Analysis26 Apr 2015

A ka prapavijë elektorale reforma administrativo-territoriale?

Është komentuar shumë se harta e re me 61 bashki është një përpjekje nga e majta në qeveri për të marrë zgjedhjet në tavolinë. Por a ka qenë kjo prapavija e ndarjes së re administrativo-territoriale të Shqipërisë?

Author: Adela Halo BIRN Tiranë
Print

Qendër votimi gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 | Foto nga :AP

Qendër votimi gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 | Foto nga :AP

Fenomeni i manipulimit të kufijve të brendshëm sipas kufijve të mbështetjes elektorale – i njohur në anglisht si “gerry-mandering” – është mjaft i njohur në shumë vende të botës ku vota demokratike përcakton sadopak qeverisjen. Kjo analizë përpiqet të shohë nëse kjo hipotezë gjen vend bazuar në aplikimin e rezultateve zgjedhore për këshillat vendorë të vitit 2011 – zgjedhjet e fundit vendore.

Analiza e mëposhtme nuk kërkon të jetë shteruese, dhe mbi të gjitha nuk synon të parashikojë me ndonjë pretendim saktësie rezultatet e vendoreve 2015. Këtu thjesht projektojmë rezultatet e zgjedhjeve të fundit vendore të vitit 2011 mbi hartën e re me 61 bashki, duke u fokusuar te ato ndarje që janë debatuar, si më poshtë:

  1. Në Qarkun Tiranë: Tiranë-Kamzë-Vorë, Kavajë-Rrogozhinë;
  2. Në Qarkun Berat: Berat-Ura Vajgurore-Kuçovë, Skrapar-Poliçan;
  3. Në Qarkun Fier: Fier-Patos-Roskovec, Lushnje-Divjakë;
  4. Në Qarkun Vlorë: Vlorë-Selenicë, Sarandë-Konispol-Delvinë, Himarë-Vranisht;
  5. Në Qarkun Shkodër: Shkodër-Bushat-Vau i Dejës, Pukë-Fushë-Arrëz
  6. Në Qarkun Durrës: Durrës-Shijak
  7. Në Qarkun Elbasan: Elbasan-Cërrik-Belsh, Librazhd-Prrenjas
  8. Në Qarkun e Dibrës: Mat-Klos-Bulqizë.

Për secilin nga qarqet, përllogariten votat – në bazë të rezultateteve 2011 për këshillat vendorë – sipas ndarjes finale me 61 bashki dhe sipas disave prej alternativave të tjera që u diskutuan. Për shembull, për Tiranën, shihet edhe bashkia e re e Tiranës, dhe skenarët e bashkimit Tiranë-Kamzë, dhe Tiranë-Kamzë-Vorë. Gjithashtu, në të shumtën e rasteve, shqyrtohet edhe efekti potencial i një aleance të mundshme mes së majtës në pushtet dhe PDIU-së.

Është e rëndësishme të theksohet se ky nuk është parashikim i rezultateve të zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, por një përpjekje për të testuar tezën se ndarja finale me 61 bashki devijoi nga variantet “teknike” që u paraqitën nga ekspertët për shkak të llogarive elektorale.

Në pjesën e dytë të kësaj analize paraqesim në hartë rezultatet e zgjedhjeve vendore 2007 dhe 2011, për bashkitë/komunat dhe këshillat, si edhe ato të zgjedhjeve parlamentare 2009 dhe 2013.

  1. Rezultatet e 2011-ës, harta e re, alternativat e tjera, koalicionet e mundshme

Qarku Tiranë:


Tabela e parë paraqet rezultatet për këshillat vendorë të zgjedhjeve vendore 2011 për dy koalicionet, ai i majtë “Aleanca për të Ardhmen” dhe ai i djathtë “Aleanca për Qytetarin” i cili përfshinte edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pesha e kësaj të fundit te votat që mori koalicioni i djathtë paraqitet edhe veçmas.Njësitë e qeverisjes vendore të paraqitura në tabelë janë ato që formohen me ndarjen e re administrativo-territoriale. Paraqiten gjithashtu shifrat për alternativat e diskutuara për bashkimin e Tiranës me Kamzën (që përfshin edhe Paskuqanin), Të këtyre dy të fundit me Vorën, si edhe të bashkimit të Kavajës me Rrogozhinën.

Me koalicionet e 2011-ës, e djathta me LSI-në do të dilte fituese në të gjitha bashkitë e reja, por edhe në të gjitha variantet e tjera të hartës për qarkun Tiranë.

Me bashkimin e LSI-së me koalicionin e majtë, situata ndryshon ndjeshëm në të gjitha rastet, dhe përmbyset në rastin e bashkisë së re Tiranë, bindshëm në favor të koalicionit të majtë + LSI.

Nëse do të ishin bashkuar Tirana me Kamzën (e cila përfshin edhe Paskuqanin) – ndarja e të cilave është kontestuar nga Partia Demokratike – apo këto të dyja me Vorën, koalicioni i majtë me LSI-në do të ishin në epërsi të ndjeshme me 40,775 vota në rastin e parë, dhe 38,280 në rastin e dytë – gjithmonë bazuar në votat e vitit 2011, për këshillat. Pra, me ndarjen aktuale, bazuar në këto të dhëna, duket se koalicioni i djathtë mund të fitojë Kamzën dhe Vorën. Nëse këto do ishin bashkë me Tiranën, atëherë duket se e djathta (pa LSI-në) nuk do kishte mundësi të fitonte.

Në rastin e Rrogozhinës dhe Kavajës – ndarja e të cilave nuk përputhet fortë me raportet ekonomike mes tyre – koalicioni i djathtë mbetet në avantazh, edhe me largimin e LSI-së, por ky avantazh është mjaft i vogël në Rrogozhinë, me vetëm 82 vota. Nëse dy bashkitë e reja Kavajë dhe Rrogozhinë do të kishin qenë të bashkuara në vitin 2011, koalicioni i djathtë pa LSI-në do të kishte qënë 2133 vota në avantazh.

Me ndarjen aktuale, nëse PDIU do ishte pjesë e koalicionit të majtë, atëherë situata në Rrogozhinë do të përmbysej, në favor të këtij koalicioni me 1476 vota. Nëse Kavaja dhe Rrogozhina do të ishin bashkë, atëherëky koalicion hipotetik do të kishte vetëm 451 vota avantazh.

Pra, në rastin e qarkut Tiranë, me ndarjen aktuale, koalicioni i djathtë i 2011-ës pa LSI-në do të fitonte Kamzën, Vorën, Kavajën dhe Rrogozhinën, ndërsa i majti me LSI-në do të fitonte Tiranën. Nëse PDIU do të kalonte nga koalicioni i djathtë në të majtin, atëherë ky i fundit do të fitonte edhe Rrogozhinën.

Një Tiranë më e madhe – siç edhe u sugjerua nga Partia Demokratike – nuk do të kishte qenë në favor të të djathtës, por të të majtës (gjithmonë, bazuar në të dhënat e vitit 2011).

Qarku Berat:
Me ndarjen aktuale, koalicioni i majtë i 2011-ës (pa LSI-në) do të ishte fitues nëçdo rast përveç Skraparit. Avantazhi i koalicionit të djathtë në Skrapar me 1867 vota shkaktohet në masë të madhe nga LSI-ja (1562 vota).

Me kalimin e LSI-së në koalicionin e majtë, ai i djathtë është i disavantazhuar në të gjitha kombinimet e mundshme të bashkive në këtë qark. Për shembull, bashkimi i Urës Vajgurore me Beratin apo Kuçovën, apo të dyja, do ta nxirrte koalicionin e majtë me LSI-në fitues në çdo rast.
Një bashkim i mundshëm i PDIU-së më të majtën do të thellontë këtë rezultat edhe më tej.

