Profile17 May 2015

Profili i bashkisë Delvinë

Qyteti me histori të pasur i Delvinës vuan mungesën e ujit të pijshëm dhe të infrastrukturës rrugore që e lidh me fshatrat e komunës Vergo, çka pengon zhvillimin e qëndrueshëm të bashkisë së re.  

Author: BIRN BIRN Tiranë
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Delvinë

Harta e re territoriale e bashkisë Delvinë

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-delvine/

Të dhëna të përgjithshme:

Zona Gjeografike: Bashkia e re e Delvinës kufizohet në veri me bashkitë Himarë e Gjirokastër, në jug me bashkitë Sarandë dhe Finiq, ndërsa në lindje me bashkinë Dropull. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Delvinës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 7,598 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki ka një popullsi prej 18,078 personash. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 182.9 km2. Densiteti i popullsisë sipas censusit është 45.5 banorë/ km2, ndërsa sipas regjistrit civil është 99 banorë/ km2.

Kjo bashki përbëhet nga 2 njësi administrative, të cilat janë: Delvinë dhe Vergo. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Delvinës dhe qarkut Vlorë. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 17 fshatra.

Profili i bashkisë

Bashkia e re përbëhet nga qyteti historik i Delvinës dhe komuna Vergo, pjesë e rrethit Delvinë. Qyteti i Delvinës ka kultivuar një histori të pasur të bashkëjetesës fetare mes myslimanëve, kristianëve dhe hebrenjve në të shkuarën. Qyteti ka traditë në artizanat si dhe objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat nuk përdoren aktualisht për turizëm.

Bashkia e Delvinës ka në territorin e saj edhe një vendburim gazi, i cili aktualisht shfrytëzohet nga një kompani koncesionare private.

Banorët e qytetit kanë shqetësime për cilësinë e ujit të pijshëm në qytet. Bashkia e re e Delvinës u krijua si një bashki me popullsi të konsiderueshme të minoritetit grek.

Ndryshe nga qyteti i Delvinës, komuna Vergo është një zonë e gjerë rurale me densitet të ulët të popullsisë.

Bujqësia, blegtoria dhe vreshtaria, krahas institucioneve publike janë burimet kryesore ekonomike të zonës. Papunësia është shumë e lartë dhe një pjesë e madhe e popullsisë punon në Sarandë.

Largimi i popullsisë së re dhe të arsimuar ka krijuar vështirësi në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë.

Nga ana tjetër, prania e shumë kulturave në qytet ofron mundësi për zhvillim, ndërsa afërsia e bashkisë së re me qytetin turistik të Sarandës ofron potencial të lartë për zhvillimin e bujqësisë.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Ndërtimi i një ujësjellësi të ri në qytetin e Delvinës dhe ndërtimi i infrastrukturës rugore për fshatrat e komunës Vergo janë dy sfidat kryesore, të cilat bashkia e re do ta ketë të vështirë t’i kryejë me burimet e veta të pakta ekonomike.

Prioritet do të kenë ujësjellësit në fshatrat Stjare, Bamatat, Varfaj.

Mirëmbajtja e shkollave apo qendrave shëndetësore do të kërkojë që bashkia e re të ketë burimet e nevojshme njerëzore për të aplikuar me sukses në skemën e granteve të qeverisë qendrore për pushtetin vendor.

Qyteti ka edhe një pjesë të popullsisë që i përket komunitetit rom dhe rrjedhimisht ka nevojë të adresojë problemet e këtij komuniteti dhe të ofrojë mbështetje financiare për të.

Zhvillimi i bujqësisë dhe i blegtorisë në bashkinë e re të Delvinës kërkon një strategji të qartë dhe projekte subvencionuese nga administrata e re. Afërsia me Sarandën krijon një treg të sigurtë për fermerët e Delvinës, por mungesa e infrastrukturës rrugore dhe zhvendosja e popullsisë së aftë për punë nga zona rurale krijon vështirësi të shumta në këtë drejtim.

Kryebashkiaku i ri i Delvinës do të duhet gjithashtu të hartojë projekte për rivitalizimin e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e atizanatit, ç’ka do ta bënte zonën më tërheqëse për vizitorët shqiptarë dhe të huaj.

Profili elektoral i bashkisë

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Delvinës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 14,682 votues. Ata janë të ndarë në 24 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë si dhe 15 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumë-emërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Delvinës janë:

–       Durim Alinani, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–       Rigels Balili, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)