Interview10 Jun 2015

Anastas Guda: Brenda një viti do të furnizoj Konispolin me ujë

Kandidati i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për bashkinë e re Konispol premton se do të punojë për furnizimin me ujë si dhe do të nxisë zhvillimin e bujqësisë duke riazhornuar regjistrin e tokave bujqësore.

Author: Laureta Roshi BIRN Konispol
Print

Anastas Guda

Anastas Guda

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Konispolit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për të zgjidhur problemin gjatë mandatit tuaj?

Problemi më i madh që ka sot zona e Konispolit është mungesa e lidhjes së fshatrave me magjistralin kryesor të rrugës, pra mungesa e rrugë dytësore, kjo ka të bëjë me detyrimin e bashkisë për t’i kryer këto në bazë të një planifikimi dhe t’i realizojë që në fillim të mandatit. Po kaq kryesor është mungesa e ujit të rrjedhshëm në zonën e Konispolit, pasi është turp kjo gjendje dhe detyrim i bashkisë zgjidhja e tij. Planifikimi i parë në buxhet është realizimi i furnizimit me ujë të rrjedhshëm për 24 orë i konispolatëve. E ndiej si një detyrim të madh zgjidhjen e këtij problem të bartur vit pas viti, pasi jam vetë një djalë i Konispolit dhe e njoh mirë situatën dhe problematikën. Pika e furnizimit dhe rrjeti i brendshëm janë zgjidhja përfundimtare e situatës. Është pjesë e profesionit tim të planifikoj dhe realizoj në kohë dhe me garanci standardi shërbimet ndaj komunitetit.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore, apo shëndetësore në bashkinë e Konispolit?

Në fillim të punës sime është mirëorganizimi i njësive lokale. Një bashki dhe dy komuna janë tashmë në territorin e bashkisë së re dhe problematika e tyre ndryshojnë. Unë e njoh gjendjen. Viti i parë i punës sime do të jetë përpunimi i tre buxheteve në bazë të nevojave dhe ndërhyrje në infrastrukturë në zonën më problematike të Janjarit. Si dhe ndërhyrje në gjërat me imediate që janë rrugët dytësore më problematike. Asetet lokale dhe bashkëpunimi për projektet rajonale mendoj që janë një mundësi e mirë për të qenë konkretë në përmirësimin e  standardeve. Cilësia e arsimit është e rëndësishme dhe pse nuk është detyrë e drejtpërdrejtë e bashkisë, por infrastruktura në shërbim të kësaj cilësie do të jetë në qendër të punës sime. Mendo që fëmijët kanë nevojë për një shkollë me ngrohje dhe për laboratorë. Mundësitë janë aplikimet do të jenë një detyrë e administratës së re për të pasur më shumë bashkëkohësi dhe investime afatgjata në rrjetin e  shkollave.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Konispol dhe cilat janë ato?

Kriteret janë ligjore. Një organizim i ri me ndarjen administrative është shoqëruar dhe me rregullimet në ligjin për pushtetin vendor. Pa diskutim i pari respektimi i ligjit. Do të jenë njerëzit më të mirë në çdo fshat, se kemi dhe kryetarët e fshatrave, jo vetëm administratorët. Për të gjithë ka një kriter aftësitë individuale natyrisht persona të integruar në komunitet përmes punës dhe arsimimit të tyre, të jenë përcjellës dhe zgjidhës të situatave, menaxherë të mirë të marrëdhënieve me njerëzit dhe zbatimin e ligjit. Do të jenë natyrisht dy administratorët në dy komunat Xarrë dhe Markat, skemë kjo që do të vazhdojë funksionimin duke pasur parësor shërbimin ndaj komunitetit.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Pjesëmarrja dhe konsultimi me qytetarët është natyrshëm shumë e rëndësishme. Do të kemi një bashkëpunim të hapur me ato organizata të shoqërisë civile, me vetë qytetarët duke zhvilluar takimet e rregullta dhe lajmërimet në kohë të mbledhjeve të këshillit bashkiak, vendimeve që merren në një transparencë të mirë me qytetarët, mendoj që realizohet mirëqeverisja lokale. Në detaje të plota deri te investimi dhe ku shkon investimi besoj është e rëndësishme të informohet komuniteti paralel me realizimin e projekteve.

Veçanërisht do të kemi programe të vogla për të zgjuar interesin e  të rinjve për mirëqeverisjen lokale përmes edhe konsultimeve të hapura ku do të tërheqim edhe gratë në pjesëmarrje, pasi problemet e barazisë gjinore këtu janë pothuaj të paprekura. Tërheqja e interesit në investimet tona përmes edhe këndvështrimit gjinor do të jenë një tjetër mundësi për të përfshirë gjithë komunitetin në jetën lokale dhe në interesin e përbashkët për të përmirësuar jetesën dhe respektuar punën, për të përdorur buxhetin dhe ndihmën sociale aty ku nevojat janë më emergjente.

Çfarë mund të presin banorët e bashkisë brenda mandatit tuaj në ndihmë të sektorit bujqësor e blegtoral?

Në fakt ka një përparësi kjo bashki e re, ka një shtrirje të kullotave dhe një klimë të favorshme, siç ka dhe parcelat e agrumeve, të gjitha këto do të jenë në një sistem të dhënash të bizneseve të zonës, të bëra publike dhe në një hartë të plotë të gjithë bashkisë, duke krijuar të dhënat më reale të zhvillimit të zonës. Përmes këtyre të dhënave do të jenë dhe ndërhyrjet për vendosjen e një sistemi funksional të  ujitjes dhe kullimit, si dhe në një rregull të mirë me riazhonimi i pronave të dhëna me 7501. Një harte e plotë do të jetë transparente dhe në shërbim të komunitetit ku do të jenë të evidentuara pronat publike të bashkisë, sipërfaqet e privatëve, kullotat dhe tokat bujqësore. Problematika është e gjerë por unë njoh mirë zonën, njoh grupet e interesit dhe çfarë ata kanë më shumë nevojë.

Rikthimi i emigrantëve me familje apo emigrimi sezonal në vendin fqinjë janë disa prioritet që ka zona duke kërkuar standarde dhe duke investuar për standardet e prodhimit. Besoj se do të alternohen energjitë e njerëzve me interesat për zhvillimin e  gjithë zonës.

Çfarë mendoni se është gjëja e duhur për të bërë me vijën bregdetare të Bashkisë  Konispol?

Nga Kepi i Stillos në kanalin e lagunës së Butrintit, aty ku është derdhja është një zonë e tej pasur dhe natyrisht e lënë jashtë çdo zhvillimi afatgjatë. Është një terren i ruajtur dhe mendoj se paralel me planet zhvillimore qendrore do të jetë dhe administrimi i mirë i sipërfaqjeve që janë pronë e bashkisë.

E njoh si territori gjeografik mirë,  besoj se brenda gjithë territorit ka asete të pazhvilluara si për turizmin familjar në Konispol dhe gjithë zonën e Xarrës dhe fshatrat tipikë në Markat e Janjar apo Shëndëlli. Aty ku tradita e njerëzve është për t’u respektuar dhe për t’u dhënë më shumë mundësi.