Në përfundim, vendimet për mosbashkimin e Urës Vajgurore me Beratin, apo së bashku me Kuçovën nuk mund të justifikohen me ndonjë përpjekje për të përçarë votën e djathtë në këtë qark. Përkundrazi, e majta me LSI-në do të kishte qënë fituese – sipas këtyre të dhënave – në çdo variant të mundshëm të bashkive në këtë qark.

Qarku Fier:
Nëse në 2011 do të kishim patur ndarjen e re administrativo-territoriale, koalicioni i majtë pa LSI-në do të kishte fituar çdo bashki përveç Roskovecit. Nëse ky i fundit do të ishte bashkë me Patosin, atëherë e djathta me LSI-në do të fitonte këtë bashki hipotetike.

Me bashkimin e LSI-së me koalicionin e majtë, ky i fundit del fitues me votat e 2011 në të gjitha bashkitë e reja dhe kombinimet e ndryshme të tyre në bashki më të mëdha se ato që u krijuan. Nëse PDIU do t’i bashkohej këtij koalicioni, rezultatet e tij fituese do të thelloheshin ndjeshëm.Nga të gjitha bashkitë e reja në Qarkun e Fierit, PDIU ka epërsi të qartë ndaj LSI-së në vetëm një rast – Patos.Në këtë bashki, sipas votave të vitit 2011, PDIU ka 1475 vota, ndërsa LSI ka 814.Diferenca është e tillë që në rast të negociatave për futjen e PDIU-së në koalicionin e majtë, kjo parti mund të imponojë kandidatin.


Qarku Vlorë:
Me ndarjen e re dhe koalicionet e vjetra, e majta do të kishte avantazh në Vlorë dhe Himarë, ndërsa e djathta në Selenicë, Sarandë (me vetëm 52 vota), Delvinë, Livadhja, dhe Konispol. Me ikjen e LSI-së nga koalicioni i djathtë, situata ndryshon në Selenicë, Sarandë, dhe Livadhja. Me kalimin e LSI-së në koalicionin e majtë, situata do të ishte në favor të këtij koalicioni edhe nëse Vlora do të ishte e bashkuar me Selenicën në një bashki, apo Saranda me Delvinën dhe/ose Konispolin.

Është me interes pesha specifike e disa prej partive të vogla në këtë qark. Konkretisht, një krahasim mes LSI-së, PDIU-së dhe PBDNj-së (kjo e fundit ka qenë jashtë koalicioneve në vitin 2011) tregon se PDIU ka mbështetje më të madhe se dy të tjerat në Vlorë, Sarandë, Delvinë (epërsi e ndjeshme), dhe Konispol. Në vitin 2011, PDIU ka marr 1415 vota për në këshill vendor në Delvinë, ndërkohë që koalicioni i majtë (pa LSI-në) ka marr vetëm 510 vota më shumë.Bazuar në votat e 2011-ës dhe me ndarjen e re territoriale, koalicioni i majtë e fiton bashkinë e re Delvinë vetëm nëse PDIU i bashkohet këtij koalicioni (në të cilin rast ndoshta do të impononte edhe kandidatin). E njëjta situatë paraqitet edhe në Konispol, ku pa PDIU-në, koalicioni i majtë paraqitet me 458 vota më pak se ai i djathtë, ndërsa me PDIU-në do të ishte në avantazh me 754 vota (gjithmonë sipas votave të vitit 2011, për këshillat).

Qarku Shkodër:

Në bazë të votave të vitit 2011 për këshillat, koalicioni i majtë pa LSI-në do të ishte në disavantazh në të gjitha bashkitë e reja, si edhe të gjitha kombinimet e tjera kryesore që janë diskutuar.

Kalimi i LSI-së në koalicionin e majtë nuk e përmbys situatën në asnjë rast, por e zbut diferencën në të gjitha rastet.


Qarku Durrës:
Me votat e 2011-ës, koalicioni i majtë pa LSI-në do të ishte në disavantazh si në bashkitë e reja Durrës dhe Shijak më vete, si në rast se ato do të ishin të bashkuara.

