Harta

Belshi është një nga të paktat bashki të reja të cilat shtrihen tërësisht në zona rurale. Prania e një numri shumë të madh liqenesh karstike, si dhe pyjet e dushkut, i japin kësaj zone tiparin dallues nga bashkitë e tjera.
Bashkia e Beratit mbart vlera historike dhe arkitektonike të rralla të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj dhe vendas.
Qyteti i Bulqizës, i ndërtuar në funksion të minierës dhe rezervave të mëdha të kromit do të duhet ta kthejë këtë resurs në dobi të bashkisë dhe qytetarëve të vet të varfër.
E mbledhur përreth një qyteze ish-industriale të kohës së komunizmit, bashkia e re e Cërrikut përbëhet në shumicë nga zona rurale të njohura për vreshta dhe duhan.
Qyteti me histori të pasur i Delvinës vuan mungesën e ujit të pijshëm dhe të infrastrukturës rrugore që e lidh me fshatrat e komunës Vergo, çka pengon zhvillimin e qëndrueshëm të bashkisë së re.
Në bashkinë Devoll sigurimi i kapaciteteve grumbulluese frigoriferike dhe tregjeve të shitjes për produktet bujqësore janë dy nga sfidat me te cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re.
Bashkia e Dibrës është një nga bashkitë me territorin më të madh në rang vendi, por banorët janë të izoluar për shkak të rrjetit të amortizuar rrugor.
Me parkun kombëtar Divjakë-Karavasta dhe fushat rurale pjellore, bashkia e re e Divjakës ofron një perspektivë të mirë zhvillimi për bujqësinë dhe ekoturizmin.
Bashkia e pakicës etnike greke në Shqipëri, e braktisur prej vitesh nga të rinjtë po përballet me sfidën e ruajtjes dhe trashegimisë së pasurisë së vet të rrallë etno-kulturore.
Durrësi është qyteti me aktivitetin më të madh ekonomik pas Tiranës, por urbanizmi i shpejtë dhe pa kriter ka krijuar një varg problemesh që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm.