Interview14 Jun 2015

Kreshnik Bozho: Vizioni i për Sarandën

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Sarandë Kreshnik Bozho, shprehet se zhvillimi i paplanifikuar i territorit është një nga plagët më të rënda të zonës.

Author: Laureta Roshi BIRN Tiranë
Print

Bozho

Kreshnik Bozho

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Sarandë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj

Zhvillimi i Territorit është i paqartë, një plagë nga më të rëndat, jo vetëm në Bashkinë Sarandë, një plagë e krijuar si rezultat i zhvillimit pa planifikim, zhvillim spontan, kaotik, i cili na ka sjellë në situatë aspak të pëlqyeshme, duke mos lejuar një zhvillim të qëndrueshëm si dhe raporte të qarta me territorin. Nga Bashkia aktuale jam informuar që janë nisur procedurat e planifikimit të territorit, sipas tre fazave:miratim i dokumentit strategjik, plani i përgjithshëm vendor si dhe planet e detajuara vendore. Sipas informacionit që kam miratimi i dokumentit strategjik ka përfunduar, ky dokument gjendet pranë institucionit të bashkisë dhe duket si një pikë e mirë referimi për zhvillimin e mëtejshëm të territorit, dhe jo vetëm. Pasi aty janë përcaktuar qartë skenarët e zhvillimit, vizioni, si dhe objektivat strategjik të zhvillimit të territorit. Bashkia e Re do të nisë procedurat më përpilimin e Planit të Përgjithshëm Vendor që në muajin e parë përmes konsultimeve. Pasi vetëm përmes këtij plani vijojmë punën për një zhvillim të qëndrueshëm të territorit, duke siguruar shërbime publike dhe vendore cilësore, strehim dhe punësim. Ky zhvillim i ri i Territorit do të lehtësoje dukshëm transportin e mallrave dhe të udhëtarëve, ruan karakterin tradicional të zonave, përmirëson cilësinë e jetës në bashki. Përmes Policentrizimit, Bashkia se Re Sarandë do të rrisë kohezionin territorial, dhe nëpërmjet krijimit të brezit të gjelbër kufizojmë shpërhapjen pa kriter dhe larg shërbimeve të domosdoshme të vendbanimeve duke rritur njëkohësisht kapacitet e ambienteve shplodhëse publike dhe të gjelbra të territorit të bashkisë.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni Brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Sarandë?

Siç e përmenda edhe më parë, Plani i Përgjithshëm Vendor që është gati dhe do të miratohet shpejt na lejon të përdorim me eficensë tokën, ndërtesat dhe infrastrukturën duke respektuar veçantitë e zonave lokale , karakteristikat historike dhe kulturore. Ne do të diagnostikojmë në mënyrë të vazhdueshme të gjithë problematikën faktike në ndërtim, infrastrukturë horizontale, inxhinerike, mjedisore, transport etj. Mirëmbajtja dhe përmirësimi I infrastrukturës do të jetë një proces i vazhdueshëm. Bashkia e drejtuar nga unë me një staf të përgatitur do të prodhojë një manual për dizajnin e rrugëve, ku të vendosen standardet për përmirësimin e tyre në të gjithë territorin. Kështu përmirësohet lëvizja në këmbë, dhe lexueshmëria e qytetit, pra me një program specific do të hartohet për planifikimin e shenjave drejtuese në të gjithë bashkinë. Prioritete ne investimet infrastrukturore do te jenë:Bërja e një plani të detajuar dhe realizimin e tij, për ndërtimin e rrugëve paralele nga Turizmi tek Kanali i Çukës, zgjidhje kjo që do të lehtësojë trafikun hyrës dhe dalës. Përfundimi i Rrugës së Gjashtës e cila do të lidhë Portin e Mallrave me daljen në zonën e Gjashtës. Përfundimi i Asfaltimit të rrugës deri në zonën e Teqesë. Lidhja e Sarandës dhe Ksamilit me rrugën e biçikletave. Zgjerimi i rrugës së Lëkursit dhe rrugicat që lidhin zonën përreth. Ndërhyrje në “shkallaret” e qytetit për të përmirësuar aksesueshmërinë pedonale në qytet. Edhe Ksamili do të jetë subjekt i aplikimit të pedonaleve dhe rigjenerimit të vijës bregdetare.    Nga pikëpamja ekonomike, parashikohet që ky lloj investimi do të jetë i mundshëm, për shkak se jo vetëm përdoret për qëllime mobiliteti por edhe si guidë turistike. Pra krijon një atraksion më vete për të shikuar territorin nga një këndvështrim tjetër. Përsa i përket investimeve për institucionet arsimore dhe të shëndetësisë do të ketë rritje të investimeve për përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, dhe prioritet do të jenë ndërtimi I dy qendrave të reja shëndetësore, dhe nisja e punës për ndërtimin e një shkolle të re 9-vjeçare.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Sarandës dhe cilat janë ato?