Siç shihet te tabela më poshtë, kalimi i LSI-së në koalicionin e majtë e përmbys situatën në bashkinë e re Durrës në favor të të majtëve. Po ashtu në avantazh e majta e bashkuar do të ishte në rast se Durrësi dhe Shijaku do të përbënin një bashki. Në bashkinë e re Shijak të ndarë nga Durrësi, e djathta do të rezultonte në avantazh edhe pa LSI-në, sipas votave për këshillat e vitit 2011. Kalimi i PDIU-së në koalicionin e majtë do e linte të djathtën në avantazh të vogël prej 156 votash në Shijak dhe do të thellonte fitoren e të majtës në Durrës. Bashkimi i diskutuar i Shijakut me Durrësin do të kishte qenë në avantazh të të majtës.

Qarku Elbasan:

Me ndarjen e re territoriale dhe koalicionet e rezultatet e vitit 2011, e djathta do të dilte fituese në të gjitha bashkitë e reja në Qarkun Elbasan. Gjithashtu, do të dilte fituese edhe në kombinimet e tjera që qenë të mundura në këtë qark, si për shembull, bashkimi i Elbasanit, Cërrikut dhe Belshit në një bashki, etj.

Kjo situatë përmbyset në të gjitha rastet, përveç Belshit dhe Prrenjasit ku avantazhi i të djathtës ngushtohet mjaft, me kalimin e LSI në koalicionin e majtë. Bashkimet e mundshme të Elbasanit, Cërrikut, Belshit dhe Peqinit, apo të Librazhdit dhe Prrenjasit do të kishin të gjitha në favor të të majtës së bashkuar. Kalimi i mundshëm i PDIU-së në koalicionin e majtë do e përmbyste tërësisht situatën dhe do të sigurontë të gjitha bashkitë e reja në këtë qark për të majtën.

Qarku Dibër:
Në këtë qark, koalicioni i majtë i vitit 2011 do të dilte humbës në të gjitha bashkitë e reja si edhe ato që mund të ishin krijuar me bashkimin e Matit, Klosit dhe Bulqizës.

Kalimi i LSI-së në koalicionin e majtë zbut ndjeshëm diferencat mes dy koalicioneve, por nuk e nxjerr të majtën fituese në asnjë rast. Megjithatë, një avantazh si ai me 105 vota për të djtahtën nëMatështë mëse i kapërcyeshëm. Në këtë qark, është kalimi i mundshëm i PDIU-së në koalicionin e majtë që do të bënte ndryshimin, sipas rezultateve të vitit 2011, për këshillat. Kështu, koalicioni i majtë me LSI dhe PDIU do të kishte mundësi në këtë skenar të fitonte bashkitë e reja Bulqizë dhe Mat. Nëse Mati dhe Klosi apo Mati, Klosi dhe Bulqiza – do të ishin në një bashki më të madhe, edhe në këtë rast, ky koalicion me PDIU-në do të fitonte.

  1. Ndryshimet e pushtetit 2007-2013

Zgjedhjet vendore 2007-2011:

Falë punës së organizatës Co-Plan, BIRN Albania mundëson këtu një paraqitje në hartë të ndryshimeve në mbështetjen politike në nivel vendor dhe kombëtar, nga 2007 në 2013. E parë në hartë – në një hartë e cila në të shkuarën është ndryshuar edhe për arsye zgjedhore (shih Metamorfoza e hartës administrative-territoriale) – mbështetja politike në Shqipëri duket më e luhatshe se sa mund të mendohet zakonisht.

Burimi: Co-Plan, 2014, “Rajonalizimi i Shqipërisë”, fq. 64-67.

Majtas: Rezultatet për këshillat, 2007.                        Djathtas: Rezultatet për këshillat, 2011.

co-plan11

 

Majtas: Rezultatet për kryetarët, 2007.                       Djathtas: Rezultatet për kryetarët, 2011.

co-plan12

 

Zgjedhjet parlamentare 2009-2013:

Majtas: Parlamentaret, 2009.                                   Djathtas: Parlamentaret, 2013.

co-plan13

Përfundime:

 

Në analizën e mëparshme mbi përputhjen e ndarjes së re administrativo-territoriale me logjikën e zonave funksionale, vumë në pikëpyetje ruajtjen e kësaj logjikenë disa raste. Në këtë analizë, jemi munduar të shohim nëse llogaria pas disa vendimeve – si ajo për të ndarë Konispolin nga Saranda, apo Tiranën nga Kamza – ka qënë ajo e votave, në vend të asaj ekonomike.

