukuri natyrore të larmishme dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit jo vetëm brenda territorit të saj, por edhe në një distancë të afërt.

Aktualisht, ekonomia në qytet është e diversifikuar, por mbështetet në tregti dhe shërbime, sektorë që punësojnë numrin më të madh të banorëve të Lezhës. Ndërtimi i Parkut të Biznesit në pjesën veriore të qytetit pritet të nxisë përqendrimin e bizneseve vendore dhe rajonale në këtë qytet.

Vitet e fundit, industria e përpunimit të peshkut në rajonin e Lezhës ka njohur investimet më të mëdha në rang vendi, sa i përket ngritjes së stabilimenteve të peshkut.

Në Bashki po zbatohet dhe projekti për mbledhjen e diferencuar të mbeturinave në qytet, ndërsa kjo nismë do të duhet të shtrihet edhe në komunat që i bashkohen Lezhës.

Pozicioni i favorshëm gjeografik mundëson akses në të mirat bujqësore, të agrikulturës, blegtorisë dhe peshkimit, të cilat ndikojnë gjithashtu në  potencialin ekonomik dhe rritjen e punësimit në Bashki. Megjithatë, një pjesë e territorit të Lezhës vazhdon të kërcënohet nga përmbytjet, të cilat shkaktojnë herë pas here dëme të konsiderueshme.

Bashkia e re do të ketë në territorin e saj qytetin e Shëngjinit dhe një vijë të gjatë bregdetare, e cila fillon nga rezervatet natyrore të mbrojtura të Bregut të Matit dhe të Kune-Vain-Tales deri te plazhet shkëmbore në veri të qytetit të Shëngjinit. Një pjesë e mirë e bregdetit nuk i ka shpëtuar betonizimit, ndërsa në këtë vijë bregdetare ka ende plazhe të virgjëra, të cilët duhen mbrojtur.

Zona etnografike e Zadrimës, e cila shtrihet në pjesën veriore të bashkisë së re është një pasuri e cila së fundmi po kthehet në atraksion të agro-turizmit dhe të ushqimit të ngadaltë.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Sida kryesore e Bashkisë së Lezhës është zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit përmes mbrojtjes së mjedisit. Për të rritur ofertën turistike për vizitorët e vet, Lezhës do t’i duhet të mbrojë dhe të promovojë trashëgiminë e pasur kulturore, historike dhe arkeologjike.

Investimet në turizëm përgjatë bregdetit të Shëngjinit dhe lagunës së Kunes duhet të harmonizohen me marrjen e masave në pastrimin e vijës bregdetare dhe ndalimin e erozionit. Shtrirja e shërbimit të pastrimit në të gjithë territorin e bashkisë së re është e domosdoshme, po aq sa edhe pastrimi i grykëderdhjeve të Drinit dhe Matit nga mbeturinat.

Bashkisë së re do t’i duhet të mbështesë ndërmarrjet e vogla të zejtarisë dhe produktet e traditës si dhe fuqizimin ekonomik të të rinjve, grave dhe vajzave përmes përfshirjes së tyre në sipërmarrje.

Nxitja dhe lehtësirat fiskale vendore për bizneset e reja të përpunimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale në Lezhë si dhe përmirësimi i infrastrukturës në të gjitha zonat përbën një tjetër sfidë për zhvillimin e harmonizuar të Bashkisë së re.

Plotësimi i rrjetit të ujësjellësit në të gjithë territorin e Bashkisë mbetet gjithashtu një domosdoshmëri për banorët.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Lezhës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 80,382 votues. Votuesit janë të ndarë në 122 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 41 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti. Për të lexuar listën shumëemërore të kandidatëve për këshill bashkiak të kësaj bashkie klikoni këtu.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Lezhës janë:

–        Fran Frrokaj, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Viktor Tushaj, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)