Interview2 Jun 2015

Dhurim Alinani: Zgjidhje përfundimtare problemit të ujit të pijshëm

Kandidati i Partisë Demokratike, Dhurim Alinani, premton se do të lobojë fort me qeverinë qendrore për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, në qoftë se rizgjidhet në krye të bashkisë Delvinë.

Author: Laureta Roshi Delvinë
Print

Dhurim Alinani | Foto nga : Facebook

Dhurim Alinani | Foto nga : Facebook

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Delvinës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për të zgjidhur problemin gjatë mandatit tuaj?

Mungesa e ujit të pijshëm në disa zona dhe problematika e ndotjes së burimit të Vrizit janë problemet më të mëdha që kemi këtë periudhë. Unë, si kryetar i bashkisë Delvinë, dhe administrata që drejtova kemi përgatitur dy projekte për zgjidhjen konkrete dhe afatgjatë dhe ia kemi dërguar qeverisë qendrore pranë Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe DPU.

Pas zgjedhjeve do të kërkojmë fort nga qeveria qendrore zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi duke përdorur të gjitha mjetet demokratike.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore, apo shëndetësore në bashkinë e Delvinës?

Menjëherë pas zgjedhjeve, Bashkia do të nisë punën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore të përcaktuara tashmë si prioritete të Bashkisë në Buxhetin e vitit 2015. Në këtë listë kemi shumë investime për infrastrukturën të përqëndruara në aksin Delvinë – Lefterhor – Varfaj, në aksin Fushverri-Kalas – Tatzat, në aksin Xhonmëhallë – Vllahat, në unazën e fshatit Stjar, si dhe në infrastrukturën e tetë fshatrave të Rrëzomës dhe tetë fshatrave të bashkisë, pra tashmë pjesë e bashkisë së re ku përfshihet edhe komuna Vergo dhe fshati Shijon nga komuna Finiq; një territorr më i zgjeruar.

Në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë investimet për përmirësimin e infrastrukturës në shkolla, konkretisht ndërtimin e mjediseve sportive në gjimnazin e qytetit “Sulejman Delvina”, në shkollën 9-vjeçare “Xhelal Berberi”, si dhe në shkollën “Nimet Rushiti”.

Gjithashtu në fshatin Rusan dhe Bamatat do të sistemohen nga bashkia oborret e shkollave dhe fushat sportive. Ndërsa përsa i përket shëndetësisë, do të ndërhyjmë në fasadën dhe në ambientet e brendshme të spitalit “Ismet Shushi” në Delvinë.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Delvinë dhe cilat janë ato?

Gjithmonë në punën time kam patur si kriter Ligjin e Nënpunësit Civil, Kodin e Punës, aftësitë profesionale, si dhe meritokracinë në çdo emërim të administratës në shërbim të qytetarit.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Takimet e drejtpërdrejta me grupet e interesit në çdo fshat apo bllok banimi në qytet dhe duke diskutuar dhe gjetur zgjidhjen më të mirë në funksion të komunitetit.

Cili është mendimi juaj për ndërtimin e landfillit për mbetjet në fshatin Bajkaj?

Kemi qenë mbështetës për ndërtimin e landfillit në fshatin Bajkaj pasi ky investim do të shërbejë edhe për pastrimin e gjithë zonës nga mbetjet urbane, një problematikë kjo shumë shqetësuese aktualisht.

Qyteti i Delvinës ka aktulisht një problem të madh me ndotjen e ujit të pijshëm. Çfarë duhet të presin banorët e qytetit brenda vitit të parë të mandatit tuaj në këtë drejtim?

Ashtu siç e thashë edhe më parë, në fillim të intervistës, uji i pijshëm është prioritet mbi prioritetet. Delvina është e rrethuar nga ujërat burimore dhe zgjidhja përfundimtare është financimi njërit prej projekteve të paraqitura pranë qeverisë qendrore. Përmirësimi i situatës së ujit të pijshëm ka qënë pjesë e shqetësimit tim edhe gjatë mandatit të kaluar ku kemi ndërhyrë me investime të pjesshsme duke shmangur situatën kritike të burimit të Vrizit, duke hapur çezme publike deri në konfirmimin e pastrimit të ujit nga analizat për të cilat kemi informuar rregullisht komunitetin.

Delvina ka një larmishmëri minorancash. Çfarë do të bëni gjatë mandatit tuaj për të përmirësuar jetesën e këtyre minorancave si romët dhe egjiptianët?

Në fakt vëmendja jonë ka qenë ndaj tyre përherë, si në trajtimin me ndihmë ekonomike, investimet në afërsi të banesave të tyre, mbështetjen e projekteve për arsimim në bashkëpunim me fondacionin Lidia apo donatorë të tjerë, paralel me zbatimin e strategjisë kombëtare për romët. Ne do të vazhdojmë të punojmë për arsimimin, edukimin, integritetin, punësimin, ngritjen e ndërtesave sociale, etj. Po kështu do të mbështesim punimet artizanale të tyre përmes panaireve dhe reklamës së talenteve të reja.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për rigjallërimin e artizanatit në Delvinë?

Ne do të afrojmë programim fondesh dhe skemash të ndryshme për të mbështetur dhe zhvilluar artizanatin, duke e parë dhe si një ndihmë në vetpunësimin e një pjesë të komunitetit. Përvoja jonë e punës, kontaktet dhe interesi i përhershëm për të zgjeruar mundësitë e tregjeve dhe respektuar traditën e artizanëve të Delvinës janë tashmë një garanci për të mundësuar projekte më afatgjata dhe me treg të sigurt për tregtimin e tyre.