Profile18 May 2015

Profili i bashkisë Cërrik

E mbledhur përreth një qyteze ish-industriale të kohës së komunizmit, bashkia e re e Cërrikut përbëhet në shumicë nga zona rurale të njohura për vreshta dhe duhan.

Author: Bardha Nergjoni BIRN Cërrik
Print

Harta e re territoriale e bashkisë Cërrik

Harta e re territoriale e bashkisë Cërrik

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re: 

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-cerrik/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Cërriku kufizohet në veri me bashkitë Elbasan dhe Peqin, në jug-lindje me bashkinë Gramsh, në jug me bashkinë Kuçovë dhe në perëndim me bashkinë Belsh. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Cërrikut.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 27,445 banorë me densitet prej 144.71 banorë për km², ndërsa që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 46,652 vetë, me dendësi prej 189.65 banorë për km².  Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 189.65 km2.

Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Cërrik, Gostimë, Mollas, Shalës dhe Klos. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Elbasanit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 28 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkia e re e Cërrikut shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore në përgjithësi mes dy lumenjve, Shkumbin dhe Devoll dhe do të ketë si qendër qytetin e Cërrikut, një ish qytezë industriale e kohës së komunizmit, i shpallur si qytet më 1952 me ndërtimin e Uzinës së Përpunimit të Naftës dhe një termocentrali, të cilat iu shtuan qendrës së shërbimeve për bujqësinë.

Në vitet 1990 rafineria e naftës pushoi së ekzistuari duke sjellë largimin e pjesës më të madhe të rinisë nga ky qytet ndërsa pjesa e mbetur e popullsisë ka burime shumë të pakta ekonomike nga pensionet, ndihma ekonomike dhe remitancat. Aktualisht 459 familje trajtohen me ndihmë ekonomike por numri i kërkesave sa vjen e shtohet. Kjo përbën pjesën dërrmuese të familjeve të kësaj qyteze me rreth 7 mijë banorë.

Instituti i Duhanit i cili shërbente dikur për kultivimin e kësaj bime është mbyllur prej kohësh ndërsa nga të paktat institucione publike është Radiostacioni ende funksional por me personel të kufizuar.

Zona e Cërrikut po përfiton aktualisht nga projekti i hidrocentralit të Banjës mbi lumin Devoll.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Pushteti i ri vendor që do të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit do të përballet me sfida nga më të larmishmet, të cilat gërshetojnë hartimin e planeve të veprimit për ripërtëritjen e jetës urbane, por dhe për mbështetjen e popullsisë rurale dominuese në këtë bashki të re. Bazuar në shqetësimet e komunitetit, bashkia e re pritet të përballet me sfidën e madhe të papunësisë dhe varfërisë në zonën urbane dhe hartimin e politikave fiskale të cilat do të mund të nxisin hapjen e bizneseve të reja, tërheqjen e ndërmarrjeve fason, por dhe shfrytëzimin e shumë prej ndërtesave të ndërmarrjeve shtetërore të mbyllura tashmë.

Gjithashtu, bashkisë së re i duhet të përballet me sfida lidhur me përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të institucioneve arsimore dhe shëndetësore në të gjithë hapësirën e saj, si dhe ofrimin e një zgjidhjeje përfundimtare lidhur me furnizimin me ujë të pishëm të zonës. Ngritja e pikave të grumbullimit por dhe menaxhimi i mbetjeve urbane në të gjithë territorin e bashkisë do të përbëjë një tjetër sfidë për pushtetin e ri vendor.

Numri i madh i papunësisë dhe i familjeve në nevojë, do kërkojë nga bashkia ngritjen e mekanizmave transparentë të menaxhimin e skemës së ndihmës ekonomike, si dhe mundësinë e ngritjes së banesave sociale dhe shërbimeve sociale në ndihmë të tyre. Mbështetja për ngritjen e shkollave të arsimit profesional në këtë zonë identifikohet nga komuniteti si një tjetër nevojë e cila duhet të adresohet nga bashkia e re krahas ripërtëritjes së aktiviteteve kulturore dhe sportive për fëmijët dhe të rinjtë e zonës.

Duke qenë se një pjesë e mire e të ardhurave të banorëve në këtë bashki sigurohen përmes sektorit të bujqësisë dhe pemëtarisë, pushteti i ri vendor kërkohet që të hartojë politika konkrete në ndihmë të infrastrukturës bujqësore, si rregullimi i kanaleve kulluese ose sistemeve vaditëse.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Cërrikut kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 35,163 votues. Votuesit janë të ndarë në 56 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 21 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Cërrikut janë:

–        Altin Toska, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e  Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–        Qamil Boja, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)