Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Vaut të Dejës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Infrastruktura, uji i pijshëm, legalizimet e banesave, sistemi i vaditjes dhe i kullimit janë disa nga problemet më kryesore.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Vaut të Dejës?
Ndërhyrjet që do ndërmarrim do të jenë restuarimi i të gjitha qendrave shëndetësore në të gjithë territorin e bashkisë duke i kthyer në ambiente brenda të gjitha standardeve higjeno-sanitare. Do të bëjmë të mundur shërbimin shëndetësor 24 orësh në qendrat kryesore të bashkisë sonë. Do restaurojmë të gjitha shkollat duke normalizuar procesin e mësimit në këto ambiente ku në një pjesë të këtyre mungon ky shërbim.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Vaut të Dejës dhe cilat janë ato?
Administrata e jonë publike do të përbëhet nga specialistë të cilët disponojnë arsimin përkatës. Nuk do ketë emërime në bazë të bindjeve politike apo shkarkim për shkak të tyre. Administrata do të përbëhet nga persona të cilët do punojnë me pasion, përkushtim në mënyrë që të jetë sa me e disponueshme për komunitetin.
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)
Me organizimin e ri territorial këshilli i zgjedhur nga populli do të ketë një pjesë të madhe të pushtetit. Do të jetë pikërisht këshilli, ai që do të vulosë një vendim. Ne do të mundësojmë që këto seanca të zhvillohen në ambiente me hapësirë të madhe që pjesëmarrja e qytetarëve të jetë sa më e gjerë, në mënyrë që vetë populli të shikojë se ku po shkojnë investimet tona.
Si do t’i bëni më të aksesueshme shërbimet që ofron bashkia për komunat Shllak dhe Temal të cilat janë shumë larg?
Një nga pikat më të rëndësishme të programit tonë 4-vjeçar është infrastruktura, të cilës do t’i jepet një vëmendje e veçantë. Çdo njësi vendore, qoftë ajo më e thella në bashkinë tonë, do të ketë rrugën kryesore që do e lidhë atë me qendrën.
Si do të zgjidhet problemi i strehimit të 120 familjeve që aktualisht jetojnë në kushte të këqija në ish kapanonet e hidrocentralit?
Gjithashtu edhe kjo pikë është pjesë shumë e rëndësishme e programit tonë. Në bashkëpunim me qeverinë do të behët e mundur tërheqja e një fondi për zëvendësimin e kësaj lende kancerogjene me tjegulla apo materiali tjetër që është konform standardeve shëndetësore.
A do të ndërmerrni ndonjë hap specifik për rikthimin e transportit lumor në liqenin e Vaut të Dejës gjatë këtij mandati?
Në programin tonë 4-vjeçar për hir të pozitës gjeografike dhe kushteve të favorshme për shkak të kaskadës së Drinit do bëhet e mundur vënia në jetë e një projekti konkret për realizimin e turizmit në ketë zonë të mrekullueshme. Do vendosim në dispozicion mjete lundrimi të cilët do të jenë në shërbim të komunitetit për kryerjen e nevojave të tyre ekonomike.