Administrata e Bashkise se Re do të rindërtojë identitetin e ri dhe të unifikuar të saj duke respektuar barazinë e çdo komuniteti dhe njësive lokale të vjetra territoriale brenda këtij identiteti të ri. Kjo arrihet duke ruajtur konceptin e përfaqësimit të trashëguar nga ndarja aktuale me disa njësi eksiztuese, me pika kontakti më të vogla por me eficente të administratës në çdo njësi territoriale ekzistuese që integrohet në Bashkinë e re, në mënyrë që niveli i shërbimeve për qytetarët dhe komunitetet nga administrata e re të mos përkeqësohet, por në të kundërt të ruhet minimalisht standarti ekzistues dhe pse jo të përmirësohet ajo më tej. Çdo zhvillim në Bashkinë e re do të jetë në respektim të plotë të ligjeve në fuqi.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Një nga parimet e Bashkisë së Re do të jetë – “Nj Bashki me Përfshirje Qytetare, Transparencë dhe Llogaridhënie në raport me komunitetin ”. Bashkia e Re do të promovojë transparencën, do të inkurajojë qeverisjen e hapur dhe do të krijojë pronësi qytetare ne politikat publike duke krijuar hapësirën për vendimmarrje te përbashkët institucionale – qytetare, duke rritur njohuritë e qytetarëve ne lidhje me mënyrën e funksionimit te institucioneve, duke krijuar mekanizmat per monitorimin e procesit te vendim-marrjes në te gjitha institucionet, duke krijuar mundësi publikut për perfshirje në programet dhe projektet zhvillimore. Për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes vendore në raport me komunitetin, Bashkia e Re do te përmirësojhe nivelin e transparencës në qeverisjen lokale të Sarandës duke: Amenduar Rregulloren për Transparencë, ku te përfshihen në mënyrë eksplicite obligimet e kryetarit dhe ekzekutivit bashkiak në raport me transparencën locale Do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj zyrtarëve lokale që nuk ofrojnë qasje në dokumente publike në pajtim me Ligjin Do të publikohen të gjitha aktet dhe vendimet bashkiake në formën e tyre preliminare (gjatë procesit të hartimit) në ëeb-faqen zyrtare të bashkisë. Do të vendosen të gjitha aktet dhe vendimet bashkiake në formën e tyre përfundimtare në ëeb-faqen zyrtare të Bashkiëe menjëherë pas miratimit të tyre, do të promovohen rregullisht mekanizmat e pjesëmarrjes qytetare dhe do të rritet interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në konsultime publike, do të rritet numri i organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë punën e organeve të bashkisë, do të sigurohet përfshirja substanciale e qytetarëve në hartimin e buxhetit vjetor Bashikiak dhe të forcohen procedurat e jetësimit të kërkesave dhe nevojave të qytetarëve në raport me buxhetin, do të funksionalizohet Zyra e Informacioni pranë Bashkisë për t’i ofruar qytetarëve informacion orientues dhe për të parandaluar mbingarkesat në administratën Bashkiake. Gjithashtu do të themelohet Zyra për Hulumtime dhe Opinion Publik, e cila do të bëj përcjelljen permanente të disponimit të qytetarëve për politika të ndryshme publike.