Konkretisht, janë analizuar votat sipas rezultateve të vitit 2011 për këshillat vendor, për këto raste:

  1. Në Qarkun Tiranë: Tiranë-Kamzë-Vorë, Kavajë-Rrogozhinë;
  2. Në Qarkun Berat: Berat-Ura Vajgurore-Kuçovë, Skrapar-Poliçan;
  3. Në Qarkun Fier: Fier-Patos-Roskovec, Lushnje-Divjakë;
  4. Në Qarkun Vlorë: Vlorë-Selenicë, Sarandë-Konispol-Delvinë, Himarë-Vranisht;
  5. Në Qarkun Shkodër: Shkodër-Bushat-Vau i Dejës, Pukë-Fushë-Arrëz
  6. Në Qarkun Durrës: Durrës-Shijak
  7. Në Qarkun Elbasan: Elbasan-Cërrik-Belsh, Librazhd-Prrenjas
  8. Në Qarkun e Dibrës: Mat-Klos-Bulqizë.

Kemi parë se si do të dilnin votat e 2011-ës për këshillat sipas hartës së re; sipas varianteve të tjera që u debatuan (si për shembull, bashkimi i Tiranës me Kamzën); sipas koalicionit të të majtës së bashkuar (pra, koalicioni i majtë i vitit 2011 + LSI); dhe sipas koalicionit të mundshëm të kësaj të majte me PDIU-në.Gjithashtu, kemi paraqitur ndryshimet politike në hartë që nga 2007-ta deri në 2013-ën.

Nga kjo analizë konkludojmë se:

  • Shumica e ndarjeve të shqyrtuara nuk shpjegohen nga llogaria e votave. Në shumë raste, dëmtimi më i madh koalicionit të djathtë i vjen nga largimi i LSI-së, dhe jo nga ndarja në vetvete. Kështu, për shembull, e majta e bashkuar do të dilte fituese edhe nëse Tirana do ishte bashkuar me Kamzën, dhe/ose Vorën. Të qënurit të Kamzës dhe Vorës të ndara nga Tirana i ofron një mundësi koalicionit të djathtë për të fituar këto dy bashki të reja (gjithmonë bazuar në rezultatet e 2011-ës). E njëjta gjë vlen për Shijakun, Belshin dhe Prrenjasin, të cilat po të ishin bashkuar, përkatësisht, me Durrësin, Elbasanin dhe Librazhdin, duket se do të ishin pjesë e fitoreve të të majtës. Të ndara siç janë, ato ofrojnë një mundësi për të djathtën.
  • Kjo mundësi dëmtohet rëndë nëse PDIU kalon në koalicionin e majtë. Ky skenar i heq mundësinë – sado të vogël – për fitore të djathtës nëBulqizë, Mat, Belsh, Prrenjas, Delvinë, Konispol dhe Rrogozhinë. Gjithashtu, aleanca e të majtës së bashkuar me PDIU-në do të vinte në rrezik edhe fitoren e mundshme të të djathtës në Shijak.
  • Në shumë raste, arsyet politike për ndarjet që nuk kanë logjikë të fortë zhvillimore duhen kërkuar tjetërkund, jo medoemos – apo jo vetëm – te numrat e votave, por ndoshta te mbështetja për njerëz të caktuar në bazë. Në shumë raste, e majta nuk do të rrezikonte fitoren nëse do të ishin formuar bashki më të mëdha, si për shembull nga bashkimi i Beratit me Urën Vajgurore, etj. Por, një numër më i vogël bashkish do të nënkuptonte më pak mundësi për pushtet për njerëz të rëndësishëm në bazë.
  • Ndarja e re territoriale nuk çimenton rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri.