Profile16 May 2015

Profili i bashkisë Fushë-Arrëz

Bashkia e Fushë Arrëzit është një nga bashkitë më të varfëra në Shqipëri, për shkak të terrenit shumë të thyer malor, rrugëve të këqija dhe mungesës së punësimit. 

Author: Elvis Nabolli BIRN Fushë-Arrëz
Print

Harta e re territoriale Fushë-Arrëz

Harta e re territoriale Fushë-Arrëz

Ky profil është shkruar para zgjedhjeve të vitit 2015. Për një profil të përditësuar bashkë me rezultatet e zgjedhjeve, ju lutemi vizitoni faqen tonë të re:

http://pushtetivendor.reporter.al/profili-i-bashkise-fushe-arrez/

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Fushë-Arrëzi kufizohet në veri me Bashkinë Tropojë, në perëndim me bashkitë Vau i Dejës dhe jug-perëndim me bashkitë Pukë dhe Mirditë. Në lindje kufizohet me bashkinë Kukës. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Fushë-Arrësit.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia ka një popullsi prej 7.405 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 11.651 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 540.42 km2, me një densitet prej 21.55 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 13.70 banorë/km2   sipas Censusit 2011.

Bashkia e re ka në përbërje 5 Njësi Administrative: Fushë-Arrëz, Fierzë, Blerim, Qafë-Mali dhe Iballë.

Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Pukës dhe e qarkut Shkodër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 35 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i Bashkisë

Bashkia Fushë-Arrëz shtrihet në një zonë malore, me një sipërfaqe te konsiderueshme  pyjore, e cila prej vitesh është dëmtuar nga njerëzit kryesisht për tregti. Mbrojtja e pyjeve kërkon ndërhyrje emergjente.

Bashkia e Fushë Arrëzit është një nga bashkitë më të varfëra në Shqipëri, për shkak të terrenit shumë të thyer malor, rrugëve të këqija dhe mungesës së punësimit.

Pasuritë natyrore të Fushë-Arrëzit, kryesisht ato nëntokësore të shprehura në rezervat e mëdha minerale janë të shumta, ndërsa minierat janë dhënë me koncesion tek firma të ndryshme turke për shfrytëzimin e mineraleve, çka nuk i ka sjellë ndonjë zhvillim kësaj zone.

Infrastruktura rrugore në këtë zonë lë shumë për të dëshiruar, pasi pjesa më e madhe e saj është e amortizuar jo vetëm në akset rurale, por edhe ne ato nacionale. Ndërsa specifike për këtë zonë është fakti se gjatë muajve të dimrit pjesa më e madhe komunave izolohen nga dëbora.

Përveç emigrimit drejt vendeve të BE, shumë banorë nga zonat malore të  Fushë Arrëzit kanë  lëvizur  kryesisht drejt kryeqytetit.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Përmirësimi i gjendjes së rrjetit rrugor në Bashkinë Fushë-Arrëz, hartimi i projekteve të ndërhyrjes në rrjetin rrugor të qytetit dhe të fshatrave konsiderohet një prej detyrave kryesore që duhet të përmbushë kryebashkiaku i ri.

Trajtimi më vëmendje i koncesioneve të HEC- eve që po ndërtohen në Fushë Arrëz dhe zbatimi detyrimeve të përcaktuara në kontratë, ku  përveç punësimit, duhet edhe të investohet në infrastrukturë shihet si një mundësi e mirë për të balancuar të ardhurat e pakëta.

Rishikimi i koncesioneve të minierave dhe përdorimi eficient i rentës minerare është një tjetër pritshmëri e banorëve për bashkinë e re. Promovimi dhe zhvillimi i industrisë së përpunimit të drurit, duke marrë për bazë pasuritë natyrore pyjore të Fushë-Arrëzit si dhe traditat e zonës mund të nxiste një sërë biznesesh të reja në bashki.

Zhvillimi i turizmit malor në Fushë-Arrëz, i identifikuar si një potencial ekonomik i rëndësishëm në zona si Kërrabë, Munellë duhet shoqëruar me përmirësimin e gjendjes së mjediseve të ndotura në territorin e kësaj bashkie si dhe krijimin e një vend- depozitimi për mbetjet e qytetit. Grumbullimi i bimëve mjekësore dhe prodhimeve të dyta pyjore, janë dy sektorë potencialë të cilët mund të gjenerojnë të ardhura për banorët e zonës.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Fushë-Arrëzit kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 8,992 votues. Votuesit janë të ndarë në 17 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 15 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

Kandidatët për kryetar bashkie të regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më datën 13 Maj 2015 për bashkinë e Fushë-Arrëz janë:

–       Fran Tuci, kandidat i Partisë Socialiste, pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

–       Gëzim Vata, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)