Profile19 May 2015

Profili i bashkisë Berat

Bashkia e Beratit mbart vlera historike dhe arkitektonike të rralla të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj dhe vendas.

Author: Erjola Azizolli BIRN Berat
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Berat

Harta e re territoriale e bashkisë Berat

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-berat/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Bashkia e re Berat kufizohet në veri me bashkitë Kuçovë dhe Ura Vajgurore, në lindje me bashkinë Gramsh dhe Skrapar, në jug me bashkinë Poliçan, ndërsa në perëndim me bashkinë Mallakastër. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Beratit.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 60.031 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 98.875 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 379.98 km2.

Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Berat, Velabisht, Otllak, Sinjë dhe Rroshnik. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Berat dhe pjesë e qarkut Berat. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 50 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkia e re e Beratit, pas ndarjes së re territoriale, është një bashkim mes qytetit dhe katër ish-komunave në afërsitë të tij, duke gërshetuar kështu karakteristika nga më të larmishmet.

Qyteti i Beratit, për shkak të historisë së tij mijëravjeçare si zonë e banuar, mbart vlera historike dhe arkitektonike të rralla, duke u përfshirë kështu në vitin 2008 dhe në listën qyteteve muze të mbrojtur nga UNESCO. Qendra Historike e qytetit, ku bëjnë pjesë tre lagjet muze “Kala”, “Mangalem”, “Goricë” dhe Qendra Mesjetare, përfshijnë rreth 490 monumente kulture. Vlerat historike, por dhe bukuria natyrore e qytetit të shtrirë përgjatë lumit Osum dhe rrëzë malit Tomor, po tërheqin gjithmonë dhe më shumë turistë përgjatë të gjitha stinëve, duke nxitur shumë nga banorët të kthejnë shtëpitë e tyre karakteristike në bujtina për turistët dhe duke shtuar të ardhurat nga turizmi.

Në kuadër të nxitjes së këtij sektori, vitin e kaluar qyteti përfitoi nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan investimin për pedonalen e qytetit, dhe po kështu u restaurua dhe Ura shekullore e Goricës, e cila ka sot një imazh të ri. Megjithatë, infrastruktura e qytetit, shërbimet dhe transporti publik kanë nevojë ende për shumë investime në mënyrë që të sigurojnë të ardhura të qëndrueshme nga turizmi.

Qyteti i Beratit, pas mbylljes së fabrikave dhe kombinatit të tij shumë vite më parë, tashmë i siguron të ardhurat kryesisht përmes turizmit, biznesit fason, si dhe prodhimeve dhe tregtimit të produkteve të konservuara, megjithatë nivelet e papunësisë mbeten të larta.  Qyteti është karakterizuar dekadat e fundit nga një depopullim i shpejtë si pasojë e mungesës së investimeve në infrastrukturë, gjë e cila është pasqyruar në lëvizjet e banorëve drejt qendrave më të mëdha urbane. Nga ana tjetër, gjatë të njëjtës periudhë ka pasur dhe një lëvizje më të vogël të popullatës nga zonat rurale drejt qytetit të Beratit. Komuniteti rom i këtij qyteti është i mirëintegruar, por megjithatë mbeten pjesa më e prekur e popullatës nga problemet social-ekonomike, si papunësia, mungesa e strehimit, etj.

Në bashkinë e re të Beratit, krahas qytetit janë dhe katër njësi administrative rurale. Dy prej tyre, Velabisht dhe Otllak, janë zona kryesisht fushore dhe pjellore, ku të ardhurat kryesore sigurohen nga prodhimi i perimeve, ullinjve dhe vreshtarisë. Ndërkohë që dy njësitë e tjera administrative, Rroshnik dhe Sinjë, kanë reliev kodrinoro-malor dhe të ardhurat kryesore sigurohen nga pemëtaria dhe blegtoria.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Bashkia e re do të përballet me një sërë sfidash të rëndësishme, ndër të cilat padyshim mbetet ajo e menaxhimit të ndarjes së re administrativo-territoriale. Duke qenë se qyteti i Beratit ka një strategji zhvillimi të orientuar kryesisht tek turizmi historik dhe kulturor, kjo e fundit duhet të integrojë tashmë dhe nevojat e diversifikuara, por dhe resurse të tjera siç janë bujqësia dhe blegtoria, për t’iu përgjigjur sa më mirë integrimit të zonës urbane me atë rurale.

Ndër sfidat kryesore të identifikuara nga komuniteti lidhur me pushtetin vendor në bashkinë e re është menaxhimi i mbetjeve urbane dhe sistemimi i rrjetit të kanalizimeve, situata e rënduar e të cilave vazhdon të dëmtojë mjedisin dhe në veçanti ujërat e lumit Osum. Gjithashtu, me përfundimin e aksit nacional Lushnje-Berat, sfidë për bashkinë e re përbën ndërhyrja në infrastrukturën e rrugëve dytësore të qytetit dhe fshatrave përreth, si dhe mirëmbajtja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në këtë zonë.

Bashkia e re duhet të mbështesë dhe nxisë më tej turizmin historik dhe kulturor në qytetin e Beratit përmes lehtësimin e procedurave dhe politikave fiskale të banorëve për vetëpunësim në këtë fushë, ruajtjen e banesave muzeale nga erozioni dhe zjarret, por dhe ndalimi i ndërtimeve pa leje në qendrën historike. Gjithashtu, bashkia e re duhet të krijojë mundësinë e integrimit të formave alternative të turizmit në zonat përreth qytetit, si ekoturizmi dhe turizmi i aventurës.

Ripërtëritja e jetës kulturore dhe artistike të zonës, por dhe zhvillimi i ambienteve dhe aktiviteteve sportive u identifikua si një tjetër sfidë e bashkisë së re, pasi ato jo vetëm do të mund të rriste përfshirjen e të rinjve në jetën sociale të qytetit, por do shtonte dhe premisat për një zhvillim më të qëndrueshëm të turizmit.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Beratit kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 77,444 votues. Votuesit janë të ndarë në 123 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 31 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti. Për të lexuar listën shumëemërore të kandidatëve për këshill bashkiak të kësaj bashkie klikoni këtu.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Beratit janë:

–        Kasem Mahmutaj, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Petrit Sinaj, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)