Cila është strategjia juaj lidhur me moslejimin e ndërtimeve pa leje ose jashtë standardeve gjatë këtij mandati?

Strategjinë e moslejimit të ndërtimeve pa leje e përcakton saktë ligji për parandalimin e tyre, dhe ne do të jemi gjithmonë rigorozë në zbatimin e ligjit.

Çfarë synoni të bëni me ndërtimet pa leje që sakaq kanë mbushur Sarandën?

Një pjesë me rëndësi në vizionin e zhvillimit të bashkisë së re është integrimi I zonave informale duke I integruar në strukturat ekzistuese urbane. Përtej aspektit ligjor, Bashkia do të luajë një rol të rëndësishëm në urbanizimin e tyre. Me anë të partneriteteve publik privat synohet ofrimi dhe ndërtimi i infrastrukturës bazë duke sjellë rrjedhimisht edhe një përmirësim të situatës ekzistuese të këtyre zonave. Përtej integrimit fizik, me anë të programeve gjithpërfshirëse do të kryhet dhe integrimi i tyre social dhe ekonomik. Me anë të ofrimit të shërbimeve rritet kohezioni social dhe ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre zonave.

Derdhja e ujërave të zeza në det është kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për turistët dhe banorët dhe impianti I filtrimit nuk funksionon. Çfarë mund të resin banorët e Sarandës në këtë drejtim gjatë vitit të parë të mandatit tuaj?

Impianti i Filtrimit të Ujërave të Zeza, një investim me shumë vlerë i qeverisjes demokratike është tashmë në funksion. Studimi i mundësive për përmirësimin e teknologjisë së impiantit të pastrimit të ujërave të përdorura për përballimin e situatës gjatë sezonit turistik mbetet prioritet. Përmirësimi i Teknologjisë së Impiantit të trajtimit të ujërave të zeza dhe shtimi i lidhjeve të ndërtesave me rrjetin e kanalizimeve për të eliminuar gropat septike, do të sjellin një përmirësim të dukshëm në cilësinë e ujit të detit.

Çfarë përmirësimi mund të presin banorët e Sarandës në drejtim të furnizimit me ujë brenda vitit të parë, të dytë apo të tretë të mandatit tuaj?

Bashkia e Re do të hartojë politika të përshtatshme dhe do të angazhojë fonde të mjaftueshme për të maksimalizuar efikasitetin e investimeve te reja që po bëhen nga FShZh dhe KFW në fushën e ujësjellasve, si dhe për të përmirësuar dhënien e shërbimeve të ujësjellësit dhe të kanalizimeve, duke ecur në mënyrë të qëndrueshme drejt përputhjes me standardet e Bashkimit Evropian dhe me Objektivin e Zhvillimit për qëndrueshmërinë e mjedisit. Strategjia e sherbimit te ujësjellës kanalizimeve për Bashkinë e Re Sarandë në katër vitet e ardhshme do të jetë në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare të ujit. Kjo do të realizohet përmes:

Rritje e aksesit të konsumatoreve në furnizimin me ujë të pijshëm të sigurt ne zonat e pa mbuluara.

Shtim i orëve të shërbimit (ose te furnizimit) për popullsinë në të gjithë territorin e bashkisë.

Hartimi dhe realizimi periodik i vrojtimit të nevojave të bashkisë për të përcaktuar projektet prioritare për investime.

Bashkëpunim të vazhdueshëm me Bashkitë Aksionere për zgjidhjen e problemeve në kohë reale.

Orientim i shërbimeve në mënyrë të tillë që të rikuperohen plotësisht kostot operacionale dhe të mirëmbajtjes, shlyerja e borxhit, dhe shpenzimet kapitale për riparime dhe zëvendësime.

Fokusim i investimeve në reduktimin e konsumimit të ujit dhe energjisë që nuk gjeneron të ardhura.

Krijimi i një programi si pas së cilit të gjitha shërbimet duhet të kenë një sistem menaxhimi asetesh plotësisht të dokumentuar.

Zhvillimi dhe zbatimi i një programi subvencionimi për familjet e varfra.

A mendoni se zona e Kokës se Qefalit duhet te hapet për ndërtim apo duhet te ndalohet ndërtimi dhe te zhvillohet për turizëm natyror?

Saranda është një me diversitet të lartë dhe karakteristika të veçanta që lidhen me gjithë trashëgiminë natyrore kulturore historike, te nje rëndësie kombëtare dhe ndërkombëtare. Hartimi i Planit të Përgjithshëm Vendor do të jetë kushtetuta zhvillimore e Bashkisë së Re, dhe zbatimi me përpikmëri i kushteve zhvillimore për çdo zonë përfshi këtu edhe zonën e Kokës së Qefalit do të jetë prioriteti ynë. Përpara hartimit të PPV-së do të ketë një komunikim të detajuar me qytetarët e gjithë zonave që të kenë mundësi të shprehin idetë e tyre për zhvillimin e bashkisë së re, komunikim I cili do të krijojë traditën e një bashkëpunimi të vazhdueshëm bashki qytetar, duke e kthyer qytetarin një aktor të rëndësishme në vendimmarrje dhe vendimbërje për zhvillimet territoriale dhe jo vetëm.

Çfarë mund të presin banorët e Sarandës në lidhje me menaxhimin e mbetjeve në vendin ku depozitohen aktualisht në sytë e shumë prej turistëve që vijnë në Sarandë?

Landfield-i i Bajkajt është një vepër me shumë rëndësi në ndihmë të menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimit të drejtë mjedisor për Bashkinë Sarandë. Duke bërë një studim serioz dhe duke riparë në mënyrë të menjëhershme kostot e këtij realiteti të ri, do të ndërhyjmë në kontratat aktuale që rregullojnë këtë shërbim, duke bërë të mundur bërjen eficent të këtij investimi shumë të rëndësishëm dhe modern, për t’u larguar njëherë dhe mirë nga realiteti I deritanishëm.

Çfarë politikash do të ndiqni për parandalimin e shfrytëzimit privat të paligjshëm të plazheve dhe çfarë politikash do të ndiqni për dhënien me qera të plazheve në territorin e Bashkisë së re?

Shfrytëzimi i plazheve publike nga institucioni i Bashkisë apo nga subjekte private tashmë është I rregulluar me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave ku është cilësuar edhe raporti që duhet të ekzistojë mes plazheve publike dhe atyre private. Nëpërmjet një studimi shumë të hollësishëm ne do të garantojmë mirëmbajtje të plazheve ekzistuese dhe atyre te reja që do të hapen. Politika jonë e menxhimit do të jetë që këto plazhe ti shërbejnë në radhë të parë publikut. Por edhe atyre subjekteve private të interesuara për investime në to, duke krijuar të gjitha kushtet e nevojshme higjeno – sanitare , shërbime tregëtare dhe ruajtjen e sigurisë së jetës së pushuesve.

Në territorin e Bashkisë Sarandë ka edhe një numër familjesh të komunitetit rom. Çfarë duhet të presin nga ju këto familje për përmirësimin e kushteve të strehimit dhe të jetesës?

Bashkia Sarandë e drejtuar nga unë do të ketë në vëmendjen e saj familjet që i përkasin këtij komuniteti dhe që jetojnë dhe punojnë në territorin e Bashkisë Sarandë, nëpërmjet projekteve të ndryshme për punësimin, strehimin, kujdesin social dhe këshillimin të mundësuar një jetë më të mirë si dhe integrimin e këtij komuniteti në jetën normale që zhvillohet në bashkinë tonë.