Në këtë faqe ju do të mund të lexoni një sërë lajmesh dhe analizash lidhur me zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015, por dhe të mësoni më shumë mbi profilet dhe karakteristikat e bashkive të reja që rezultuan nga reforma administrativo-territoriale në Shqipëri.
Në mënyrë që procesi i reformës administrative të jetë sa më transparent për qytetarët dhe votuesit, gjatë periudhës shtator-janar 2014, BIRN Albania botoi një seri analizash të thelluara, që hedhin dritë mbi historikun e reformës administrative në Shqipëri, që nga themelimi i shtetit Shqiptar e deri në ditët e sotme. Analizat përshijnë hapat që u ndoqën gjatë reformës së fundit të ndërmarrë gjatë periudhës 2013-2014, si dhe ndikimin e kësaj reforme në eficencën ekonomike, demokracinë vendore dhe balancën elektorale midis forcave politike.
Gjithashtu, nëpërmjet 10 gazetarëve lokalë me eksperiencë, BIRN Albania gjatë periudhës Shkurt-Mars 2015, prodhoi 61 profile për bashkitë e reja që dolën nga reforma administrative. Gazetarët, të cilën morën pjesë në një trajnim dy ditorë, intervistuan gjatë këtij procesi më shumë se 300 aktivistë, përfaqësues grupesh interesi, dhe drejtues organizatash jo-qeveritare në 61 bashkitë e reja në mënyrë që të identifikonim sfidat dhe problemet kryesore në secilën bashki.
Nga këto intervista të thelluara u indetifikuan një seri pyetjesh për kandidatët për kryebashkiakë, bazuar në të cilat do u kërkohet të pozicionohen. Përgjigjet e kandidatëve, së bashku me CV e tyre do të botohen në këtë faqe në fillim të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore. Këto intervista kanë për qëllim që të qartësojnë pozicionimin e kandidatëve për kryebashkiakë mbi sfidat dhe problemet e komuniteteve në bashkitë respektive.
Gjithashtu në këtë faqe do të gjeni një hartë interaktive të ndarjes së re administrative si dhe lajmet dhe analizat më të fundit mbi fushatën zgjedhore për zgjedhjet vendore të 21 qershorit të prodhuara nga gazetarët e BIRN Albania.
Kjo faqe u zhvillua si pjesë e projektit të BIRN Albania ‘Nxitja e llogaridhënies në qeverisje vendore përmes pjesëmarrjes dhe gazetarisë qytetare’ me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë, si dhe Swedish International Development Cooperation Agency dhe Balkan Trust for Democracy. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit ose mbështetësve të tjerë të kësaj iniciative.
Redaktorë:
Besar Likmeta; Gjergj Erebara
Gazetarë:
Kukës – Bashkim Shala
Shkodër – Elvis Nabolli
Dibër – Hysen Likdisha
Tiranë – Lindita Çela
Fier – Ina Baçinozi
Berat – Erjola Azizolli
Elbasan – Bardha Nergjoni
Vlorë – Jerola Ziaj
Gjirokastër – Raimond Kola
Korçë – Dhorjela Çule
Sarandë -Laureta Roshi